Redaktori që botoi karikaturat, ka folur për median shqiptare
Redaktori Danez Fleming Rose që publikoi i pari karikaturat e Muhametit e që është edhe sot në listën e Al Qaeda-s për t’u vrarë ka dhënë 8 vjet më parë një intervistë ekskluzive për revistën Mapo të asaj kohe, intervistë bërë nga Kristi Pinderi në Gjermani.
“Historia Ime”, po e riboton atë intervistë, por pa botuar karikaturat që pothuajse vunë një botë të tërë në flakë atë kohë, duke respektuar kështu ndjeshmëritë e komunitetit musliman.
Ajo që të shokon më shumë ka të bëjë me faktin që fjalët e gazetarit të njohur janë sot më shumë se kurrë aktuale.
* * *
“Trazirat nuk i sollën karikaturat”
“Por njerëz me influencë në botën islame…”
Kristi Pinderi
Botuesi i karikaturave të famshme që satirizonin profetin e Islamit, Muhametin, nuk është i lehtë për t’u kapur dhe aq më pak për t’u intervistuar. Rikthimi në temën e bujshme të një viti më parë, edhe tani kur Gjykata e Lartë Daneze e ka shpallur të pafajshëm, nuk është i lehtë për të. MAPO mundi ta kontaktojë Flemming Rose pas javësh kërkimi në SHBA, ku ndodhet në gjysëm fshehtësi. Mundëm t’i marrim një intervistë të shkurtër dhe ta pyesim sesi e sheh ai tani, në distancën e një viti, gjithë atë konflikt fetar që mori formë e u shtri qe nga Irani e deri në dyert e Europës. “Nuk ishte faji im, por i disa njerëzve me influencë në botën islame”, shpjegon Rose.
Jeton në gjysëm ilegalitet dhe lëviz me indentitet të ndryshuar. Që nga shtatori i kaluar jeta e tij ka ndryshuar totalisht, ndërkohë që redaksia ku punon i ngjan tashmë një reparti ushtarak të blinduar. Eshtë gazetari danez Flemming Rose, njeriu që një vit më pare, për pak sa nuk shkaktoi një përplasje religjioze në shkallë botërore.“Nuk ishte faji im, por i disa njerëzve me influencë në botën islame”, shprehet gazetari danez Flemming Rose, për trazirat që lindën pasi ai si redaktor kulture në të përditshmen Jyllands-Posten, botoi në shtator të vitit 2005 të ashtuquajturat karikatura të Muhametit.
Ky prononcim ekskluziv për revistën MAPO, vjen fare pak ditë pasi Gjykata e Lartë daneze mori vendimin për të shpallur si “të ligjshëm” dhe “aspak të dënueshëm” publikimin e atyre karikaturave, të cilat, pasi u botuan në Jyllands – Posten dhe në disa gazeta të tjera europiane, ngjallën një debat ndërkombëtar mbi lirinë e medias dhe të drejtat e besimtarëve muslimanë.
Gjithçka nisi për fëmijët
Pak përpara shtatorit të vitit 2005, në Danimarkë shkruhet një libër shumë interesant për historinë e islamit, për fëmijët. Libri kishte nevojë për ilustrime, si cdo botim tjetër për fëmijë. Por, shtëpia botuese konstaton se ndonëse libri tregonte me përpikmëri dhe me respekt historinë e Muhametit, askush prej artistëve nuk kishte dëshirë të paraqiste karikatura. Ata pak që e bënin këtë gjë, kërkonin rreptësisht të mos identifikoheshin.
Flemming Rose, i lindur në vitin 1958 dhe i diplomuar për gjuhë ruse në Kopenhagen, vendosi të shpallë në faqet kulturore të Jyllands-Posten një konkurs për karikaturat e Muhametit. “Vërshimi” ishte i paimagjinueshëm! Ndërkohë që redaksia vendos të publikojë më të mirat e tyre, në faqet e gazetës.
Një komunitet i vogël musliman në Danimarkë, por me disa lidera shumë autoritarë reagon jo menjëherë, por disa muaj më vonë për këtë fakt dhe papritur, në disa shtete të Lindjes së Mesme rregjistrohen trazirat e para, të cilat do të mbërthenin vëmendjen e opinionit botëror për javë të tëra.
Ambasada të Mbretërisë së Danimarkës që digjen, kërcënime dhe paralajmërime për redaksinë dhe për vetë Flemming Rose, debate të zjarrta mes mbrojtësve të lirisë së medias dhe atyre të besimit musliman si dhe një situatë politike që kërcënonte të merrte përmasa të paparashikueshme. Kjo ishte ‘fytyra’ botërore që shkaktoi një gazetë e vogël në një vend me jo më shumë se 4 milion banorë…
Derisa pak ditë më parë, kryeredaktori i të përditshmes daneze Carsten Juste, dhe vetë Flemming Rose, zbritën shkallët e gjykatës në Aarhus, duke deklaruar se verdikti i drejtësisë nuk i kishte gjetur ata fajtorë të “fyerjes së krenarisë së muslimanëve”, akuzë e bërë nga 7 organizata islamike në Danimarkë.
Më fal…?!
“Subjekti” duket se përfundon këtu. Por ai le pas disa pyetje ndoshta pa përgjigje si dhe disa dyshime të guximshme… A është “ME FAL” vërtet fjala më e vështirë për t’u thënë… apo ajo është shumë e shtrenjtë për t’u thënë pa shkak? Por përtej këtij aspekti ndoshta më shumë njerëzor, e jemi duke jetuar në një epokë ku fetë po tentojnë të rifitojnë pozicionin e tyre të dikurshëm, atë pozicion që kanë patur në kohën e quajtur “obskurantiste”? Apo kemi të bëjmë as më shumë e as më pak, por pikërisht me një luftë qytetërimesh?
Flemming Rose, jeton sot në gjysëm ilegalitet. Gazeta ku ai punon, nuk ka patur as rritje dhe as ulje të tirazhit që ajo ka patur gjithmonë. Por, kundrejt kësaj ka patur një rritje të frikshme të shpenzimeve për masat e sigurisë. Gazetarët punojnë atje pothuajse si në një kasafortë, madje në sistemin e arkitekturës së thjeshtë të ndërtesës në rrugën Grøndalsvej, numër 3, kushdo që kalon mund të shikojë një rritje të cuditshme të masës së hekurit!
Ndonëse edhe kur udhëton, i duhet të përdorë një identitet të ndryshëm, Flemming Rose vazhdon të mendojë se ajo që bëri është më e drejta e madje në këtë intervistë ekskluzive për revistën MAPO deklaron se në një situatë të ngjashme, do ta ribënte, atë që bëri.
Për herë të parë e kam njohur z. Rose në një aktivitet në Hamburg në korrik të këtij viti, në një vilë jashtë qytetit, dikur pronë e një familjeje hebreje të masakruar në kampin të Neugamme, në veri të Hamburgut. Përpara një audience prej vetëm gazetarë, nga 23 vende të botës, ai mbronte me cdo mënyrë argumentat e tij, duke deklaruar se liria e medias është një ndër vlerat më të mëdha të perëndimit. Në atë takim, kishte disa gazetarë nga vende islamike, të cilët e kundërshtuan me forcë. ‘A mundi të zgjidhë gjë me atë që bëri?”, pyet Lina, një gazetare gjysëm e krishterë që jeton e punon sot në Siri.
Vendosëm ta risillnim këtë temë në qendër të vëmendjes në Shqipëri me bindjen se debatet janë në cdo rast kontruktive edhe për shoqëri si kjo e jona, kur shumë gjëra të fshehura nën imazhin mediatik, kanë ende nevojë të zbulohen… Ishte shumë e vështirë të kontaktoje me z. Rose. Në redaksi, kushdo që përgjigjej në telefon ishte shumë protektiv ndaj tij. Mundëm të siguronim këtë intervistë me të, përmes e-mailit, në një kohë kur Rose ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përballë tij, vendosëm të botojmë mendimin e disa gazetarëve, më të rinj se ai vetë, të cilët sot për sot, kanë përgjegjësinë e krijimit dhe të kanalizimit të opinionit publik në vendet e tyre. Sepse, ky debat, në fund të fundit është tashmë një debat ndërkombëtar.
Flemming Rose prononcohet për revistën MAPO
MAPO: Si një gazetar që u përballët më këtë çështje, cili mendoni se duhet të jetë qëndrimi i medias në Shqipëri kur ajo merret më çeshtjen e besimit
Flemming Rose: Mendoj se është shumë e rëndësishme të përkrahësh parimet e ndarjes së kishës nga shteti, gjë që është themelore për një demokraci laike dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që bindjet fetare të mos kenë një status të veçantë në jetën publike.
MAPO: Në një akademi verore me gazetarë nga e gjithë bota në Hamburg ju jeni prononcuar se në një situatë të ngjashme, do t’i ripublikonit karikaturat. Vazhdoni të mbani të njëjtin qëndrim?
Flemming Rose: Unë vazhdoj të mendoj se kjo është e drejtë për t’u bërë dhe gjithashtu mendoj se ne kemi patur një debat shumë konstruktiv në Danimarkë rreth karikaturave dhe ç’ka nënkupton liria e shtypit dhe respektimi i bindjeve fetare, por unë jam i mendimit se nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis publikimit të karikaturave dhe protestave dhe trazirat që ndodhën më pas në Lindjen e Mesme. Ne tashmë e dimë se disa njërëz me influencë në botën fetare duan të nxisin konfliktë të natyrave të ndryshme. Dua të bej të qartë se kërkesat nga muslimanët dhe jomuslimanët në një shtet jomusliman i binden tabuve muslimane (ndalimi i përshkrimit të profetit), por këto nuk janë diskutuar më parë në Europë. Reagimi ndaj publikimeve të karikaturave ishte i paprecedent.
MAPO: Cili është komenti juaj aktualisht – mbas Vendimit të Gjykatës – në lidhje me cështjen e karikaturave? Mendoni se media në Europë thjesht fitoi një betejë apo mendoni se kjo ishte përgjithësisht një goditje e madhe për lirinë e medias me rezultate negative?
Flemming Rose: Personalisht, jam shumë i kënaqur me vendimin. Vendimi e bën të qartë se karikaturat ishin publikuar konform ligjit, një argumentim të cilin ne e kemi shprehur gjatë gjithë kohës.
A mundi ai ta zgjidhë problemin?
Pyet, në një prononcim për MAPO, gazetarja siriane Lina Ibrahim, zv/kryeredaktore e “Syria Report business neësletter”
“Si fillim dua të bëj të qartë që nuk jam një person fetar. Babai im është Musliman, nëna ime është e krishterë, por unë nuk anoj nga asnjë nga këto fe, kështu që do të flas vetëm nga një pikëpamje humane. Mendoj se vendimi për të botuar këto karikatura nuk ishte i drejtë. Pse? Sepse duhet të bëjmë një dallim midis dy botëve: asaj lindore dhe asaj perëndimore. Cka pranohet si liri dhe e pranueshme për një perëndimor, nuk është e tillë për një lindor. Të shkelësh ndjenjat dhe besimin e një komuniteti kaq të madh si ai musliman nuk është etike. Të tallesh fenë e një grupi tjetër nuk do të sjellë asnjë ndryshim pozitiv, përkundrazi, sjell vetëm urrejtjen e tyre.
Flemming Rose ka thënë se disa muslimanë i kishin shprehur mirënjohjen e tyre. Por këta përfaqësojnë vetëm një pjesë të parëndësishme të një komuniteti të stërmadh. Pse duhet të krijojmë burime dhe arsye të reja urrejtjeje mes njerëzve? Ka thyer tabunë e të tjerëve? E cfarë pastaj? A është pakësuar terrorizmi dhe ekstremizmi? Jo, jo, jo! Madje është shtuar. Na duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët e cila të bashkojë popuj të ndryshëm për një të ardhme më të mirë. Konflikti ndërmjet Islamizmit dhe Krishtërimit është i natyrës ekonomike dhe politike, e jo i natyrës fetare. Por fatkeqësia e vërtetë është se pasojat e këtij konflikti i mbartin, pa pasur gisht në krijimin e tyre, njerëzit e thjeshtë”.
“Muslimanët po na diktojnë rregullat e tyre në shtëpinë tonë”
Shprehet për MAPO-n, Liis Kängsepp, gazetare në Estoni
“Unë i respektoj fetë, megjëthëse vetë nuk jam besimtare. Por më irriton shumë ajo që po ndodh në Evropë në këto momente. Muslimanë po lëvizin drejt Evropës dhe duan që vendasit të ndryshojnë besimin dhe zakonet e tyre. Për mendimin tim kjo nuk është korrekte. Nëse ke marrë një vendim të lëvizësh në një vend tjetër, duhet të kesh parasysh se gjërat bëhen ndryshe atje. Ndoshta feja dhe traditat e tyre janë shumë ndryshe nga ato të vendit tënd dhe ti duhet t’i pranosh, dhe jo të përpiqesh t’i ndryshosh. Për momentin më ngjan se muslimanët po përpiqen të nisin një luftë në shtëpinë e njerëzve të tjerë, nëse më kuptoni c’dua të them. Ti nuk nis luftën i pari në oborrin e një të huaj, sic themi ne në Estoni. Por është pikërisht kjo ajo cfarë po ndodh. Muslimanët e kanë të vështirë të kuptojmë se kur je në Romë, bëj sic bëjnë vendasit dhe në një farë mënyrë unë e kuptoj këtë. Nga ana tjetër nuk me pëlqen fakti se Islami po përpiqet të reduktojë lirinë e fjalës në botë. Në evropë është OK të bëhen shakara rreth fesë dhe unë nuk besoj se ne duhet ta ndryshojmë dicka të tillë thjesht për faktin se muslimanët duan kështu. Unë do të doja gjithashtu të nxirrja në pah se jam një gazetare i zakonshëm ne nje vend te BE dhe besimi im është i lidhur fort me historinë e vendit tim. Sic mund ta dini edhe ju, Estonia ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe vendi im nuk e zgjodhi këtë. Aktualisht 68 % e popullsisë është nga Estonia. 26 % janë ruse, 2 % ukrainas, 1 % bjelloruse dhe 3 % nga vende te tjera. Rusët u përpoqët të ndryshonin mënyrat tona për shekuj me rradhë, dhe vazhdojnë edhe sot të bëjnë të njëjtën gjë megjithëse Estonia është një republikë e pavarur tani. Kështu, shiko – për mua është një gjë shumë e keqe nëse dikush vjen në shtëpinë time dhe fillon të vendose rregulla të reja pa pyetur fare nëse unë jam dakort me këtë”.