Kur ka gabuar Veliaj, në 2009 apo në 2017?
Këshilli Bashkiak miratoi javën e kaluar kërkesën e Ujësjellësit për rritjen e çmimit të ujit në kryeqytet. Ndërkohë që qindra qytetarë protestonin jashtë dyerve të Bashkisë, 31 këshilltarët e pranishëm në mbledhje, vendosën që uji në Tiranë të kushtojë 44% më shtrenjtë, nga 45 lek/m3 në 65 lek/m3.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e justifikoi rritjen e çmimit duke argumentuar se është e vetmja mënyrë për të rritur investimet dhe për të realizuar premtimin e tij “Tirana me ujë 24 orë”. Zërat kundër rritjes së çmimit argumentojnë se ky hap nuk duhej ndërmarrë pa përmirësuar bilancin e humbjeve në rrjetin që në çdo 100 Litra, humbet 76.
Nëse kthehemi pas në kohë shohim se Veliaj po sulmohet me argumentet që dikur i ka përdorur vetë dhe po mbrohet me argumentet që përdornin dikur kundërshtarët e tij. Për këtë mjafton të shohim një deklaratë të Lëvizjes Mjaft të vitit 2009, për një çështje të ngjashme siç është çmimi i energjisë.
Argumenti i parë: Mungesa e diskutimit publik
Disa vite më parë Lëvizja “Mjaft!” e drejtuar nga Erion Veliaj, deklaronte: “Enti Rregullator i Energjisë po merr në shqyrtim kërkesën për rritje çmimi, ndërkohë që nuk ka një diskutim të mirëfilltë publik mbi këtë çështje kaq të ndjeshme”.
Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë Bashkia e Tiranës, e drejtuar po nga zoti Veliaj, vendosi t’i hapë rrugë rritjes së çmimit të ujit pa u konsultuar në asnjë rast me qytetarët e Tiranës, një pjesë e të cilëve protestonin përpara Bashkisë në kohën kur u ngritën kartonët.
Deri tani qytetarëve u janë përsëritur vetëm fjalët “rrjet i amortizuar” dhe “24 orë ujë”, por ende nuk është bërë publik asnjë projekt konkret se si do të shpenzohen të ardhurat shtesë nga rritja e çmimit dhe asnjë studim për gjendjen e rrjetit të shpërndarjes. Pra zyrtarisht Bashkia i kërkon qytetarëve të paguajnë më shumë për të njëjtin shërbim, pa asnjë informacion se ç’do të bëhet me paratë shtesë.
Argumenti 2: Përpara se të rritet çmimi duhet të bëhet bilanc i humbjeve
“Mjaft!” në vitin 2009: “OSSH para kërkesës për rritje të energjisë duhet të bëje një bilanc të qartë të humbjeve në rrjet dhe të ndëshkojë fillimisht konsumatorët që nuk paguajnë energjinë… Mjaft thekson se çdo rritje e propozuar e çmimit është e palogjikshme, për sa kohë ka një rritje të humbjeve të pajustifikuara të energjisë në 36%, krahasuar me 32% në 2008-ën”.
Po sot, a mund të flasim për bilanc humbjesh dhe menaxhim për një rrjet që edhe pse ka 76% humbje në rrjet shpenzon para për reklama online në kushte monopoli kur konkurrencën e ka veçse me veten?
Në këtë situatë nuk mbetet gjë tjetër veçse t’i shtrojmë një pyetje Z. Veliaj:
Keni gabuar në 2009 apo po gaboni tani në 2017?
/l.k./