PËRSE NUK KA MË DEBAT PËR ARSIMIN?
NDRIÇIM MEHMETI
Ai që ishte objektivi më i rëndësishëm i PS, dikur në opozitë, ishte debati për arsimin. Znj. Shamku, që dukej si ministrja hije e Arsimit për opozitën u përball disa herë në studio televizive me ish-ministra Arsimi dhe funksionarë të lartë të MASh. Madje vetë ajo, nuk denjonte të debatonte me përgjegjës sektori, por me drejtorë e lart. Prej dy vjetësh, MAS, bën monolog ose dialog “tepër konstruktiv”, me ata që fton vetë nëpër studio. Vetë flasin, vetë dëgjojnë dhe vetë konkludojnë.
Përse nuk ka më debat për arsimin? Fare e thjeshtë. Të ashtuquajturat reforma që do të ndërmerreshin, nuk u ndërmorën, të tjerat u lanë në mes, disa kanë filluar e nuk dihet ku do të shkojnë. Duket çiltazi se vetë zyrtarët e MAS, nuk janë dakord me ato që thonë vetë. Ligji i arsimit të lartë u ndërrua më shumë se tre herë dhe në të gjitha rastet, refreni ishte i njëjtë: “E pamë edhe vetë që duhej përmirësuar dhe e përmirësuam”.
Pasi nuk përballuan debatin me palën që kundërshtonte këtë ligj, ministrja gjeti strehë të ngrohtë te biznesi. Mendimi i senatit, pedagogëve, studentëve? Ç’rëndësi kanë ata? Po me ligjin e arsimit parauniversitar, çfarë bëhet? Një katrahurë, filloi me arsimin e gjeneratës tjetër, shkoi tek konstruktivizmi, u vajis me thëniet e Djuit, e përfundoi me një model tërësisht shqiptar i padëgjuar kurrkund.
Testim mësuesish, përse? Njëherë për dije, njëherë për licencim, pastaj për rankim, pastaj për menaxhimin e klasës e në fund do të përfundojë me trajtimin e esesë me temë: “Kush ka ministre më të mirë se ne?”. Nuk ka ndodhur ndonjëherë, që grupet e interesit me të cilat konsultohet ministrja, të jenë kaq të ngushtuar, të panjohura, ose aq të njohura, sa të mos t’i përmenden emrat. Është papërgjegjshmëri, që rrallë e gjen në ndonjë shoqëri demokratike, që këshilltari i ministres të thotë se ligji u konsultua, “me Sorosin” dhe nja dy shoqata që s’i mbaj mend”.
Është e rrallë, që sindikata as formalisht, nuk pyeten për asgjë, si partneri kryesor në arsimin parauniversitar. Nuk ka ndodhur as në kohët më të vështira të demokracisë, që sindikata, të mos kenë nënshkruar kontratën kolektive prej 5 muajsh me Ministrinë e Arsimit, duke lënë mësuesit, në mëshirën e drejtorëve të shkollave, drejtorëve të arsimit në rrethe, e tani në prag fushate të drejtuesve të partive në nivel vendor.
Si mund të tallesh me mësuesin e ta shtysh ankthin e tyre në një tmerr pa fund, duke deklaruar “testim në janar”, pastaj “në shkurt”, “në prill”, e “më pas e shtyjmë në qershor” dhe së fundmi në shtator”.
Si është e mundur që askush nuk ngre zërin prej botuesve të librit shkollor e më gjerë, se përse MAS deklaron dy shtëpi botuese si fituese preferenciale të teksteve që do të përkthehen? Si ka mundësi që Alterteksti, herë shuhet e herë del në sipërfaqe, sipas tekave të MAS? Nuk ka deri më sot, asnjë studim të detajuar, se përse nuk funksiononi, sipas logjikës së MAS, kjo reformë? Ku çaloi: Në zbatim, në hartimin e teksteve, qenia e shumë alternativave, cilësia e librit, mënyra e shpërndarjes? Me këto aspekte nuk u mor askush. Përgjigjja për shqetësimet e specialistëve në MAS, ishte: “Kështu e do kryeministri dhe ne do ta bëjmë”.
Ku shkoi premtimi për zëvendësimin e plotë të mësuesve jashtë profilit dhe pa arsim përkatës? A janë hequr, apo zëvendësuar këta mësues dhe situata është shumë më e mirë se ajo që u deklarua muaj më parë? Nuk kemi asnjë shifër, asnjë debat për këtë qëllim. Sigurisht, që gjendja nuk është përmirësuar. Këta 4440 mësues që do të zëvendësoheshin, janë në shumicën e tyre në sistem, sa kohë do të kemi mësim në klasa kolektive.
Përse ndodh kjo? Edhe për këtë mungon debati. Ministrja mësuese, që duket se ka pak lidhje me ta, për të mos thënë se nuk ka asnjë lidhje me këtë profesion, i hoqi të drejtën një komisioni të përbërë me prindër, mësues me përvojë, drejtues të njësisë vendore të arsimit dhe pushtetit vendor, të zgjedhin një mësues dhe ia kaloi këtë të drejtë demokratike, drejtorit të shkollës të komanduar prej saj dhe vetes. Dhe për këtë nuk ka debat. Me sa duket, nuk ka asnjë rëndësi për shoqërinë tonë nëpërkëmbja e mësuesit. Një mësues vlen më pak se një kryetar komune, më pak se një kryetar bashkie, shumë më pak se një deputet, akoma më pak sesa një ministre dhe nuk vlen asgjë para kryeministrit.
Si mundet vallë të thuash me krenari të plotë që do të ecë në rrugën e modernizimit të arsimit parauniversitar si Finlanda por strukturën e shkollës dhe tekstet do t’i bëjë të përbashkëta me Kosovën? Paska ardhur koha që babai të mburret se i ngjan djalit. A ishte PS që bërtiste e çirrej diku me të drejtë e diku pa të drejtë se mësuesit po përdoreshin për fushatë e në ndonjë rast edhe nxënësit? Po tani që në Durrës, Shkodër, Vlorë, që fushata bëhet në oborret e shkollës, faqe mësuesve, prindërve dhe nxënësve, përse nuk flet askush? Përse nuk merret asnjë masë, për askënd?
Iniciativa e shkollës komunitare, përfundoi në sloganin, “Shkolla është e jona, për ne dhe në shërbimin tonë, për sa kohë do të jemi në pushtet”. Shkollat që do të ndriçonin tërë natën, ndrijnë sa herë duket Dako, Nikolla, Veliaj e të tjerë që kanë nevojë për të, një ditë të vetme. Shkolla u dha pjesën më të mirë të jetës së tyre dhe ata gjetën rastin t’ia shpërblejnë sipas mënyrës së tyre.
Sikur të kenë të gjitha qenë kaq të drejta të gjitha masat në arsim, sa i thonë këshilltarë, zëvendësministrja, e ministrja e kudondodhur me veshje e krehje të ndryshme, atëherë përse i shmangen debatit? Shumë e qartë. Nga debati sa herë e provuam dolëm të humbur. Kështu, që të gjithë duhet të dinë një të vërtetë dhe vetëm një: Atë që thonë përfaqësuesit e MAS. Të tjerat, nuk kanë përse u duhen të tjerëve për asgjë.
Të pohosh, mohosh, ripohosh, e të thuash të pavërteta, të fillosh reforma e t’i lësh në mes, të mos kesh asnjë ide se ku jemi e ku do të shkojmë, shkon përtej frazës së Shvejkut “Ç’më duhet mua se ç’bëj unë”. Në fund do të desha që Djui, të mos përmendet fare, në mënyrë që të mos mbulojmë pisllëkun e tyre me emrin e tij të nderuar.