Hipokrizia e medias pro qeverisë ndaj komunitetit Rom
Nga Kristi Pinderi
Ka një shënim në disa nga mediat e njohura si mbështetëse të qeverisë, për të treguar se opozita dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës po përdorin punonjësit rom të pastrimit në protestat e tyre.
Gazeta TemA e justifikon shënimin e saj mbi këtë histori me idenë se Bashkia është raciste dhe po shpërdoron detyrën duke i detyruar ata (romët) që të bëjnë sipas TemA “punën më të vështirë, atë të mbajtjes së parrullave dhe përplasjes me policinë”.
Edhe sikur njerëzit që kjo media identifikon si “rom” për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre, të jenë vërtet pjesëtarë të komunitetit rom dhe të jenë vërtet punonjës të pastrimit në Bashki, për çfarë arsye një rom që punon dhe në Bashki (nëse vërtet është kështu) nuk duhet të protestojë dhe nuk duhet të jetë në rreshtat e parë të protestës?
Vetëm ideja që i shkon në mëndje ndonjë redaksie për të parë fotot e për të identifikuar aty njerëzit mbi bazën e ngjyrës e pastaj të ulet e të shkruajë diçka të pakonfirmuar si kjo më lart, vetëm kjo ide pra, për të “identifikuar” romët duke studiuar fotot, është racizëm i pastër!
Dhe pale po pretendon të jetë shkrim që mbron të drejtat e komunitetit Rom!
Media dhe ne të gjithë të tjerët e dimë shumë mirë, se partitë politike përdorin buxhetorët për t’i nxjerrë në protesta. Akti është i dënueshëm kur bëhet me detyrim. E këtë akt ne e kemi dëshmuar të ndodhë si në administratën lokale apo qëndrore të drejtuar nga PD, si në atë administratë të drejtuar nga PS.
Nëse sot, këta që mbajnë parrullat, qënkërkan, sipas disa media, rom të shfrytëzuar, çfarë kanë qenë ata të tjerët në protestat e PS që kanë mbajtur parrullat në rreshtat e parë? Ata që p.sh. gjuanin me çfarë të kishin policët në protestën e 21 janarit?
Pikërisht në atë rast, a kishte ndonjë gazetar të zellshëm për të studiuar fotot e për të parë se cili prej tyre e kishte lëkurën me ngjyrë e se cili prej tyre mund të ishte i/e punësuar në ndërmarrjen e pastrimit të ndonjë bashkie të qeverisur nga e majta?
Nga ana tjetër është çorientues edhe komenti se vetëm Bashkia e Bashës i ka lënë pa shtëpi apo u ka djegur shtëpitë familjeve të komunitetit Rom.
Politikat e strehimit dhe trajtimit ndaj qytetarëve shqiptarë janë njësoj diskriminuese dhe prekin jo vetëm qytetarët e etnisë rome por që të gjithë. Tentativa për të nxjerrë “të pastër” kryeministrin Rama është e pabazuar në fakte të vërteta.
Eshtë e vërtetë se Bashkia gjatë kohës së Lulzim Bashës kryebashkiak nuk i ka trajtuar siç duhet familjet Rome, por kujtojmë se djegja të tyre te Stacioni i Trenit (rast që përmend në shkrimin në fjalë gazeta TemA) ka ndodhur në janar të vitit 2011 kur Rama ishte ende kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Nga ana tjetër, Bashkia e Elbasanit që qeveriset prej një dekade nga socialistët u qortua dy herë nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut se u përpoq të dëbonte pa asnjë shkak banorët romë të shtëpive alternative të 20 familjeve në lagjen pranë stadiumit (që medemek tregon imazhin e Shqipërisë sa herë luan përfaqësuesja e futbollit) dhe në rrugën Emin Matraxhiu.
Shqiptarët janë të tejngopur nga protesta të keqpërdorura nga politika, por ama janë edhe më të tejngopur nga media partizane. Eshtë shumë jo profesionale sa herë një media motivohet të shikojë fotot e njerëzve në një protestë politike, qoftë kjo dhe e PD në Shqipëri. Ngjan në këtë rast me Policinë në Misisipi në vitet 60-të kur policët merrnin fotot dhe mbanin shënime mbi to për cdo të dhënë personale të kujtdo që shfaqej në to. Shumë e neveritshme!
Shkrimi te TemA: