Kush e solli depresionin?!…
Nga Bledian Koka
Dy javë më parë humba një shok fëmijërie, i cili zgjodhi “krismën e thatë” të fostoksinës për të braktisur këtë botë. Shkaku ishte depresioni. Një moshatar i imi 32 vjeçar, i diplomuar në Fakultetin Ekonomik, kishte më se dy vjet që e kishte të pamundur të gjente një vend pune. Unë humba një mik të mirë e të urtë, familja një djalë të shkëlqyer, i fundmi i katër djemve të asaj familjeje, ndërsa Shqipëria humbi një investim 16vjeçar në arsim, i cili do t’i bënte nder çdo segmenti administrate publike apo private ku atij mundësisht do t’i krijohej hapësira për të dhënë kontributin.
Disa herë gjatë këtyre dy viteve personalisht tentova, përmes “njohjeve” të mia si gazetar, që ta sistemoja diku në administratë apo qoftë edhe në privat, dhe rezultati qe dështim kapital.
I imi se humba një mik fëmijërie dhe fakulteti, por edhe i shtetit të pushtetit që nuk arriti as të prodhonte sadopak optimizëm për Enkelanin se edhe pas 10 tetorit (ditë kur bashkëmoshatari im mik i dha fund jetës), ditët e tjera ndoshta do të ishin më mirë.
U nisa nga kjo dramë që kam përjetuar personalisht për të kuptuar se çfarë dreqin po ndodh në këtë vend. Rasti i mikut tim, Enkelanit, është më ekstremi që unë vetë kam përjetuar këto 2 javët e fundit, por, me gjithë pikëllimin, pyetja ekzistenciale PSE më është akoma edhe më shumë ndër mendime. Shqipëria sot nuk arrin të prodhojë shpresë! Jo se prodhonte më shumë para 2013 ës, por sot gajreti është zëvendësuar me dëshpërim, e rrjedhimisht me depresion.
Nuk ka ditë që ne të mos dëgjojmë për njerëz që mezi ç’presin të ikin një orë e më parë. Në 2010-ën, opozita e atëhershme alias qeverisja e sotme lobonte, po po, lobonte korridoreve të Brukselit me asqerët e saj që kishin fjetur konvikteve me kryeministra rumunë që sot janë në burg për korrupsion, se nëse vizat liberalizoheshin, 1 milion shqiptarë do të dyndeshin në Europë.
Dhe po, kishin të drejtë!… Vetëm se me një gabim të vogël kohor. Eksodi i 1 milionëve nuk ndodhi as në 2010ën, as një vit më pas, por 5 vjet më pas, kur në qeveri erdhi opozita e djeshme, dhe ky mund të konsiderohet një “parashikim i saktë” i socialistëveprogresistë.
Shqipëria, për nga shifrat, është në rrugën e eksodit biblik të kombit tonë në vitin 1990’91, edhe pse, siç thotë Blushi, vendi ynë nuk është në ndonjë luftë, ndryshe nga Siria. Eksodi, mund të kuptohet qartë, është zgjidhja e fundit e një kombi të pashpresë, në mos në depresion.
Pyetja është: si arritëm në këtë pikë?
Përgjigjja është mu aty, në sytë tanë, në analizën tonë të përditshme, në kafenë tonë të përditshme, kur vetë ne themi çdo ditë se, “që këtu duhet të ikësh një orë e më parë”.
E themi këtë sa herë dëgjojmë për një koncesion miliona eurosh në shëndetësi për kompani që nuk kanë lidhje me sektorin, e themi këtë sa herë dëgjojmë që qeveria do blejë për veten “Jaguarë” të 2015-ës se nuk i pëlqejnë “Mercedezat” 500-ësh të 2013-ës.
E themi këtë çdo ditë, kur paguajmë më shumë për të njëjtën shportë ushqimesh ndërsa marrim të njëjtat paga që kishim 2 vjet më parë, kush ka ende shansin ta marrë.
E themi sa herë u jepen pa teklif partnerëve të qeverisë tendera për ndërtimin e selisë 5 milionë euroshe të OSHEE-së, ndërsa trishtohemi gjithnjë e më shumë buzës për tarifat gjithnjë e në rritje të faturës së energjisë, që mungon po njësoj.
E themi edhe kur mësojmë se ishkompania e aksh ministri merr tendera marramendës dhe ai, ministri del e lanë duart si Pilati në “transparenca.al”. E themi edhe kur mësojmë se djali i aksh deputeteje merr me koncesion segmente hekurudhore, pasuri e këtij kombi, dhe i liston ato në defterin e pasurive personale për 20 vitet e ardhshme.
Të gjitha këto që shohim, sikur edhe në raport të drejtë me ligjshmërinë, janë në të njëjtën kohë në raport të zhdrejtë me moralin, me pritshmëritë që pasuria publike do të shpërndahet sa më shumë për të gjithë, dhe jo ekskluzivisht vetëm për njerëzit e oborrit, i cili çdo ditë e më shumë ngjan si sekt.
Fakti që klientët e qeverisë së djeshme janë sot bashkëpronarë me qeverinë e sotme është real, dhe këtë e tregojnë edhe lejet e ndërtimit në dy hapësira të gjelbra, një në Tiranë e tjetra në Durrës, dhe pikërisht nën hyqmin e një qeverie që për popullin e saj ka vënë moratoriumin e ndërtimeve.
Provojeni të rregulloni çatinë e shtëpisë suaj dhe flasim! Shumë pak nga ne mund të mos bien dakord, se e gjitha kjo panoramë, e cila tashmë ka marrë totalisht formën konkrete të absurdit, e ka shndërruar shpresën se diçka do të ndryshonte, në shterpësi pritshmërish për shumicën, e pak nga pak edhe në depresion social për të gjithë.
Ata që premtuan Rilindjen, sot, është fakt që kanë sjellë Depresionin. Unë e them këtë dhe, kushdo që më kundërshton, jam gati ta dërgoj në atë vend…, sepse sot unë që po shkruaj kam një shok-vëlla, mik-bashkëmoshatar më pak!…
In memoriam…
/l.k./