Jetimët e Marrëveshjes së Ohrit
Një numër i madh i shqiptarëve 13 vite pas konfliktit të vitit 2001 mbeti jashtë kornizave të asaj që quhet Marrëveshja e Ohrit.
Janë mbi dhjetë komuna dhe vendbanime, ku popullsia shqiptare ngeli pakicë dhe e izoluar nga çdo e drejtë elementare.
Kjo popullatë që numëron mbi 50 mijë banorë nga gjithë ato komuna nuk gëzon asnjë të drejtë që i mundëson kushtetuta në bazë të përkufizimit kushtetues “bashkësia etnike mbi 20 për qind”.
Shqiptarët në Manastir, Resnjë, Krushevë, Dollnen, Veles, Ohër Prespë dhe komunat e tjera, sidomos nga ato në brendi të Shkup, nuk gëzojnë të drejtën e plotë të përdorimit të gjuhës, përdorimin e simboleve kombëtare, përfaqësimin në institucione, investimet dhe projektet zhvillimore social-ekonomike dhe benefite të tjera nga shteti, raporton INA.
Gjithçka aty përdoret në mënyrë simbolike.
Dëmi më i madh në komunën e Dollnenit është shkaktuar për banorët e fshatit Zhitoshë, kryesisht me popullsi shqiptare, që tani janë nën kufijtë e komunës së Dollnenit, ndërsa dikur ishin nën Krushevë. Diskriminimi i tyre ndodhë edhe me nxjerrjen e dokumenteve personale dhe shërbimeve të tjera, për shkak se janë të detyruar të udhëtojnë në Prilep, edhe atë rreth 50 kilometra për t`u pajisur me dokumente, derisa në të kaluarën shërbimet i kryenin në Krushevë, që është në një largësi më pak se 15 kilometra.
Varfëria, bujqësia në nivelin e mbijetesës dhe vala e vazhdueshme e emigrimit është jeta reale që po bëhet në këto zona, ku edhe pak ato kuadro të shkolluara nuk gjejnë vend pune në qytetet e afërta.
Edhe në Manastir nuk ndjehet asgjë nga Marrëveshja e Ohrit. Vefki Bajrami, agronom i diplomuar ka sqaruar për INA, pozitën e palakmueshme të shqiptarëve.
“I bëj apel që të ndërhyjnë dhe të shohin se çfarë ndodhë në Manastir. Unë i shoh politikanët shqiptarë pavarësisht nga cila parti që janë të dobët për t`i zgjidhur punët edhe atje ku dominojnë, mirëpo kërkojmë që mos të na anashkalojnë. Këtu s`ka çka flitet për Marrëveshjen e Ohrit. Ka presione të ndryshme. Deri tani nuk është hapur edhe një paralele e shkollës së mesme edhe pse pati disa nisma. Nxënësit shqiptarë në shkollat fillore detyrohen që disa lëndë t`i mësojnë maqedonisht, pasi që nuk lejohet hapja e vendeve të punës për mësues shqiptarë”, thekson Vefki Bajrami.
Situata e njëjtë e heshtjes dhe humbjes së vazhdueshme të shqiptarëve po ndodhë edhe me 1600 shqiptarët e Resnjës, sa janë sipas statistikave, me 1483 shqiptarët e Mavrovës dhe Rostushes, me 1206 shqiptarët e Zelenikovës dhe rreth 3.000 shqiptarët e zonës së Veles.
Realiteti i hidhur ku nuk preket dhe nuk ndjehen ligjet dhe fryma e Marrëveshjes së Ohrit është edhe në komunat e Shkupit, ku shqiptarët janë gjithashtu popullsi pakicë. Deri tani nuk ofrohet asnjë rrugëdalje apo hapja e debatit për fatin e gjithë atyre shqiptarëve që ndjehen jetimë në ato komuna dhe zona të këtij vendi shumetnik.
/INA