Landfilli i Sharrës, qyteti i heshtur i “vdekjes”, ku punojnë mbi 50 fëmijë romë
Franko, 11-vjeçari që e ka mësuar matematikën në botën e mbushur me plehra
Çmimet – Asnjë prej të miturve që punojnë në landfillin e Sharrës nuk shkon në shkollë, por dinë që: “1 kilogram hekur kushton 1 mijë e 500 lekë, 1 kilogram bakër 4 mijë lekë, 1 kilogram kanoçe 800 lekë, 1 kilogram plastikë 100 lekë, 1 kilogram bronz 2 mijë e 500 lekë, 1 copë qelqi 150 lekë”
Sonita – Qelqi dhe kartonët janë më pak të kërkuara, pasi shiten lirë. “S’ia vlen. 10 lekë copa e kartonit. E për ca? Duhen llove llove”
Franko – Me ne sillen keq fare. Ohuuuu sa herë na shtynë, na gjuajnë dhe na marrin mallin se s’duan të japin lekë
Nga Shpresa Mezini*
Në landfillin e Sharrës punojnë mbi 50 fëmijë romë. Me të zbardhur dita, të ngrënë e të pangrënë i sheh të zhytur me kokë në plehra. Të bërë pis deri në gju, ata janë të pangopur. Mbledhin e mbledhin mbeturina deri sa erret, me shpresën se sot kanë fituar më shumë se dje dhe se e nesërmja do të jetë më e mirë se sot. Kjo ishte fotografia më e dhembshme që u shkrep në mendjen time, këtë të mërkurë të lagësht shkurti. E vetmja që mbeti në morinë e pisllëkut, inerteve dhe të rriturve që mbledhin, seleksionojnë dhe shesin plehra në pikat e vogla të grumbullimit, të shtrira në periferitë e kryeqytetit dhe rrallë në fabrikat e riciklimit të mbetjeve.
Kjo hapësirë e mbushur me plehra, është gjithë bota e Frankos, 11 vjeç. Ato janë të vetmet lodra, por nuk i trajton si të tilla, ato janë gjithçka ai ka. Madje, prej tyre varet edhe ekzistenca e tij. Nëse bashkëmoshatarët e tij enden mes të papriturave të internetit, Franko eksploron një “qytet” të madh mbeturinash për të ndihmuar familjen e tij. Ka ardhur për herë të parë këtu disa vite më parë, kur ishte katër vjeç, dhe ashtu si në një lojë, ai mundohet të fitojë më të mirën, mes shokësh që ka zënë në këto hapësira të pashpresa. Miqtë e tij quhen Romario, Sonita, Amarildo dhe Klara. Këta janë vetëm disa prej fëmijëve që punojnë në landfillin e Sharrës, më të njohurit, për punën e palodhur që kryejnë çdo ditë, për orë të tëra, pa mbarim. Ata punojnë fort, si të rritur, me përgjegjësi të madhe, në ndihmë të familjeve, por nuk paguhen as për mbledhjen dhe as për seleksionimin e mbetjeve, që më pas i shesin në pikat e riciklimit. “4 vjeç kam punu këtu. Jam 11 vjeç. Punoj nga ora 8, 9 deri në 8 të darkës, kur errësohet. Punoj me mamin. S’marr asnjë lekë, marrim lekë vetëm për një njeri”, tregon Franko, sipas të cilit, pavarësisht se punon i ndarë me të ëmën, pasi mbledhin mbeturina në dy thasë të ndryshëm, paguhen për një, 500-700 lekë të reja në ditë, vetëm për grumbullimin e inerteve. Pagesa për ata që merren me seleksionimin e plehrave është e ndryshme, edhe më e madhe nëse një person i vetëm i kryen vetë të dyja proceset, mbledhjen dhe ndarjen e tyre sipas llojit, për të mbërritur më pas te shitja e mallit.
Çdo ditë e Frankos nis njësoj, me kokë në plehra. Me të mbërritur në punë, djaloshi nuk përshëndet askënd, as miqtë e tij të ngushtë. Zhytet me kokë në qeset e mbeturinave, që hedhin për çdo ditë, kamionët e Bashkisë së Tiranës, në landfillin e Sharrës dhe del prej aty vetëm pasi t’i mbushet mendja se ka punuar mjaftueshëm për një ditë. Duart e vogla të Frankos të zmadhuara nga zori prej punës së rëndë, punojnë aq vrullshëm, si të ishte duke u zënë me to. Çdo lëvizje e duarve duket sikur shpreh dëshpërim, revoltë për këtë botë, të cilën ai nuk e kish zgjedhur me dëshirë. 11-vjeçari është vetëm një prej fëmijëve, që punojnë në këtë landfill, vetëm një prej vogëlushëve që kanë humbur buzëqeshjen, por jo shpresën! Ata janë njohur herët me “biznesin”, dinë të bëjnë pazare, dinë të shesin kanoçe, plastikë, metale, qelq, në kilogramë dhe copë, edhe pse nuk kanë asnjë klasë shkollë. Asnjë prej të miturve që punojnë në landfillin e Sharrës nuk shkon në shkollë, por dinë që: “1 kilogram hekur kushton 1 mijë e 500 lekë, 1 kilogram bakër 4 mijë lekë, 1 kilogram kanoçe 800 lekë, 1 kilogram plastikë 100 lekë, 1 kilogram bronz 2 mijë e 500 lekë, 1 copë qelqi 150 lekë”.
Franko, Romario, Sonita, Amarildo, Klara, Birseni dhe shumë të tjerë, nuk e kanë parë asnjëherë tekstin e matematikës, por dinë të mbledhin e të zbresin shumë mirë.
Në njërën anë të landfillit të Sharrës shtrohen si tapet mbeturinat e hedhura nga kamionët e Bashkisë së Tiranës, në kazanët e plehrave në kryeqytet, në anën tjetër të saj ka rregull. Aty plehrat i sheh të seleksionuara, vende-vende me tufa. Një grup romësh, mes të cilëve fëmijë të moshave 4-17 vjeç, të rinj e të reja, burra, gra, të moshuar punojnë për mbledhjen e plehrave. Në thasë të mëdhenj ata fusin mbeturinat, që ecin më shumë, siç shprehen ata vetë, për shkak se shiten më shumë dhe me çmime më të larta. Ndërsa një tjetër grup romësh, ku nuk mungojnë kurrsesi fëmijët, bëjnë seleksionimin e mbetjeve që u dërgojnë ata të grupit të parë. Fill pas seleksionimit, ku më të preferuarat janë metalet, kanoçet dhe plastika, ndërsa qelqi dhe kartonët më pak të kërkuara, pasi shiten lirë. “S’ia vlen. 10 lekë copa e kartonit. E për ca? Duhen llove llove”, ia pret Sonita, 15 vjeç, një zeshkane bukuroshe, me sy jeshil, një zonjë e vërtetë shtëpie. “Jam martu 13 vjeç. Jetoj me burrin. Burri punon ku të gjejë mi motra, ku të gjejë, ca pune ka për ne mi? Duhet me hëngër bukë”, tregon 15-vjeçarja, e cila punon në këtë biznes shfrytëzues deri në palcë me bashkëshortin, 16 vjeç, babanë, nënën dhe motrën, Klarën, 4 vjeç. Sonita merr pjesë vetëm në mbledhjen e plehrave, sepse mes romëve të Sharrës klasifikohet si punë më e lehtë për femrat. Franko jo vetëm që mbledh mbeturina, por edhe i seleksionon ato, veç qelqet, veç plastiket, veç kanoçet, veç metalet dhe shkon i shet me motoçikletën e babait, Erzenit, te pikat e grumbullit që ia blejnë mallin me këto çmime se ndodh që fëmijëve ua blejnë lirë fare. Por jo, këtij 11-vjeçari është vështirë t’ia hedhësh. Ai ka shtatë vite përvojë pune në kurriz dhe ia di mirë hilet e punës. Është profesionist. “Me ne sillen keq fare. Kaq du me ti ble thotë, po deshe. Po unë i di çmimet, s’ia shes edhe unë. Ne rrimë gjithë ditën në Sharrë, pse ti shes pak? Ohuuuu sa herë na shtynë, na gjuajnë dhe na marrin mallin se s’duan të japin lekë”, tregon Franko, ky djalë i zgjuar, me kaq shumë karakter. Ai ia di mirë vështirësitë punës dhe kërkon me forcë që t’i vlerësohet nga të gjithë. “S’shkoj në shpi pa 7 mijë lekë, 10 mijë lekë. Ndodh një herë në vit. Unë ndihmoj prindërit”, shprehet djaloshi me një zë bindës.
Shfrytëzimi i fëmijëve në mes të ditës, në landfillin e Sharrës, është pamja më e zakonshme për komunitetin rom, sepse të paktën në këtë hapësirë rrallë gjen në pirgje mbeturinash qytetarë nga mazhoranca. Por, prindërit e kanë zemrën e thyer, kur shohin vogëlushët në mes të plehrave, ku vazhdimisht sëmuren rëndë, helmohen për “vdekje”. Kjo është e vetmja alternativë. Ata nuk e kanë fuqinë të ndryshojnë as të tashmen as të ardhmen e tyre. Prindërit, gjyshërit gëzohen vetëm që i kanë gjallë. “Tri herë e ka përplas makina e plehrave çunin. Frankon mi, të dytin. Në mes të natës. Këtu s’ka drita. Çuni ka qenë t’u mbledh plena dhe është përplas. Tri herë i është thy krahu. Kalamajtë e tjerë sëmuren, ftofen, helmohen. Ça nuk hajnë e ça nuk pinë te plenat, të skadume, ku di unë, plena mo”, tregon Erzeni, në Sharrë e njohin me emrin Lori, babai i Frankos. Lori, siç i pëlqen ta thërrasësh është 39 vjeç dhe jeton në Sharrë, në një barakë të kërrusur prej 20 vjetësh, që kur ka lënë përgjithmonë Elbasanin, qytetin e tij të lindjes. “Këtu fëmijët e mi, motra ime punojnë që 4, 5, 6 vjeç. Ça të bëjmë? I lejm në kasolle, i gjejmë në plena. Ca i nxjerrin vetë kalamajtë. Ku di unë ça të them. Helmohen kalamajtë se hajnë në plena. Qumështin e kanë provu në plena, ku kemi qumësht ne? S’na i prano spitali. Ik dil jashtë na bërtasin sa na shofin”. “Kanë 15 vjet shkollë dhe sillen si kafshë. Ça ngjyre e ke gjakun ti motra? Njerëz të zotit jemi të gjithë”, ndërhyn një tjetër zotëri. Ai quhet Nertil Diamanti, është 30 vjeç, baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali.
“Kalamajtë rrinë në shpi me nusen. Vetëm unë punoj. Dal gjithandej, mbledh buzë lumit, dal që në shtatë e gjysmë të mëngjesit deri në darkë. Punoj me rrit ata fëmijë. Kaq, për më tepër ne s’na do njeri”.
Nertili ikën se do të zgjohet sërish nesër herët, kur vesa e parë e mëngjesit të ketë rënë mbi pirgun e madh të plehrave në Sharrë, dhe një nga një pas tij do t’i bashkohen të tjerë, fëmijë … që kërkojnë të ardhmen në një qytet që i çon ngadalë drejt vdekjes …
/GazetaShqip