Maj i vitit 1962. Pas një reklame në një gazetë lokale që ftonte njerëzit të merrnin pjesë në një eksperiment universitar, rreth 40 burra të moshave nga 20 deri në mbi 50 vjeç, të profesioneve e niveleve të edukimit nga më të ndryshmet, që nga ata që nuk e kishin mbaruar shkollën fillore, e deri te ata me doktoraturë, janë mbledhur në një laborator në një bodrum të “Yale University”. Eksperimentin e drejton një profesor i psikologjisë sociale, Stanley Milgram. I veshur me një përparëse të bardhë, ai u shpjegon atyre se janë përzgjedhur për të marrë pjesë në një eksperiment në lidhje me memorien e njeriut dhe nis t’u tregojë se çfarë pritej prej tyre:
Në një dhomë monitorimi do të qëndronte profesori dhe ekipi i tij, mbi një panel kontrolli nga ku mund të përcilleshin goditje elektroshoku me nivel të ndryshëm elektriciteti, do të qëndronin burrat e përzgjedhur që do kishin rolin e “mësuesit”. Në një ambient tjetër, të ndarë me një xham, do të qëndronin, të ulur mbi disa karrige elektrike disa persona të tjerë, që do quheshin “student”. Atyre do u kërkohej të plotësonin një test. Në rast të çdo përgjigjeje të gabuar, “mësuesit” duhet të shtypnin një buton mbi panelin e kontrollit dhe kjo do shkaktonte një goditje elektroshoku te studentët. Niveli i elektricitetit do të rritej në mënyrë progresive pas çdo gabimi.
“Mësuesit”, nuk e dinin që objekti i studimit në këtë eksperiment ishin ata vetë: A do kishin zemër ta vazhdonin atë eksperiment të dhimbshëm për ata që qëndronin të lidhur në karriket elektrike?
Goditja e parë ishte e lehtë. E treta pak më e vështirë. Në goditjen e pestë një nga “studentët” bërtiti nga dhimbja. Në goditjen e gjashtë edhe më shumë. Aty, njëri nga “mësuesit” ndaloi… “Të lutem vazhdo”, i tha Milgram. Njëri nga “studentët” kërkoi të largohej, ngaqë nuk po i duronte dot dhimbjet. “Eksperimenti kërkon që të vazhdosh”, i tha profesor Milgram “mësuesit” që po hezitonte të shtypte butonin. “A jeni të sigurt?”, guxoi “mësuesi” të pyesë. “Eshtë absolutisht esenciale që ju të vazhdoni”, tha Milgram.
Pas goditjes që u duk e fuqishme, “studenti” filloi të qajë. “Kam probleme me zemrën”, u dëgjua të thoshte. “Cfarë ndodh me mua nëse diçka e keqe i ndodh atij aty”, pyeti njëri nga “mësuesit”. “Unë jam përgjegjës, jo ti”, u përgjigj profesori.
65 përqind e pjesëmarrësve në eksperiment (ose 26 vetë nga 40) arritën ta çonin deri në fund duke shtypur deri butonin e fundit që supozohej se çlironte një shok 450 volt!
Ata nuk e dinin që, në fakt, “studentët” ishin aktorë, dhe se nuk kishte asnjë lloj elektriciteti. Rezultati ishte shokues për botën akademike: ky eksperiment i drejtuar nga një profesor që kishte humbur familjarët në Aushvic, tregoi nivelin e frikshem te nënshtrimit ndaj një autoriteti, siç ishte në këtë rast një autoritet shkencor.
Milgram argumentoi se më shumë se për natyrën mazokiste njerëzore, ky eksperiment na tregon për aftësinë që njeriu ka t’i nënshtrohet një autoriteti që perceptohet prej tij si profesionist dhe i drejtë dhe në kontroll të situatës, siç e perceptonin pjesëmarrësit në këtë eksperiment profesorin me përparëse të bardhë të një prej universiteteve më të mirë në botë.
Këtë eksperiment mendova kur krahasoj Edi Ramën dhe Doktoreshë Bonnie Henry, oficeri publik shëndetësor i provincës British Columbia në Kanada.
Dr. Henry jep një konferencë për shtyp çdo ditë. Ajo lexon informacionin e përditësuar me një zë të qetë, që tregon profesionalizëm por edhe të jep siguri. Cdo ditë këshillon njerëzit se çfarë duhet të bëjnë. Ajo tregon me fakte, me shifra dhe me parashikime transparente se cilat janë rreziqet që na kanosen nëse nuk zbatojmë masat e distancimit social, nëse nuk tregojmë kujdesin më maksimal për higjenën, apo nëse nuk zbatojmë rregullat e tjera.
Këtë javë, Dr. Henry, që ka qenë personi që ka menaxhuar masat në kohën e krizës së Ebolas apo dhe SARS-it, nuk i mbajti dot lotët gjatë njërës prej konferencave për shtyp, kur tregoi se e kuptonte shumë mirë sa e vështirë është të jetosh me frikë. Me frikë për veten, por sidomos me frikën për prindërit e moshuar… Një grup fansash u krijua menjëherë në rrjet për të dhe dhjetëra mijëra individë i shprehin mirënjohjen.
Dje, njoftoi se falë distancimit social, rastet me Covid19 në British Columbia janë disa herë më të pakta se parashikimi më optimist i autoriteteve, duke treguar në mënyrën më të përkryer si ishte ulur kurba e infeksioneve dhe se si masat e marra po funksionojnë.

Shikoni tani daljet publike që rregjistron në zyrë apo në shtëpinë e tij kryeministri Edi Rama: ato janë të mbushura me rënkime, me kërcënime, mungojnë shifrat, mungojnë faktet, mungojnë parashikimet. Ato mesazhe publike nuk i bën një profesionist, por një njeri që gulçon nga inati kur nuk i binden, një njeri që me një ton thellësisht acarues të zërit urdhëron, por nuk bind, kërkon, por nuk argumenton, bërtet, por nuk përcjell garanci.
Arsyeja pse shumë qytetarë nuk i binden Edi Ramës, nuk ka të bëjë me kulturën mosbindëse të shqiptarëve. Ashtu siç tregoi eksperimenti i profesor Milgram, apo rezultatet e punës së doktoreshë Bonnie-t, në Kanada, njerëzit i binden më kollaj një autoriteti që buron nga transparenca dhe profesionalizmi, se autoritetit të Edi Ramës, që nuk ka as transparencë, as profesionalizëm, por vetëm inat, kërcënime edhe gulçime neverie për popullin e vet.