I PAPUNI
Kam disa orë që e shoh. Është gjithmonë aty. Thua të ketë zënë rrënjë. Sikur pema, në të cilën mbështetet. Unë endem nëpër shtëpi. Shkruaj diçka në Facebook. Ai është po aty. Lexoj. Shoh ndonjë film. Ha. Fle dy orë. Ha sërish. Shkoj në banjë. Ai ende aty.
E pikasa sot në mëngjes. E vëzhgova nga dritarja. Unë me tërshërë. Ai me byrek në dorë. Po e shoqëronte me dhallë. Unë me ujë. Dallohej që nga kati i pestë i pallatit tim. Ishte një Lufra. E imja ishte tërshërë gjermane. Ai vazhdon aty.
Veshur me të xhaketë të zezë. Ndonjëherë i mban duart në xhepa. Ndoshta rreket ti fshehë ato të papuna. Në xhepat e robe de chambre gjej një copëz gazete. Një artikull që kam dashur ta përkthej. Ishte shpëlarë nga larja, edhe nga aktualiteti. Tani filloi të ç’mpihet. Disa ecejake dhe qëndron sërish. I hutuar.
Në drekë lëvizi për një çast. Por erdhi prapë për disa minuta. Vjen vërdallë. Për një moment lëviza edhe unë. Thash të shkërmoq muskujt. Por tani jam sërish këtu. E vëzhgoj. Ai nuk e njeh ekzistencën time. Unë e filmoj. Tek sorollatet sa nga një kah i rrugës në tjetrin. Ndoshta mendohet. Kush e di ç’gjëra të kobshme i shkojnë ndër mend. Ndoshta edhe të këndshme. Tani nuk po lëviz.
Pasdite i erdhi një i njohur. I foli për pak çaste. Ai largohet. Vetëm përsëri. Me mua. Zbrita në kafenenë poshtë pallatit. Vazhdova ta vëzhgoj. Ai me një hurmë në dorë. Unë me një çaj. Në një moment m’u duk sikur u pamë. Bëri një rrotullim 306 gradësh sikur në një paradë ushtarake, dhe qëndroi sërish i mbështetur tek pema.
Nga ora 17:00 një furgon i ndaloi tek këmbët. Morri nga dyqani aty pranë matrapikën. E ngjeshi në sqetull dhe u largua. Në atë moment e kuptova që ishte punëtor me mëditje.
/Peizazhe te fjales
/l.k./