Pse po plaket Shqipëria?
Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera të Europës, ka përjetuar një tranzicion demografik të vonë, por intensiv (rënia e vazhdueshme e lindshmërisë dhe vdekshmërisë). Prandaj vendi përjetoi një ndër normat më të larta të rritjes së popullsisë në Europën e pas luftës, duke sjellë një rritje të popullsisë nga 1,218 milionë në vitin 1950 në një maksimum prej 3,182 milionë në vitin 1989. Megjithatë, pavarësisht strukturës së re moshore, popullsia pësoi rënie deri 2,097 milionë në vitin 2011.
Emigrimi dhe normat e ulëta të lindshmërisë janë faktorët kryesorë të kësaj rënie. Që nga 1950 deri në 1990, popullsia e Shqipërisë ka përjetuar dekada të një rritjeje të shpejtë të popullsisë, edhe pse shpejtësia e kësaj lëvizjeje është ulur në mënyrë progresive. Lindshmëria ka qenë shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Europës, ndërsa vdekshmëria pësoi një rënie të lehtë duke mbetur pothuaj në nivelet 1617 mijë në vit; shkëmbimet me vendet e huaja me anë të migracionit ishin pothuaj zero dhe lëvizjet nga një rajon te tjetri në vend ishin shumë të kufizuara, karakteristike për një popullsi të mbyllur.
Vitet ‘90 rënia e lindshmërisë ka shkuar drejt niveleve të vendeve europiane, emigracioni vazhdon të jetë në shkallë të gjerë, dhe ka lënë gjurmë të forta në piramidën e moshës, migracioni i brendshëm e ka ndryshuar shumë ekuilibrin midis rajoneve të vendit.
Diferencat në bazën e piramidës tregojnë qartë se ka dy arsye për rënien e lindshmërisë:
- Emigracioni ka kontribuar në reduktimin e popullsisë në risk, meqë ky fenomen ka prekur popullsinë në moshë riprodhuese.
- Rënia e numrit të fëmijëve për grua tregon një sjellje të ndryshme të femrave. Kjo mund të shpjegohet nga disa faktorë socialë si: rritja e pjesëmarrjes së grave të reja në arsim, rritja e pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës, planifikimi familjar, etj.
Një nga faktorët kryesorë të ndryshimeve kaq të mëdha të këtyre raporteve është rënia e lindshmërisë. Lindshmëria në Shqipëri ka kaluar ndryshime të mëdha. Në vitet 1940, tranzicioni i lindshmërisë në Europë kishte kohë që kishte filluar, ndërsa në Shqipëri, shifrat ishim më të lartat në kontinent, rreth 6 fëmijë për një grua. Gjatë viteve 1960, rritja arriti maksimumin e vet me rreth 7 fëmijë për grua. Pas viteve 1970, ISF filloi rënien e shpejtë, nga 5.2 në vitet 1970 në 3.6 në 1980 dhe në 3 në fillim të viteve 1990.
Meqenëse metodat moderne të kontracepsionit nuk njiheshin, tranzicioni i lindshmërisë erdhi si rezultat vetëm i përdorimit të metodave tradicionale. Emancipimi i grave çoi drejt edukimit universal të tyre dhe një rritje të pjesëmarrjes së grave në prodhimin agrar dhe industrial. Të dy këta faktorë janë ngushtësisht të lidhur me rënien e lindshmërisë. Që nga viti 1990, lindshmëria ka vazhduar rënien e saj. Ky indikator ishte 3 fëmijë për grua në 1989, 2.3 në vitin 2001 dhe në 2013 u llogarit 1.76 fëmijë për një grua.
Shqipëria ka nivel më të ulët lindshmërie edhe se disa vende të Europës Perëndimore si, Belgjika, Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar dhe se disa nga vendet e Europës Veriore si, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia. Trendet e lindshmërisë në të ardhmen duke ju referuar projeksioneve të popullsisë së Shqipërisë, bazuar në Censusin 2011, do të vazhdojnë rënien.
/Gazeta Tema