Koment: Dështimi i elitave politike në Ballkan
Pothuajse gjysma e azilkërkuesve, që vijnë në Gjermani, janë nga Ballkani. Përse ikin, nga se largohen? Përgjegjës për eksodin janë kryesisht elitat politike në rajon, mendon Verica Spasovska.
Luftë, uri apo tortura nuk ka as në Kosovë dhe as në Shqipëri, Serbi, Maqedoni apo Bosnjë dhe Hercegovinë. Që prej dy dekadash e gjysmë shtetet e dala nga ish- Jugosllavia dhe fqinjët e tyre jetojnë në paqe. Kroacia dhe Sllovenia janë ndërkohë anëtarë të BE-së. Vendet e tjera të Ballkanit kanë prej vitesh perspektivë për anëtarësim në BE.
Dhe megjithatë njerëzit po largohen në masë prej Ballkanit për të kërkuar azil në Gjermani. Ato duan të shpëtojnë sidomos nga varfëria dhe mungesa e perspektivës, janë të zhgënjyer dhe të desiluzionuar nga stanjacioni politik dhe ekonomik në atdheun e tyre. Dhe për këtë mbajnë në rradhë të parë përgjegjësi elitat politike.
Ndihma e BE-së e shkuar dëm
Ndihmat miliardëshe të BE për zhvillimin nuk kanë sjellë vërtet zhvillimin ekonomik dhe demokratizimin. Edhe perspektiva e anëtarësimit në BE nuk duket se frymëzon shumë zellin e aktorëve politikë për reforma.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor papunësia që prej dy dekadash është midis njëzet e pesëdhjetë për qind. Edhe të rinj të diplomuar e të mirëarsimuar nuk gjejnë punë të përshtatshme, sepse korrupsioni dhe nepotizmi pengojnë mundësitë në tregun e punës. Nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia duan të emigrojnë më shumë se gjysma e të rinjve të arsimuar.
Partitë politike janë shtrirë në shoqëri në mënyre të rrezikshme. Ato janë të paktën në mënyrë indirekte, punëdhënësi më i madh: Se kush bëhet drejtor apo portier, e përcakton partia qeverisëse, pavarësisht nga kualifikimet profesionale të kandidatëve.
Mungesë e infrastrukturës sociale
Pas rënies së sistemeve të vjetra është lënë pas dore që të investohet në infrastrukturën sociale, për shembull në një shëndetësi funksionale. Kjo mund të thuhet veçanërisht për romët, të cilët kanë në Ballkan nivelin më të ulët shoqëror. Ato shpesh janë të diskriminuar jo vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike, por ato vuajnë rëndë edhe kolapsin e rrjetit të sigurisë shoqërore. Ato shpesh nuk mund t’i përballojnë shpenzimet e mjekut. Vijnë në Gjermani, sepse “paratë e xhepit”, që marrin në procedurën e azilit, janë për to joshëse. Dhe sepse në Gjermani mund të shkojnë falas te mjeku.
BE mund dhe duhet të ushtrojë presion
Tranzicioni i ngadaltë në rrugën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkan kuptohet që ka shkaktuar pakënaqësi në BE, i cili e ka kthyer vemendjen në vatra të tjera krizash si Greqia dhe Ukraina: Por ndoshta eksodi masiv nga Ballkani do ta kthejë përsëri vëmendjen te ky rajon: Do të ishte mirë, sikur në Bruksel të merreshin përsëri intensivisht me ngecjen e reformave në oborrin e pasëm të Evropës. Në rast nevoje ta mbyllin edhe rubinetin e parave, nëse reformat nuk zbatohen.
Ndërkohë elitat politike me egoizmin e tyre e çojnë dëm kapitalin më të rëndësishëm shoqëror. Sepse sa më shumë të vazhdojë eksodi i të rinjve të arsimuar, aq më pak ato angazhohen për ndryshime shoqërore në vendet e tyre. Për elitat politike atje kjo është një situatë e rehatshme. Për shoqëritë, interesat e të cilave ato përfaqësojnë, është në fakt një katastrofë. Megjithëse në Ballkan nuk ka as luftë, as uri e as torturë edhe dëshpërimi mund të bëhet një diktaturë, nprej së cilës dëshiron të amarrësh arratinë.
Burimi: Deutsche Welle