Numri i hyrjeve legale të azilkërkuesve në BE po rritet me persona nga Amerika Latine dhe Ballkani Perëndimor.
Këtë fakt e bëri të ditur të hënën Komisioneri i BE për Migrimin, Dimitris Avramopulos përballë gazetarëve.
Edhe pse kërkesat janë të shumta, rastet kur këtyre personave u pranohet kërkesa për azil janë minimale.
Avramopoulos shtoi më tej se po të vazhdojë kjo tendencë migrimi BE do të detyrohet të ndërmarrë masa. Ai u bëri thirrje shteteve të prekura që të respektojnë rregullat për të cilat është rënë dakord.
Shtetet të pengojnë keqpërdorimin e vizave
Sipas Avramopoulos, nëse situata nuk ndryshon muajt në vijim, BE mund të pezullojë regjimin pa viza për shtete të veçanta. Numri i azilkërkuesve në BE që në fillim të vitit është rritur midis janarit dhe fundit të prillit me 15%, në krahasim me një vit më parë.
Komisioneri për Migrimin iu referua shifrave të zyrës së BE-së për azilin, EASO, sipas së cilës, në katër muajt e parë të këtij viti, një në katër kërkesa për azil në BE është bërë nga shtetas të një vendi, qytetarët e të cilit mund të hyjnë pa viza në BE.
Në këtë mënyrë, numri i hyrjeve pa viza të azilkërkuesve nga Venezuela në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u rrit me 121 për qind në 14.257, nga Kolumbia me 156 përqind në 8,097 dhe nga Shqipëria u rrit me 30 përqind në 7,138.
Në tërësi, megjithatë, numri i azilkërkuesve në BE është në nivelin e ulët të vitit 2014, para krizës së refugjatëve, tha Avramopoulos. Në dallim nga numri hyrjeve në mënyrë të ligjshme, numri i migrantëve të ardhur në mënyrë të paligjshme edhe këtë vit vazhdon të ketë rënie. Numri i të ardhurve, në pesë muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, ra me 31 për qind, në rreth 32,400.
Për të mësuar më shumë mbi rregullat e lëvizjes së lirë në zonën Shengen dhe në shtetet e BE-së, ndiqni lidhjen e mëposhtme:
Burimi: DW Shqip