Pse duhet lexuar BIRI, i Flutura Açkës

Nga Kristi Pinderi
Kam dëgjuar disa njerëz të thonë se duan ta lexojnë “Birin” e Flutura Açkës por nuk munden. “Nuk kam zemër,” thonë.
Libri është tronditës, ndaj reagimi për ta shmangur përballjen me të mund të jetë i shpjegueshëm.
Vdekja është thuajse në çdo faqe të tij, herë si hije, herë si kërcënim, mirëpo paradoksalisht, ky nuk është një libër për vdekjen.
Dy çështje më kapën në befasi teksa e lexoja.
Si fillim, më bëri konfuz struktura që mu duk një zgjedhje e dyshimtë. I vetëdijshëm për historinë që trajton pata pritshmërinë (e gabuar) se libri do e “sillte” vdekjen në faqet e fundit të tij e jo që në fillim. Ç’të jetë kjo zgjedhje strategjikisht plot risqe për ta çuar lexuesin që në faqet e para të librit tek ditët e fundit të Birit? Mu duk si rrugë pa krye!
Mirëpo sa më shumë lexon për avancimin e sëmundjes së Birit, për kolapsin e mushkërive, për ditët në spital, për atë spital që duket si “një therrtore e madhe, e frikshme, ku nuk hyjnë më në punë emrat, as fytyrat, por vetëm fryma”, aq më shumë bën sens guximi i Açkës për ta përballur që në fillim lexuesin me pashmangshmërinë e fatit dhe pamundësinë e ndaljes së tragjedisë, e cila është e tillë sidomos sepse është e destinuar të mos ndalet.
Duke na ekspozuar me dramen që në krye të rrëfimit, duke na e shpërbërë me shpejtësi iluzionin e shpresës dhe duke na afruar me terrorin e përjetimit të ikjes së një të riu pa mbushur ende 18 vjeç, Açka na përfshin në një proçes të komplikuar për të gjetur kuptim përtej saj.
Po kur fundi vjen që në fillim, çfarë ka më pas?
“Shpesh më duket se ai më fton në ëndërr. Unë shkoj” shkruan Açka.
Së dyti, Biri vjen tek ne herë me fjalët e tij, herë përmes kuptimit që u jep atyre fjalëve nëna e tij. Në një këndvështrim fenomenologjik – sipas së cilit domethëniet subjektive ndërtojnë një botë (sociale) objektive – është përshkrimi subjektiv i Açkës që formëson përfytyrimin tonë për Birin. Kjo bën që një dramë thelbësisht private të marrë trajta universale duke na shtyrë të pyesim për jetën dhe për vdekjen, për dritën e errësirën, për fatin dhe pamundësinë për ta ndalur atë.
Në ato orë vlerësojmë guximin e Birit për të luftuar, pasionin për jetën dhe nevojën për të jetuar me dinjitet.
Ka disa menyra se si vuajtja na formëson. Shpesh ajo shpërbën çdo kotësi dhe shpërfaq tek disa njerëz një dritë të jashtëzakonshme. Njerëzit e tillë, vuajtja i bën të bukur. “A të vij me ty?” e pyet Açka Birin në orët e fundit. Pasi e sheh në sy, ai i zgjat krahët që të afrohet dhe i thotë: “Mam, më shih në sy, të lutem, më shih në sy. Ne jemi dy qënie biologjike të ndryshme, me fate të ndryshme, kuptoje këtë, unë do të të pres, do të të pres! Be normal!”
Ju sugjeroj të mos e humbisni këtë libër!