I dashuri im dhe kandidatët për kryetar bashkie
Nga Kristi Pinderi
Unë dhe partneri im debatojmë me pasion me njëri tjetrin sa herë mendojmë ndryshe. Punojmë e kalojmë kohën më të madhe bashkë ndaj zënkat tona janë të pashmangshme.
Ai është kritik ndaj pushtetit, qoftë atij qëndror apo qoftë ndaj pushtetit vendor. Unë kam filluar ta shikoj befas veten në pozita justifikuese: herë mbroj qeverinë kur debatoj me të, herë mbroj qeverinë e kaluar, herë mbroj Partinë Socialiste, herë mbroj Sali Berishën, etj.
Por partneri im ndërkohë, më i ri se unë, i cili është i zhveshur nga përgjegjësitë publike që unë ndjej se kam, më detyron çdo ditë të vras mendjen se çfarë na bashkon bashkë teksa qartazi unë jam i majtë për hir të të qënit i majtë, ndërsa ai është thjesht kritik, kritik edhe ndaj meje?!
Kur në dhjetor të vitit 2014 ne hapëm zyrtarisht një qendër rezidenciale për të ndihmuar personat LGBTI që përziheshin nga shtëpia apo dhunoheshin brenda shtëpisë, ndjesia e përgjithshme ishte shumë pozitive.
Por tre muaj më vonë ne jemi duke punuar me raste të atilla që na kanë bërë të mendojmë se zgjidhja e problemeve nuk ka për të ardhur nga ideologjitë, e ndoshta as vetëm nga vullneti i politikanëve për të në mbështetur! Këtu, unë si i majtë tentoj të gjej justifikime para të dashurit tim që ka filluar të mërzitet nga këmbëngulja ime e tipit “të majtët na mbështesin ne”.
Problemet tona qënkarkan më konkrete se debati ideologjik, aq sa e kemi gjetur veten duke vrarë mendjen seriozisht nëse e drejta për shkollim e një prej njerëzve në shelter është diçka që duhet ta zgjidhë qeveria, familja, bashkia, apo ne? Apo e majta?! E djathta ndoshta?! Luli, Rama, Nikolla, Mazniku apo Drejtoria Arsimore?!
Pastaj, në një rast tjetër na duhet të vrasim mëndjen nëse është vepër penale të mbash të mbyllur një të ri me qëllimin për “ta shëruar” atë nga homoseksualizmi, apo jo?! Siç na ndodhi me rastin e fundit të një përfituesi të shërbimit tonë i cili u lirua vetëm pas ndërhyrjes së policisë.
E në këtë rast debati mes ne të dyve, mua dhe të dashurit tim që nuk voton detyrimisht siç votoj unë është: a duhet që ne të ndërhyjmë që policia ta zgjidhë një rast të tillë apo duhet që shteti, ne, dhe shoqëria me gjithë mekanizmat e vet zyrtarë ose jo duhet të punojë që askush të mos e gjejë veten në një situatë të tillë?
Dhe po këtu, në këtë pikë, vazhdon debati: a duhet lavdëruar policia që drejtohet nga një qeveri e majtë dhe shteti për atë që bëri, apo duhet kritikuar e gjithë shoqëria përfshirë policinë që e lejoi të ndodhte një skllavërim klasik në 2015?
Te STREHA rezidenciale që ne kemi hapur në Tiranë, njerëzit inkurajohen të mësojnë një zanat dhe ne i ndihmojmë për këtë e pastaj i ndihmojmë edhe që të gjejnë një punë, në mënyrë që kur të dalin nga aty, të jenë sa më të pavarur.
Por disa prej përfituesve të këtij shërbimi rezidencial nuk ia dalin dot dhe këtu unë debatoj vazhdimisht me partnerin tim dhe, në këto debatet tona, e gjejmë shpesh veten të pyesim kështu:
“Po neve kush na ndihmoi?!”,
“Pse nuk duan ta ndihmojnë veten?”,
“Po çfarë mund të bëjë qeveria nëse babai është i dhunshëm por nëna refuzon ta denoncojë? C’faj ka shteti këtu?”,
“Po Bashkia, kë të strehojë më parë?”,
“Po a duhet vetem Bashkia e Bashes të merret me strehimin?”,
“Po romët?”,
“Po njerëzit e papunë?”,
“Po nënat që rrisin të vetme fëmijët e tyre”? Përse duhet të fajësojmë shtetin sa herë njerëzit vetë nuk ia dalin dot?”
Pikërisht këtu, une dhe i dashuri/partneri im ndahemi e njëkohësisht bashkohemi: Cfarë rëndësie ka nëse zgjidhja për dhunën në familje apo problemet e njerëzve në qytet adresohen nga PS apo nga PD apo nga kandidate të pavarur?
Eshtë i papërshkrueshëm fakti që sa shumë neve, njerëzve të mbetur ne këtë vend të vogël, na ndajnë partitë politike dhe ata që i uzurpojnë ato, herë në emër të ideologjive e herë në emrin e tyre vetë!
Kur ndërkohë, problemet tona do duhet të na bënin që të gjithëve bashkë!
Një person i komunitetit LGBTI është natyrshëm shumë më pranë një pacienti të stresuar që duhet të marrë shërbime nga sistemi ynë shëndetësor, se c’është, fjala vjen, pranë një partie politike, cilado qoftë!
Ne të komunitetit LGBTI që na duhet të jetojmë një jetë të vështirë e të dyfishtë për shkak të diskriminimit apo stigmës dhe dhunës familjare, besoj jemi shumë më pranë atij qytetari që si ne, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor, nuk gjen dot punë, e sigurisht jemi më larg se çdo parti që në këto 25 vjet nuk ka bërë asgjë, ama sërish pretendon votën tonë.
Më duket se na bashkojnë dy gjëra të mëdha mua dhe të dashurin tim (partnerin tim nëse kuptohet më kollaj kjo fjalë): dashuria për njëri tjetrin, që është diçka subjektive dhe jo relevante për të tjerët, si edhe nevoja që ne të dy kemi për të adresuar disa probleme që, kushdo që merr përgjegjësi publike, duhet t’i zgjidhë.
Ndaj unë këtë herë do bëhem po aq kritik sa i dashuri im dhe nuk do votoj më për PS vetëm pse kështu kam bërë gjithmonë. Por do votoj për atë kandidat që më bind se mund të zgjidhë disa nga problemet që unë, si përfaqësues i komunitetit LGBT mbroj.