“Ne” vs. “shpellarët”, apo “ne” vs. “Veliajt”?

Nga Kristi Pinderi
Fjalimi i Erion Veliajt në Këshillin Bashkiak nuk tregon vetëm se sa gënjeshtar dhe i paaftë për tu solidarizuar me njerëzit është kryetari i Bashkisë.
Ai fjalim ishte një akt strategjik për të vizatuar një vijë imagjinare dhe inekzistente që përpiqet ta ndajë popullin në dy pjesë. E ku, natyrisht, Veliaj vetë pretendon se bën pjesë në anën e drejtë, bashkë me shumicën e shqiptarëve.
Në njërën anë të kësaj vije imagjinare të Veliajt, “bëjnë pjesë njerëzit e drejtë, që paguajnë taksat, që duan rendin, që respektojnë uniformën, që nuk zaptojnë tokën e të tjerëve, që e duan civilizimin”.
Ndërsa në anën tjetër janë ata “shpellarët, speciet primitive, që nuk e duan zhvillimin, që kërkojnë të arrijnë qëllimet e tyre përmes dhunës”.
E vërteta, siç mund të kuptohet kollaj, është krej ndryshe.
Nëse ka një ndarje të qartë në Shqipëri ajo nuk është ndarja mes nje pjese të popullit edhe një pjese tjetër po të popullit, por është vija që ndan popullin si të tërë me një pakicë sundimtarësh si Veliaj, Rama dhe enturazhi i tyre.
Dhe këtu ngjyrat bëhen më të qarta.
Njëra anë e njerëzve është ajo që kërkon që vendi të zhvillohet, që ekonomia të përparojë, që shanset të jenë të barabarta për këdo, që të përfitojnë të gjithë, që shëndetësia të jetë një shërbim me cilësi që e përfitojmë pavarësisht sa mundësi kemi të paguajmë, që rrugët të jenë të mirëmbajtura, që ajri të jetë i shëndetshëm, që ushqimet të jenë të sigurta, që uji, toka, lumenjtë, detet e liqenet të jenë të pastra, që shkollat të jenë një mundësi për të zhvilluar të gjithë fëmijët, pavarësisht nëse i kanë prindërit me lekë, apo jo, pavarësisht nëse jetojnë në fshat, në mal, apo në qytet, në kodër a në fushë.
Në këtë anë të vijës ndarëse, siç mund të kuptohet, jetojnë shqiptarët sot.
Ndërsa në anën tjetër jetojnë ata që punojnë ditë e natë si të vjedhin përmes tenderave ku konkurrojnë kompani fantazmë që nuk u dihet pronari; si të shpërblejnë miqtë e tyre trafikantë që i ndihmojnë të vjedhin votat për të vjedhur shqiptarët; që bëjnë ligje të paligjshme për të vjedhur pasurinë e përbashkët e për ta ndarë mes tyre pasi kanë shkatërruar atë që kemi trashëguar; ata që përpiqen ditë edhe natë për të gjetur mënyra për të kanalizuar milionat e lekëve të shqiptarëve nëpër koncensione që jo detyrimisht përmirësojnë shëndetësinë, rrugët, transportin apo shërbimet në këtë vend, por që pasurojnë një, dy, tre apo katër klientë të tyre; që kurrë ndonjëherë nuk do e vrasin seriozisht mendjen si ti bëjnë shkollat dhe arsimin një mjet për të zhvilluar fëmijët e shqiptarëve, sepse e para, ata shqiptarët nuk i duan as kritikë, as të zhvilluar dhe as të përparuar por i duan të nënshtruar dhe e dyta, sepse fëmijët e tyre kurrë nuk studiojnë në këto shkolla e kurrë nuk janë pjesë e këtij sistemi arsimor të shkatërruar.
Edhe ujin, ajrin dhe mjedisin përreth përpiqen ta kenë të një cilësie krejt tjetër: jetojnë në kodra dielli, matanë qyteteve, mes lëndinave me gjelbërim, në lagje të praruara, me vila të shtrenjta.
Në njërën anë pra janë shqiptarët, e në anën tjetër janë ata që Shqipërinë e sundojnë.
Eshtë fare kollaj tani ta shikojmë se në cilën anë jemi ne, e në cilën anë është Erion Veliaj.