Njeriu plas kur s’ka ujë, por më shumë nga padrejtësia
Arben Shala
Nganjëherë te shtëpia jonë s’kemi ujë fare. Shpesh e shohim currilin e vetëm te hollohet deri në zhdukje. Pompa, si ndër grahma, krejt pak e rrit presionin. Temperaturat e larta ta sjellin me të vërtetë ngushtë. Uji është dhe bëhet jeta. Uji bëhet edhe shëndeti mendor.
Pastaj vjen koha kur edhe ne kemi ujë.
Pragjet e dyerve të shtëpive kullojnë pa pushim.
Lavazhi i sapohapur sikur ka një linjë direkte me pompat e ujësjellësit.
Punonjësit e karburantit aty pranë lagin rrugën deri në anën tjetër. Zorrë të gjata.
Komshiu e përmbyt oborrin, sa pastaj fillon të luajë me të vëllanë kush e hedh më lart.
Pasi freskon edhe avllinë deri ne maje, uji i komshiut tjetër shpesh na lag edhe ne, aq sa kur jemi me miq në oborr, bërtasim për t’i kujtuar se jemi këtu.
Ujë pa teklif rreth e rrotull, por lulet e oborrit tonë janë rreshkur.
Punonjësi i ujësjellësit vjen me këpucë të vogla të lexojë matësin e ujit. Komshinjtë i kalon menjëherë se e di se nuk paguajnë. Vetullat qaramane i ka të trashëguara, por sa duket në derë, një pikëllim edhe përtej natyrës së tij seç e kap! Më duket si disa persona të njohur në qytet që, ku të ketë mort, shkojnë të piqen. Na gjen të pjekur mirë në fakt, buzëplasur. Sa s’i shkon goja: Ngushëllime! Dhe fillon ritualin e fjalëve dritëpasëse, të shoqëruara me ofshama dhe heshtje që krijohen në raste të tilla, kur s’ke çfarë të thuash përveç kotes: A u mërzitët? Në këtë rast do të ishte: A plasët?
Fillon: Ehhh! Vetëm katër familje në gjithë këtë zonë kanë PRANUAR të vënë sahat uji! Ju jeni njëra prej tyre. Po pse, a është fakultative kjo, i them unë. Psss! Kështu pra, si këto punët tona! Po a është e drejtë kjo? – i them unë. Mos u mërzit, më thotë se po ta kaloj pak për muajin tjetër, se paskeni harxhuar shumë këtë herë. Shoh shifrën që regjistron në defter. Duket si lexim i energjisë elektrike të një muaji kur kemi kursyer. Bula djerse. Nuk është dashur të PRANONI vendosjen e matësit, më rrëfen me zë të ulët… Pastaj vjen një heshtje solidarizimi me dhimbjen time, por që më fort do të thotë: Çfarë i bëre vetes! Nga ana ime, nuk arrij të kuptoj se si mund të refuzohet diçka e tillë dhe aty ngec, në atë mëdyshjen e rizgjuar sa herë vjen vajtues-lexuesi për të zhbindur bindjen time për veprimin e drejtë. Po edhe ti, merr zemër e më thotë, sikur ke lindur në bahçen e Leninit (shprehje e epokës bolshevike, që do të thotë i drejtë, parimor si Lenini vetë, bir i tij). Të të përmendin Leninin (një), jo në tetor, por në fundkorriku (dy), kur je me të drejtën, por s’je në gjendje të nxjerrësh as edhe një pikë ujë, përveç se të djersish si kalë (tre), ky është kulmi!
Njëra nga vajzat fik pompën e shkretë, e cila brumbullon si shpirt i keq. Duke dalë te dera, burri i vogël sikur më thotë: Ujë pastë ishallah e e paçi matësin me jetë! Karshi qytetarisë sime të epërme (kam PRANUAR!), edhe ai ndihet si në siklet e në shërbim të mbramë ndaj qytetarit fisniko-fatkeq, më dorëzon një rrip letre, të cilin e ka përgatitur me kimet qysh në shtëpi apostafat për mua, ku më lë të shënuar shumën për likuidim.
Ndërkohë vjen uji, por të mijtë sa e hapin rubinetin në maksimum, menjëherë kujtohen. Kanë frikë nga unë. Jam bërë xhandari i shtëpisë. Moralizimet, thirrjet dhe kanosjet e mia u dalin dhe në ëndërr: Nga rubineti dalin lekë, nuk del ujë; Ke për ta paguar ti ujin kësaj here, e të tjera si këto.
Marr të kthehem brenda, pasi kam përcjellë ujëlexuesin tim erzli. Ndërkohë ka shpërthyer hareja në lagje. Portat hapen. Pragjet ujëvaren. Kanalet vërshojnë. Shoh ujin e palexuar përpjetë të komshiut që s’ka PRANUAR, dhe rripin prej letre të njomur në dorën time.
Fjalët e tim et më vijnë në vesh: Akoma i marrë ti!
Them: Njeriu plas kur s’ka ujë, por më shumë nga padrejtësia!
Pagesa e ujit është detyrim për të gjithë!
Uji duhet të kursehet nga të gjithë!
Matësin ose duhet ta PRANOJNË të gjithë, ose asnjëri!
/ Peshkupauje