Kurrë mos bëj “kryengritjen” e tjetrit !
Profesor Artan Fuga ka publikuar në profilin e tij një letër ku i përgjigjet një miku që shqetësohet se bankat po propozojnë për studentët kredi studentore. Ai përshkruan betejën e profesoratit kundër reformës në arsimin e lartë dhe atë që ai e quan “tradhëti”.
Letër përgjigjeje një miku që shqetësohet që bankat po propozojnë për studentët kredi studentore.
I dashur miku im R,
me fal per cinizmin në dukje, por që nuk është aspak i tillë. Kam pershtypjen egoiste se mire ua bejne.
Studentet flenë të tulatur.
Dy vjet rresht u munduam t’u themi se çfare do t’u ndodhte.
Perdorem te gjitha format e aktivitetit publik madje edhe të debatit politik e sqarimit publik, u grindëm edhe me ish miq e ish kolegë që bënë rolin e shërbëtorit të lekut e padronit, opozita na shiti në mënyrën më të pandershme në planin etik të politikës, familjet e studentëve duan t’u japin këtyre të fundit thjesht për “pajë” një copë letër me nota por pa vlerë dhe me këtë kujtojnë se prindërit do të vdesin pa vuajtje në pleqëri në duart borxhlije të fëmijëve të tyre,
U shamë në tribuna e foltore e floktore politikanësh e politikanesh, na kërcënuan morrat e horrat nëpër kafene e “gazeta muri” – dacibao pesëlekshe, na vërsulën mbi kurriz gjithëfarëlloj qensh, macesh, e bretkocash, e c’faj kanë tani bankat që duke përfunduar nga kosi që u bë nga deti, të bëjë gati lugën për të ngrënë.
Bankat nuk bëjnë as moral dhe as politikë, qëllimi i tyre është të bëjnë parà.
Le t’i rrjepin, le të paguajnë, xhepat t’ua cpojnë, derisa të shkojë për ta aq larg e aq thellë sa të ndjejnë pickimin a dhimbjen e të dalin nga gjumi.
Në këtë botë është budallik të bësh “kryengritjen” e tjetrit sepse i bën dëm atij dhe vetes.
Seicili duhet të bëjë betejën e tij.
Nuk e kishin kot mendimtarët europianë të viteve 80 që qendronin vetëm në fushën e mendimit dhe thërrisnin me dhimbje :
“Kurrë mos u vini në krye të masave!
Sepse po fituat do të cmendeni nga pushteti, kurse poqese se masat nuk kanë guxim dhe energji, ato do t’u tradhëtojnë.”
Po mik, ne u tradhtuam, nga të gjithë, edhe nga opozita, edhe nga miqtë tanë deputetë që ndryshe flasin me ne e ndryshe kur dalin në foltore dhe votojnë. Ndryshe kur bisedojnë nëpër kulisa me fabrikuesit e diplomave dhe prerësit e lekëve.
Ne deshëm t’i dalim përpara historisë, por ka momente kur njeriu duhet ta presë historinë. Ne po e presim atë tani pasi u munduam si donkishotë ta tërhiqnim zvarrë të vetëm kur të tjerët flinin ose flirtonin.
Cfarë të bëjmë nëse duan të blejnë ajër në vend të dijeve, të marrin copa letrash për pajë, e prindërit të bëjnë borxhlinj fëmijët duke u thënë : U dhamë shkollën o bukëshkalë, ikni na bleni ilaçet e tensionit tani !
Shkolla rënkon nga materniteti deri në doktoraturë, por ne humbëm betejën e 800 ditëve lodhjeje nga mëngjesi e deri në darkë.
Vumë gjithçka në shërbim të një kauze, duke i besuar demokracisë në një vend jodemokratik si Shqipëria.
Fitoi e keqja, ta gëzojë fitoren!
Le të bërtasi : “Fitoreeeeeee!”, le ta festojë fitoren me orgji e dreka e koktejle.
E ka radhën!
Per herë të parë nga Kuvendi u sha dhe u shpif kundër profesoratit,
për herë të parë profesorët ju drejtuan me thirrje politikës në historinë e Shqipërisë, as ua vuri veshin njeri,
për herë të parë lubia private ndërseu profesoratin e paguar prej saj, pa asnjë të drejtë sociale e juridike në punë,
arsimi publik po tradhëtohet, sabotohet, pengohet në cdo hap.
E pse të të mos tradhëtohet? Ai nuk jep lekë, ai i merr lekë për shtresat e mesme dhe me të ardhura të pakta, ai fut në treg studentët me të ardhura modeste, e përse të duan që këta t’u bëjnë konkurrencë fëmijëve të parellinjve dhe të fortëve?
Arsimi publik nuk ndan aksione, nuk financon dot media, nuk financon dot fushata elektorale, nuk jep cmime e diploma nderi me parà, e cfarë ta duan!!!
Të arsimojnë të varfërit!!!
E mendon çfarë belaje është!!!
Na sjellin vërdallë nëpër gjoja reforma, kur ja po ta them, brenda dy vjetësh ne jemi në gjendje që t’i japim rinisë shqiptare buzëqeshjen dhe ta vemë shkollën në rrugën që duhet, asaj rinie që sot na dhemb shpirti ta shohim me sytë e tromaksur, me faqet e zbehta, që ha keq, vishet varfërisht, mbijeton me ushqim minimal, që nuk ka ku tëkulturohet e arsimohet, që e tallin, e përbuzin, e përcmojnë, e lënë pa punë, e që në sy i lexohet dhimbja dhe dëshprimi.
Kjo më trondit. Jam i tronditur, por nuk kam se çfarë bëj më.
Jo më kot përballë kamerave iu drejtova zotit President të Republikës me shprehjen :
Rinia është e uritur zot President!
Mos kujto se e kam thënë nga pasioni a për ta zmadhuar gjendjen. Po,unë e vërtetoj përpara cdo gjykate se rinia është e uritur zoti President!
Lumë gënjeshtrash u derdh mbi publikun, lumë injorance dhe padije na bëri të vemë duart në kokë nga halli që ka zënë këtë komb.
Pushteti publik është kapur për fyti nga lubia private!
Ne humbën betejën, por jo luftën miku im.
Mua nuk më shqetëson personalisht.
Intelektuali është mazokist i pashërueshëm miku im R. Unë ndihem shumë mirë i mundur, në hall dhe në dhimbje ndjehem komod, sepse morali aty lulëzon. Unë hall kam kur jam në fitore sepse i di kurthet e saj.
Kjo është natyra e paepur kokëshkëmbe e intelektualit, bëje të vuajë dhe ai merr kënaqësi, shaje, fyeje, dhe ai qesh e ndihet mirë, sepse ka modele e shembuj, ai nuk jeton me të sotmen, por me historinë dhe atë që do të vijë më pas.
Tani është koha që këtë humbje kombi, shoqëria, familja, studentët ta shijojnë deri në asht dhe ta ndjejnë deri në stomak.
Ta shohim pastaj.
Fitimtarët kujtojnë se fituan, por harrojnë se ishim ne që fituam sepse i madh e i vogël në Shqipëri mësuan si kundërshtohet në ditët e sotme, si bëhet opozitë kur opozita nuk dëshiron ose nuk është ende në gjendje të ndërtojë alternativa, si të ngrihesh mbi interesat e tua të vogla për ceshtjen e përgjithshme, sesi bëhet qytetari. Ky mësim u përhap gjithandej.
Dardha e ka bishtin mbrapa! Kur historia do të shfaqi pasojat antinjerëzore që do të vijnë, ku do të futen nga turpi!
Ka parë shumë ky vend që kanë ardhur e kanë ikur të harruar nga kolltuqe, stola, karrige, divane, mindere…
Ne u thamë shëndet edhe kur na thanë plaç, por asnjëherë nuk na dolën përballë, por skutave ose në distancë ndonëse i ftuam ballazi në debate publike.
U thye ligji i heshtjes që është më i tmerrshëm se ai i ligjit të Lanës…
Seicili duhet të kuptojë tani se betejën për veten e tij duhet ta bëjë ai vetë. Më mirë kështu.
Populli nuk duhet marrë në sqetull, siç jemi mësuar ta kuptojmë historinë kur Skenderbeun e tregojnë se mori nën sqetull krujarët, Ismail Beu morri në sqetull vlonjatët, Isai kosovarët etj. E kemi kthyer historinë mbrapsht.
Jo, kjo e hipnotizion dhe e anestizon veprimin qytetar.
Unë tani merrem me gëzim në punët e mia, shijoj humbjen, dhe nëse askush nuk e ndjen se humbja jonë i merr atij jetën, shpresën, lekun, dijen, deriatëhere do t’i them vetes :
“Bindja jote, që s’e tradhëtoj kurrë, duket vlen vetëm për ty, e mos dil nga suaza jote personale.
Bej librat dhe studimet tua që sakrifikove nga jeta jote dy vjet radhazi bashkë me miqtë e mirë që ndave halle e shqetësime.”
Njeriu pasi bën gjithçka e mundet, ndjen se duhet pritur, e deri atëhere : le të gëzojnë kukuvajkat, le të shpupurisen pëllumbat e zoçkat rrjepacake, le të rjedhi lumi i Lanës, plot gjirize, le të bien gjyma propagande nga qielli, le të ngijen fajdexhinjtë, le të lulëzojnë mashtruesit e dijes, le të buçasin mediat e doktor Zhivagos, me një fjalë le të vijë apokalipsi.
Unë po e pres…si “besimtar” i përvuajtur…
Apokalipsi kurrë të mos vijë, por po pati për të ardhur le të vijë sa më shpejt.
Kurrë më betejat e të tjerëve sepse u bën dëm!
Deriatëhere, mos të të vijë keq,
unë vetëm do të tallem dhe do të qesh.
Miqësisht,
Artan FUGA
/l.k./