I vjedhur 13 here, dhe asnjëherë hajduti i kapur!
Posted On 04/03/2015
0
Nga Artan Fuga
- Dyqanet që ishin pronë publike, pra edhe të miat, m’i morrën dhe ua dhanë shitësve. Hajduti iku në drejtim të paditur.
- Atyre që ishin në pallate dhe që paguanin qira u dhanë shpitë pothuajse pa parà, kurse ne që kishim paguar qira po në një shtëpi jo pallat, nuk kapëm asgjë.
- Tokat bujqësore që ishin të fermave, pra pronë publike, ua dhanë atyre që punonin atje pavarësisht se edhe unë kisha pjesën time. Asnjë gjurmë hajduti.
- Pronat e tokës të stërgjyshërve i shpërndanë te ish kooperativistët. T’i gëzojnë. Por, mua m’u vodhën në formë plackitjeje.
- Ndërmarrjet publike që ishin të të gjithëve u privatizuan në favor të ish drejtorëve, m’u vodhën edhe mua. Hajduti përsëri nuk kap.
- Tenderat e privatizimit që dhanë për miqësi e farefisni, të mirën publike, ma vodhën pjesën time. Hajduti iku në një makinë pa targa.
- Bonot e privatizimit m’i dhanë, por ato u zhvleftësuan brenda një muaji, dhe vlera e tyre m’u vodh. Hajduti nuk u gjend.
- Më vodhën ajrin, pamjen e malit, diellin m’a zunë pallatet, më vodhën pra natyrën në qytet, hajduti nuk u kap akoma.
- Deshën të më vjedhin edhe detin, por mbeti në tentativë, hajdutët u bënë ambasadorë, pra ikën larg pa u kapur.
- Më vodhën edhe një 2000 dollarë te Sudja. Mirë ma bënë! Ca hajdutë vajtën dhe morrën edhe paratë e mia. Bëjnë sikur nuk janë hajdutë tani.
- Më vodhën edhe lekët që paguajta 10 vjet për taksën e pronësisë të apartamentit të blerë që ma merrnin edhe pse apartamentin nuk ma hipotekonin. Hajduti nuk kishte lënë asnjë gjurmë.
- Më vodhën edhe floririn në tunel, edhe thesarin e Bankës. Hajduti nuk është ende i kapur. Mister!
- Më vodhën edhe rrobat e banjos në pishinë. As e kërkova hajdutin fare, hallall t’i ketë kur më vjedh edhe faturisti që lexon sahatin e energjisë elektrike. Andej nga ka ikur, hajduti më thërret dhe më këshillon që të jem njeri i ndershëm dhe mos vjedh!