Premtimet, naivitet i zgjedhësit apo i politikanit?
Nga Evis Nasto
Pak ditë më parë në media u publikuan gjetjen e një raporti të Lëvizjes “Mjaft” në lidhje me premtimet e mbajtura në fund të mandatit nga kryetari aktual i Bashkisë. Nisur nga ky vetëmatës, sikurse e cilësuan organizatorët, nga 85 premtime të bëra nga Lulzim Basha kundrejt qytetarëve të Tiranës në vitin 2011, 60 nuk ishin mbajtur, 15 ishin realizuar, 6 të tjera cilësoheshin të realizuara pjesërisht, ndërsa 4 të tjera ishin përfshirë në kategorinë ‘të pamatshme’. Përpos përpjestimit të zhdrejtë mes zotimeve të mbajtura dhe atyre të pambajtura, mund të dallohej se jo të gjitha premtimet e mbajtura përkonin me prioritet e vendosura. Kështu për shembull: “Zhvillimi Ekonomik Lokal” dhe “Infrastruktura”, dy zërat kryesore për nga numri i premtimeve (përkatësisht 20 dhe 28 të tilla) kishin dhe numrin më modest të të realizimeve. Dukshëm mund të evidentohet se puna e bashkisë ka çaluar edhe në përmbushjen e atyre premtimeve të përcaktuara gjatë fushatës zgjedhore të z. Basha si kalë të betejës. Reagimi ishte i menjëhershëm. Bashkia dha dy përgjigjie: “Bllokim politik” si dhe “Mos e merrni seriozisht raportin e Mjaftit”. Dy përgjigjie të cilat logjikisht kundërshtojnë njëratjetrën. Nëse pranohet si shkak “Bllokimi Politik” atëherë automatikisht nënkuptohet se premtimet nuk janë realizuar për shkak se pushteti qëndror i koalicionit të majtë ka penguar të djathtët të zbatojnë projektet e planifikuara. Por nëse i shtojmë reagimit të Bashkisë edhe cilësimin si “joserioz” për gjetjet e raportit, atëhere nuk ka vend më për argumentin bllokues. Në këtë rast do të kishte qenë e udhës publikimi i punës konkrete të zhvilluar nga Bashkia, sesa fshehja pas gishtit me përgjigjie që mbajnë erë demagogji politike. Por le t’i lëmë shifrat dhe faktet, sepse ato zhbëhen lehtësisht nga politikanët dhe t’i besojmë vëzhgimit tonë qytetar. Me syrin e mprehtë si banorët e hershëm dhe ata të rinj të Tiranës, mund të evidentojnë sesa është përmiresuar jetesa e tyre, falë punës së bërë ndër vite nga administrata vendore. Banorët e kryeqytetit vazhdojnë të udhetojnë vetëm me autobusë nëpër Tiranë. Ata nuk kanë alternativë tjetër të transportit publik dhe për rrjedhojë sa herë i teket shoqatës së punonjësve të transportit qytetas të bëjnë greve për çmimin e biletës, qytetarët detyrohen që pagen ditore ta shpenzojnë për të marrë taksi sepse duan të arrijnë brenda orarit në punë. Autobusët mbeten mjetet me kushtet më të këqija të udhëtimit, me personelin më të pakualifikuar që më së shumti përfaqsojnë dhe problemin përse kompanitë e kontraktuara për transportin publik, u del bilanci negativ. Pa llogaritur këtu mungesën e korsisë së posaçme për mjetet e transportit publik që i bën ato të kenë gjithnjë problem me orarin. Por banorët e Tiranës kanë humbur dhe gjëra që kanë pasur dikur si vizat e bardha dhe trotuarët. Këto të fundit janë zhbërë brenda pak kohësh: të parat me gjasa për shkaqe atmosferike ose cilësinë e dobët të bojës, ndërsa të dytët janë zënë nga shitësit ambulantë. Për këta të fundit bashkia nisi dhe një fushatë për lirimin e hapsirave publike, por pas vrullit të madh trotuarët u mbushën përsëri me shitës ambulantë që tregtojnë gjithçka buzë rrugës. Nuk di nëse kjo përgjumje e autoriteteve përgjegjese erdhi për shkak se nuk do të rris pakënaqësinë e shtresës që përfaqson dhe shumicën e popullsisë në Tiranë: të papunet e vetepunesuar apo sepse nuk ka kapacitet per te kontrolluar çdo trotuar të zenë. Të harruar mbase mund të ndihen edhe banorët e qendrës së hershme të Tiranës. Ata, të cilët dikur e thonin me krenari se e kishin shtëpinë “mbrapa Pallatit të Kulturës” ose “mbrapa Muzeut Historik Kombëtar”, sot nuk mund të mburren më kaq shumë. A mund të quhen më zona te qendrës, këto hapsira me pllaka të thyera dhe ndriçim të vagëllt? Kjo gjendje për ta është e pandrysheshme prej kaq shumë kohësh sa mbase votuesit e kësaj njësie vendore të Tiranës mund të hamendësojnë se në krye të bashkisë është akoma Albert Brojka. Banorë të Tiranës janë dhe studentët, edhe pse këta mund të ndihen më të huaj ndër gjithë kategoritë sociale. Për ta nuk ekziston asnjë lloj benefiti. Jo vetëm që nuk kanë lehtësira financiare për shërbimet publike që ofrohen nga institucionet vendore, por shpesh per studentët nuk ka vend as në Bibliotekën Kombëtare për mungesë kapacitetesh. Ndoshta studentët do të ndiheshin më të privilegjuar, në këtë drejtim, nëse kryebashkiaku aktual do të kishte realizuar brenda vitit të parë të mandatit ndërtimin e Bibliotekës Universitare Bashkiake, sikurse ai vetë pati premtuar. Për të mos përmendur nxënësit, të cilët vazhdojnë të frekuentojnë klasa të mbipopulluara në shkolla me dy turne. E trishtë është situata edhe për më të moshuarit, të cilët së bashku me femijët janë ndër grupmoshat që frekuentojnë më shpesh qëndrat e kujdesit parësor. Në zonat periferike të Tiranës, aty ku jetojnë shpesh dhe komunitete të margjinalizuara ka ende mungesë të ketyre qëndrave, ose qëndrës i mungojnë kushtet e nevojshme për të ofruar shërbimin. Banorë të Tiranës si qenie frymore janë dhe kafshët, veçanërisht qentë, të cilët janë shtuar së fundmi. Pak kohë më parë shoqëria civile e anagazhuar për të drejtat e kafshëve kundërshtoi fuqishëm vrasjen e qenve nga Bashkia ndaj dhe autoritetet vendore duket se tashmë janë tërhequr. Por një problem i ri është shtuar me numrin e madh të qenve që kanë nisur të popullojnë Tiranën. Mungesa e një strukture për strehimin e tyre e bën shqetesuese për banorët e kryeqytetit praninë e shumtë të qenve të braktisur në rrugë, të cilët jo rrallë shëndrrohen edhe në “gjuetarë” kalimtarësh të rastit. Sa më sipër janë vetëm disa fragmente të përditshmërisë sonë në Tiranë, ndoshta më të rëndësishmet ose jo, por për të cilat nuk ka nevojë të lexohet raporti i “Mjaft” as me syze rozë dhe as me syze blu për t’i kuptuar vërtëtësinë e tyre. Mjafton të jetohet. Pikerisht për këtë jetë që bëjnë, banorët e Tiranës kanë të drejtë të ndihen të lodhur nga justifikimet politike që përdoren në të tilla raste. Kur bëhet fjalë për strukturat vendore të cilat kanë në dorë instrumentet për të ndërhyrë direkt për permirësimin e jetës e së qytetareve, politika bën mire të bëhet më konkrete kur premton dhe jo të lëshojë fjalë në ajer. Sado që pushteti vendor ka ende varësinë ndaj pushtetit qëndror veçanërisht kur bëhet fjala për financime, termi “bllokim politik” është i konsumuar. Ndaj cilido krah duhet të matet mirë kur e përdor sepse mund të tingellojë si një ‘dorëheqje e parakohshme nga detyra me të cilën qytetarët e Tiranës i kane mandatuar. Përvoja e katër viteve më parë ka dëshmuar se deklarata të tilla prodhojnë rotacion si reagim i vetvetishëm pikërisht i atyre votuesve të lodhur që nuk duan të degjojnë demagogjine e rradhes, por të shikojnë punën reale në dobi dhe në përmiresim të jetës së tyre.
/TemA