Kur një vezë pule ngërdhesh Edi Ramën…
Nga Kristi Pinderi
Unë nuk kam parë deri më sot asnjë kryeministër të ndonjë vendi normal, që, pasi të qëllohet me vezë jo nga kundërshtarë partiakë, por nga studentë pa asnjë lidhje me partitë, të dalë para kamerave e në vend që të shpjegohet, të ikë duke u ngërdheshur në tentativë për t’u dukur i qeshur.
Unë nuk kam parë deri më sot asnjë politikan të ndonjë vendi normal që të shkojë në një universitet e të mos pranojë të debatojë me thelbin e universitetit e të lirisë së mendimit kritik, që janë studentët e ajo që ata përfaqësojnë.
Nuk kam parë akoma ndonjë politikan që pretendon të jetë i majtë e të detyrojë me arrogancën e kartonave që arsimi publik të shndërrohet në një mall që shitet nga korporatat e blihet nga fakirët, sipas rregullave që vendosin koorporatat dhe jo sipas të drejtës për shanse të barabarta që sanksionon Kushtetuta .
Që me dhunën e mazhorancës, të largojë nga e drejta për arsim shumicën e të rinjve që nuk kanë mundësi as të paguajnë për një shërbim publik, apo që nuk kanë asnjë siguri të zhyten në errësirën e kredive universitare. Të po atyre kredive që fjala vjen, demokratët në zgjedhjet presidenciale të SHBA po e debatojnë sot si një e keqe që duhet zbutur.
Deri më sot, nuk kam parë asnjë qeveri progresiste që refuzon të bëjë pjesë të progresit që synon, më të rinjtë e vendit, në një vend ku mbi 80 përqind e të rinjve nuk e shikojnë të ardhmen e tyre këtu.
Nuk kam parë në asnjë vend normal që Policia të përdorë para kamerave 10-fishin e forcës fizike përballë 5 vajzave 20 vjeccare që nuk kanë me vete as thika, as pistoleta, as shkopinj gome, as sende të forta.
Ka një arsye shumë hipokrite, sipas mendimit tim, pse Edi Rama, fill pas vezës që gjuajti makinën e blinduar, nuk shkoi në zyrën e vet në qeveri, por shkoi në selinë e partisë. Si për të kërkuar aty në mesin e militantëve të vet mbështetje ndaj aktit të parë publik të pakënaqësisë ndaj mënyrës jo-perëndimore si po qeveris.
Sa paradoksale është e gjithë situata: ky i forti, as i majtë e as i djathtë, as mish e as peshk, që nuk le deputete e deputetë pa u treguar arrogancën e pushtetit kur është majë foltores së parlamentit të shkojë e të fshihet pas militantëve të partisë në momentin më të parë që dikush e gjuan me vezë.
Sa turp për të majtën, e sa turp për ata që kanë besuar se të paktën ky, nuk do sillej sic sillej Berisha në kohë të vet.