KUSH E VRAU QYTETARIN?
Klipi i postuar nga Erion Veliaj dhe së fundmi edhe nga Edi Rama për ndërtimin e një parku të betonizuar lodrash brenda parkut të liqenit, është një reklamë e arrirë nga një ekip i tërë dhe një linjë e qartë estetike që qeveria e Rilindjes sahera nuk nguron t’ua paraqesë audiencave të gjera.
Sado ngazëlluese që mund të jetë kolona zanore e këtij klipi, po aq dëshpëruese është çfarë shkruhet në përshkrimin e Ramës në krye të videos:
“Ja shiheni vetë për çfarë “protestojnë” te Parku i Liqenit!… Sado e pabesueshme të duket është fatkeqësisht e vërtetë që nën udhëheqjen e Partisë Demokratike, “protestuesit” duan të pengojnë forcërisht pikërisht këtë që shihni!…”
Ajo që mund të dallohet pa shumë mundim në këto rreshta është përdorimi i thonjëzave atje ku autori u referohet protestuesve dhe protestës në përgjithësi, si dhe identifikimi i tyre me Partinë Demokratike. Fillimisht, është shqetësuese që kryeministri i një vendi kinse demokratik të vërë në dyshim autenticitetin e një proteste, pavarësisht përmasave të saj. Thonjëzat këtu vendosen për ta poshtëruar nismën dhe gjithashtu në funksion të zhvlerësimit të kauzës dhe rëndësisë që ajo ka për protestuesit.
Më tej, edhe më keq akoma, është për të ardhur keq që kjo qeveri por dhe ato paraardhëset në Shqipëri e kanë të pamundur të konceptojnë se protesta mund të ketë përmasa qytetare apo popullore; dhe se të tilla manifestime proteste u dashkan parë patjetër si të inskenuara nga opozita apo kundërshtaret politikë të regjimit dhe çdo strukturë rezistence u dashka interpretuar si sendërtim i këtyre të fundit. Përpjekje të tilla duan të përbaltin vullnetin e lirë të qytetarit, duke e identifikuar atë si militant. S’do mend që qytetarin e kanë vrarë, meqë dhe qytetarët e angazhuar me partitë politike, në dalshin në shesh siç dolën në protestat e fundit të opozitës, do të etiketohen si fshatarë, kokëpalarë dhe militantë. Është e qartë se deri tani, të gjitha protestat na paskëshin qenë partiake dhe asnjëra qytetare: qytetari vdiq, që me protestat e 21 janarit- të cilat s’ishin partiake.
Koncepti i qytetarit dhe qytetarisë, në pamje të parë ravijëzohet nga dy dimensione: kulturore dhe gjeografike. Nga njëra anë, qytetari shihet si individ që i përket një kulture të emancipuar dhe emancipuese; nga ana tjetër shihet si i vendosur në një hapësirë urbane.
Problemi vjen e ndërlikohet kur konceptin e qytetarisë ua mveshim protestave, me produkt hibrid togfjalëshin: “protesta qytetare”. Ky togfjalësh duket se rrënjët i ka në atë që e kanë quajtur mosbindje civile (civil disobedience), një formë rezistence apo proteste që nënkupton në shumicën e rasteve revoltën paqësore, me shembull cliché Gandhi-n dhe lëvizjen për pavarësi në Indi. Ndërsa termi protestë qytetare haset jo rrallë në ligjërimin mediatik në Shqipëri.
*Nga Visar Konti
Peizazhe të Fjalës ; http://peizazhe.com/2016/02/22/kush-e-vrau-qytetarin/
/l.k./