Marrëdhënia BE – Ballkan është një dështim i dyfishtë
BE nuk ka një strategji të vërtetë ndaj Ballkanit Perëndimor, thotë profesor Ulf Brunnbauer, zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve të Evropës Lindore dhe Juglindore.
I pyetur nga Deutsche Welle nëse Bashkimi Europian po bën mjaftueshëm për ta ndihmuar Ballkanin Perëndimor dhe për ta afruar atë me BE, ai thotë se ka një dështim në të dyja drejtimet.
“Në njërën anë, BE nuk ka bërë mjaftueshëm vitet e fundit për t’i afruar vendet e Ballkanit Perëndimor më pranë BE ose ajo që do të ishte idealja, t’i pranonin në BE. Në anën tjetër, qeveritë në shtetet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu kanë dështuar nga ana e tyre për t’i avancuar reformat me energjinë e nevojshme.”
Brunnbauer thotë gjithashtu se ka edhe një lloj lodhjeje, madje edhe zhgënjim midis politikanëve të BE, që duhet kaq shumë kohë për t’i zbatuar standardet evropiane. Është e nevojshme që BE të pranojë shpejt se sa e tmerrshme dhe e lartë do të jetë kostoja nëse vazhdon gjendja e tanishme e plogështisë. Nëse nuk do të kemi ndryshim, deziluzionimi popullor i përhapur në këto vende do të shtohet, duke çuar në destabilizim më të madh të brendshëm.
Përsa i përket çështjes së shumë përfolus të azilkërkuesve, ai thotë se azilkërkuesit nga Ballkani nuk paraqesin kërkesa të besueshme për azil. Gjithashtu edhe përcaktimi i shteteve të Ballkanit si vende të sigurta duket i drejtë.
“Ata nuk persekutohen si individë mbi bazën e bindjeve politike, racës, fesë etj. Në këtë kuadër, kur flasim për azil, që t’i deklarojmë këto shtete, shtete të sigurta të origjinës duket e arsyeshme. Në anën tjetër, ka shumë arsye se pse njerëzit duan të braktisin situatat dëshpëruese ekonomike, që mbizotërojnë për shumë njerëz në këto vende.
Problemi kryesor është se BE dhe shtetet e tij anëtare nuk kanë politika të përshtatshme ndaj migrantëve. Vendet e BE kanë nevojë për migrantë, por ka kaq pak opsione për migrim legal nga shtete të treta, sa migrantët ekonomikë nga shtete të Ballkanit Perëndimor aplikojnë për azil si e vetmja mënyrë për të fituar një të drejtë për qendrim në shtete si Gjermania”, shprehet professor Ulf Brunnbauer. /m.g
Burimi: Deutsche Welle