Krimi i emigrimit
Nga Elton Abilekaj*
Viti 2015 e ka rikthyer Shqipërinë në pjesën e parë të viteve ’90. Vendi është kthyer në kohë 20 vjet. Eksodi masiv kërcënon mbijetesën e vendit dhe për herë të parë në shekullin e 21të ecurinë progresive të kombit shqiptar. Mijëra shqiptarë çdo muaj, largohen, shesin shtëpitë, marrin borxhe, nisen drejt së panjohurës, boshatisin qytetet dhe fshatrat, mbyllin shkollat, vetmojnë të afërmit, konfirmojnë dëshpërimin e rëndë, deligjitojnë qeverisjen.
Përballë kësaj tragjedie të rëndë, kryeministri dhe ministri i rendit, në vend të reflektimit, në vend të ndjesës kanë zgjedhur dezinformominin dhe demagogjinë. Të enjten në mbrëmje kryeministri riktheu alibinë e Greqisë. Të njëjtën strofë bajate për të huajt dhe revoltuese për shqiptarët përsëriti Saimir Tahiri në konferencën për shtyp me homologun gjerman. Një pikturë e shfytyruar që kërkon të manipulojë realitetin, por dështon të shitet në perëndim dhe shton zymtësinë në Shqipëri. Megjithatë ekspozohet.
Konferenca për shtyp e dy ministrave konfirmoi atë që tashme dihet, të dyja qeveritë kanë të njëjtët kundërshtarë, shqiptarët e varfër, shqiptarët e papunë, ata që nuk kanë as ndihmë për të paguar dritat, ata që nuk gjejnë as punë për të ushqyer fëmijët, që nuk gjejnë dot ilaçet për të mbajtur gjallë veten, që nuk gjejnë dot shpresë për të mbajtur gjallë shpirtin.
Ata duhen ndaluar të kërkojnë një variant më të mirë jashtë kufijve, ata duhen kthyer me dhunë nëse kalojnë kufirin, ata duhen futur në burg nëse refuzojnë të vidhen, ata duhen shpallur fajtorë që nuk e pranojnë sistemin e plaçkitjes të ndërtuar nga politikanët e tyre dhe të certifikuar nga Perëndimi. Kjo ndodhi dje.
Zoti Maziere erdhi në Tiranë për të takuar bashkëfajtorët e mjerimit, shkaktarët e tij dhe kërkoi shtrëngimin e masave kundër viktimave të tyre. Deri tani qeveria shqiptare, si vazhduese e politikës 100vjeçare të mjerimit, ka bërë shumë për të ndaluar largimin e shqiptarëve, por akoma më shumë për ta nxitur largimin e tyre. Prej disa muajsh është qeveria jonë që nuk lejon lëvizjen e lirë. Të pashpresët nuk largohen dot nga Rinasi me arsyen e vetme se janë të varfër. Nuk marrin dot as pasaportat biometrike, nuk mund të marrin dot as autobusin nëse nuk marrin borxh.
Ata thjesht duhet të rrinë pa drita dhe pa bukë në shtëpitë e tyre. Nëse shkojnë në kufi, policia i ndalon të kalojnë. Nuk i pushkaton si në fundin e viteve 80, por kloni mbetet. Narkotikët trajtohen më mirë se shqiptarët në kufi, të paktën një pjesë e mirë e tyre lejohet. Shqiptarët që e fituan të drejtën e lëvizjes së lirë nga qeveritë e Europës, pas më pak se 5 vjetësh, e kanë të mohuar nga qeveria e tyre.
Kjo është shumë më tepër se sa mund të kërkojë qeveria gjermane nga qeveria jonë.
Për të ndaluar emigrimin po shkelen të drejtat e njeriut. Megjithatë ende ka shumë nga ata që ia dalin. 4 mijë vetëm në tetor. Ndalimi ka dështuar dhe qeveritarët europianë, në vend që të kërkojnë më shumë masa kundër të varfërve, duhet të kërkojnë masat ndaj shkaktarëve të eksodit, të shohin ata që janë prezentë, jo ata që mungojnë. Nëse ministri i Brendshëm i Gjermanisë, vjen në Shqipëri me kërkesën që të ndalojnë të pashpresët të kërkojnë një jetë më të mirë, do të ketë të njëjtat rezultate si deri tani; një fshat çdo muaj do të jetë në Gjermani, pavarësisht ndalimeve në kufi, pavarësisht kthimeve masive dhe paralajmërimeve publike, pavarësisht shërbimeve gratis në media.
Shifra tragjike e emigrantëve tregon që politika e diskriminimit dhe e ndalimit ka dështuar. Izolimi i varfërisë, heqja e mundësive të zgjidhjes nëpërmjet emigrimit, nuk është përgjigje. Italia, Franca dhe Spanja më afrikanoveriorët dhe Gjermanët me europianolindorët dhe turqit, i kanë kaluar fazat e eksperimentimit me dëshpërimin ekonomik.
Ishte e mjaftueshme që Maziere t’i kërkonte qeverisë shqiptare të ndalojë politikën e nxitjes së emigrimit, të ndalojë qeverisjen e keqe, plaçkitjen e mëtejshme të atyre që nuk kanë më çfarë të japin, korrupsionin e përmasave apokaliptike për vendin, arrogancën dhe injorimin që ka vrarë edhe shpresën. Kjo është e vetmja zgjidhje jo diskriminimi dhe mohimi i së drejtës për të jetuar, qoftë edhe duke emigruar, që kërkon qeveria gjermane dhe e bën me kënaqësi qeveria shqiptare. Në fund të fundit është e vetmja gjë që ka bërë mirë deri tani.
/l.k./