Profili i të dyshuarit Arbion Aliko/ Nga akuzat për vrasje, rrëmbime e drogë te muslimani i mirë që nuk duron minifundet
NJË PROFIL I TË DYSHUARIT KRYESOR PËR VRASJEN E IBRAHIM BASHËS
“Është e vërtetë se nuk mund të bëhesh meleq (engjëll) por të paktën shejtan mos u bëj…” – shkruan në një nga postimet e tij në Facebook Arbion Aliko. Me sa duket e ka këshillë për të tjerët, jo për veten.
19 vjeçari me shkollë të mesme (në dhjetor bën 20) i lindur dhe i rritur në Lazarat, është i dyshuari kryesor për vrasjen e oficerit të RENEA-s Ibrahim Basha dhe plagosjen e dy kolegëve të tij. Është e qartë se që të bëje emër në këtë fshat, “karrierën” duhet ta filloje duke bërë zap gjimnazin e Lazaratit.
Arbioni ka mbaruar njëfarësoj shkollën e mesme në fshat dhe nuk i ka vijuar studimet e larta.
Është djali i madh i Adil Alikos, ndërsa ka dy vëllezër, Albanin vetëm 18-vjeç, të shpallur në kërkim dhe Brahon, vetëm 13 vjeç.
Arbioni është i lindur në vitin 1995 dhe sipas informacioneve të mbledhura nga profili i tij, të njohurit, banorët dhe policia, gjithnjë ka qenë një person “i hedhur”. Në shkollën e mesme, ku shquhej për përplasjet fizike, grindjet që shoqërojnë moshën e adoleshencës por edhe më të theksuara se kaq, dhe i pëlqenin shumë makinat.
Për policinë fillimisht ka qenë i skeduar për ndonjë xhirim të gomave të makinave, konflikte me persona të tjerë dhe si konsumues i hashashit.
I rritur gjithnjë në mes të plantacioneve të drogës, ai kishte gjithë para nëpër duar dhe bashkë me to, edhe një realitet tjetër nga ai i shumicës së banorëve të jugut.
Profili i tij në Facebook (ka dy syresh, i pari i papërdorur prej vitit të kaluar) është i mbushur cit me foto të ISIS, ndërmjet të cilave videot e famshme të terrorit të Lavdrim Muhaxherit, interpretime të vargjeve kuranore, “këshilla” të tipit “mos dëgjoni muzikë” ose “grua e mirë është vetëm ajo që respekton prindërit e burrit”; quan “fundërrina” gratë që veshin minifunde, etj.
Citimet nga Kurani ka qejf t’i bëjë të shoqëruara me foto fëmijësh. Ndoshta i duken më prekëse ashtu.
Pastaj, foto makinash Hummer luksozë, armë e gjerdanë fishekësh të kthyera në formë zemre, postime kundër SHBA-ve dhe presidentit amerikan, si edhe shpallje të tipit “Turqia, Ballkani, Shqipëria akoma nuk e kanë shijuar aromën e Teuhidit, Islamin e Pastër”.
Të riut i pëlqen të ketë shumë gra. Në postimet e tij shihen shpesh foto myslimanësh me shumë gra të mbuluara dhe Arbjon Aliko shkruan: “Me shumë gra marshallah”. Pastaj debaton me miqtë e tij nëse Profeti kishte 7 apo 11 gra.
Hoxha që citon më shumë quhet Hoxhë Enis Rama, ndërkohë është i bindur që “të krishterët edhe çifutët e prishën botën, e shthurrën e shkatërruan”. Mendon se miliona euro paguhen në botë për të shtuar islamofobinë dhe beson se numri i atyre që përqafojnë islamin është rritur sidomos pas sulmeve mbi gazetën franceze Charlie Hedbo.
Miatë e tij, edhe ata adhurues të Islamit në përgjithësi ndonjëherë i tërheqin vëmendjen nëpër postime, si përshembull në rastin kur ai e quan Lazaratin “xhungël”. Dhe Aliko tërhiqet, thotë që nuk e kishte me kuptim të keq, se është “fshat i mirë se po përhapet islami derë më derë”, etj.
Në disa postime boton foto të një bregdeti që nuk e identifikon asnjëherë ku është. Kur e pyesin nuk përgjigjet, ndërsa në një rast i thotë një mikut të vet se “ndodhet përballë kontinetit afrikan”.
Në fakt duket si bregdeti i jugut të Shqipërisë ose Greqisë, vend ku sipas disa të dhënave që serviri policia, Aliko u fsheh pas shpalljes në kërkim në mars të këtij viti.
Po të hapësh profilet e miqve me të cilët flet në FB, del në tipa që mendojnë që Sali Berisha është mbret, që bëjnë thirrje për të votuar PD-në, etj, etj
Por “myslimani” Arbjon nuk është i tillë në dosjet e prokurorisë. “Është një kriminel i cili nuk ka lidhje as me fenë as me politikën” – thotë një nga ata që ka hetuar dosjen e tij.
“Është një monstër” – thotë prerë për të një oficer i lartë policie që ka punuar në Komisariatin e Gjirokastrës.
Duken etiketime të ashpra por kur i hedh një sy dosjes së tij mendohesh dy herë: Precedentët e tij kriminalë janë të shumtë. Ai ishte në bandën që qëlloi policinë edhe gjatë aksionit të madh të vitit të kaluar në Lazarat. Bashkë me “Gaten” është ndër kryesorët e hetuar për ngjarjen.
Vetëm një javë më parë dosja e tij është dërguar për gjykim me akuzën e rëndë për krijim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në materialin që DITA disponon, 19 vjeçari do përgjigjet edhe për posedim dhe shpërndarje droge, kundërshtim me armë të forcave të policisë, akte terroriste, shtrëngim me anë të kanosjes, armëmbajtje pa leje, etj.
Tashmë një akuzë e re edhe më e rëndë do formulohet dhe do gjykohet në një proces të ri: Vrasja e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha.
I cili ishte vetë një besimtar mysliman madje është vrarë duke qenë në agjërim. Ironi e fatit? Apo ka vërtet një Zot dhe ky ka dashur t’i tregojë në mënyrë shumë të hidhur 20 vjeçarit lazaratas sa larg mësimeve të tij është realisht…
Vendndodhja e tij tani për tani mbetet e panjohur. “E kemi në ndjekje atë dhe vëllanë bashkë me shtetasin Bervin Basho, të tre organizatorët e grupit dhe vrasjes së Ibrahimit. Është e vështirë të kapen, por do bëjmë të pamundurën’ – thotë një nga oficerët që drejton grupet e kontrollit në Lazarat.
Devijimi i tij deri në ekstrem ka ardhur gjatë vitit të kaluar, ku dyshohet se ka sulmuar me armë Policinë gjatë aksionit në qershor. Në muajt pas aksionit, u përkushtua në aktet terroriste me hedhje të shtyllave elektrike në erë, bombat ndaj bizneseve, urave në fshat, eksplozivin deri edhe ndaj familjeve të drejtuesve vendorë.
Kulmi do të arrinte në mars 2015, kur u sulmua me armë Patrulla e Policisë, që pikasi 20-vjeçarin dhe shokët e tij teksa po hapnin gropa për të rimbjellë hashash.
Grupit i faturohen 9 sulme nga gushti 2014-mars 2015. Duket se “dashuria” për drogën e ka bërë edhe më agresiv, derisa mëngjesin e të mërkurës ka zënë pritë në Lazarat duke terrorizuar fshatin dhe më pas duke lënë të vdekur një efektiv të forcave speciale dhe plagosur dy të tjerë.
Terreni i vështirë gjeografik i fshatit dhe bashkëpunimi i ulët i banorëve i ka pakësuar shanset për arrestim të menjëhershëm.
Frika e policisë është lëvizja në male dhe dalja në Greqi ilegalisht, i maskuar. “Burri që heq mjekrën nuk është burrë” – shkruan 19 vjeçari në një postim në FB. Por me pamjen që paraqet në FB, me siguri do ta identifikonin menjëherë. Kështu që mjekrën këto orët e fundit duhet ta ketë hequr.
Janë një grup të rinjsh të rritur mes drogës, që drogën e konsiderojnë normale dhe që tani kanë zbuluar edhe ISIS-in, dhe u pëlqen t’i imitojnë. Në fakt qëllimi i tyre është i qartë. “Duan të na largojnë ne nga fshati dhe zona të rikthehet në jetesën e mëparshme” – shpjegon oficeri i policisë.
Kapja e tij tani është një sfidë jo vetëm për policinë e Gjirokastrës
/Gazeta Dita