Gruaja gjithsesi nuk ishte më e virgjër
Nga Luela Myftari
Na ishte një herë një shqiptar. Ky jam unë. Në fakt ishin edhe shumë të tjerë. I pari që njoh unë iku në Greqi. I dyti iku në Itali. I treti iku në Angli. I katërti priti gjatë, por iku në Amerikë. Pas njëmbëdhjetë vjetësh, kur komshinjtë e tij kishin ikur, këtij të katërtit i doli fati në Amerikë. Të katërt nisën të punonin. Gratë e tyre fillimisht ishin pa punë, por pastaj filluan punë në hotele, për të fshirë e për të larë se nuset shqiptare janë punëtore.
Emri dhe gruaja
I pari e ndryshoi emrin që pa ikur. I dyti nuk e tha emrin kur e gjetën në mes të detit se gomonia e la aty. I dyti e provoi dy herë të ikte dhe kur lindi fëmijën e dytë arriti të merrte lejeqëndrimin. Më në fund do të mund të punonte kamerier. I treti priti tre vjet për të gjetur një nuse angleze të virgjër për të marrë dokumentet, por nuk e gjeti. U dorëzua në të tretin dhe u martua me anglezen që dinte të gatuante vezë të skuqura. Por, ajo s’e pëlqeu, nuk ishte treguar i sinqertë t’i rrëfente se e donte për dokumente. U nda dhe mori një tjetër, naive, por që mund t’i jepte atë që donte. Fitoi dokumentet edhe sepse nusen në Shqipëri që e kishte marrë të virgjër, tashmë nuk e kishte më të virgjër. Nuk u tha prindërve që u martua. Po, t’ia thonte do të mërziteshin, jo për nusen që mbanin në shtëpi, por për shitjen qe i bëri vetes. I katërti e kishte më të thjeshtë. Ishte me dokumente, por i duheshin të paktën katër vite punë që të kthehej në Shqipëri me pasaportë amerikane dhe të zgjidhte një grua shqiptare.
Familja
Të katërt e patën të vështirë të mbanin a të krijonin familje. I pari, që kish ikur me gruan e zgjidhi për një vit, thjesht me një të ndryshuar të emrit, edhe fesë. I dyti, që gjithashtu kish ikur me gruan, e zgjidhi me fëmijën e dytë se të parin gruaja e lindi në një kasolle sepse s’kishte as emër e as punë. I treti e zgjidhi për tre vjet. La gruan në Shqipëri dhe gjeti dokumente me martesën e tretë. I katërti e zgjidhi për katër vjet. Mori pasaportën dhe e gjeti nusen në atdhe. Të katërt u pajisën me dokumente dhe me grua.
11 vjet më pas
I pari ishte bërë nga bari në inxhinier. Kështu thonte në familje. Ishte përgjegjës në kampin ku në llaç e tulla zhyste bashkatdhetarët e vet. Gruan kishte menduar ta linte më mirë pa punë se sa të pastronte dyshemetë e hotelit më të mirë të qytetit. Një familje me emra të tjerë. I kishin harruar të vetët. I dyti, nga ndërtimi, kish filluar punë si kamerier, e më pas ishte bërë menaxher. Dy herë ngritje në detyrë, i dyti. Kish mbetur vetëm me dy fëmijë. I treti, edhe me gruan e tretë ishte ndarë, por kishin kaluar tre trevjeçare dhe gruan “e virgjër” ende s’e kish marrë në Angli. Në vend që të pastronte dyshemetë e hoteleve, ishte më e arsyeshme të pastronte vjehrrin dhe vjehrrën. Gruaja gjithsesi nuk ishte më e virgjër. Nga Shqipëria, kishte provuar Anglinë. I kishte ecur me numrin tre. Mendoi të lëvizte në Belgjikë, në shtetin e tretë. I katërti, edhe pse rrugëtimin e tij për një jetë më të mirë e kishte nisur 11 vjet më vonë, kishte mbaruar 11 kurse dhe ende në shtetin e ëndrrave kishte ende aq shumë ëndrra sa as vetë nuk e dinte çfarë do të bëhej kur të rritej. Gruaja e tij nga Shqipëria, kishte marrë dokumentet dhe kishte tërhequr në Amerikë gjithë familjen. Më shumë rrinte me ta se sa me burrin. Fundja burri ishte ende në kërkim të vetes dhe gjithnjë i gatshëm për të fituar ca më shumë dollarë.
22 vjet më pas
I pari, u kthye në atdhe. Greqia ishte në krizë. Një vit pa punë, e gjithë familja. Një fëmijë që kishte u kthye në Greqi. Nuk kishte nevojë të ndërronte emrin prapë, njëlloj si prindërit. I dyti, u kthye sërish në Shqipëri, hapi një lokal dhe falimentoi në vitin e dytë. Dy vjet pa punë. Të dy fëmijët qëndruan në Itali. I dyti ngeli vet i dytë, me gruan dhe me paratë e 22 viteve kursim. Edhe dy vjet të tjerë mund ta shtynin ashtu. I treti, u kthye po ashtu në Shqipëri. Ka tre fëmijë. Bëri tre rrugë për në Belgjikë dhe tani ka tre vjet që është në burg. I katërti vazhdon të qëndrojë në Amerikë se rrugëtimin e ka nisur 11 vjet më vonë. Vjen çdo vit të mbushë dhëmbët, të bëjë pushime dhe t’u tregojë fëmijëve që gjuha shqipe nuk është aq e vështirë dhe se njerëzit këtu janë shumë të dashur. Fëmijët mësojnë gjatë verës se në Shqipëri kush të do të rreh.
Ka edhe më
Ka edhe më shumë. Ka shqiptarë edhe në Zvicër, martohen me plaka. Ka shqiptarë edhe në Amsterdam, kryesisht vajza se djemtë hiqen si nga Kosova. Ka shqiptarë edhe në Gjermani, që kur vijnë në Shqipëri, janë bërë aq të huaj sa edhe një dhuratë për Vitin e Ri nuk e meritojnë. Ka shqiptarë edhe në Siri. Ata mendojnë se janë më trimat. Por, trimi më i madh është ai që as nuk braktisi dhe as nuk u braktis. Kur dy njerëz bashkohen, në martesë, në ortakëri, në biznes, premtojnë se do t’i qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në të mirë e në të keqe. Ata, të katërt që ju prezantova më lart i njoh vërtet. Të katërt braktisën prindërit, të katër sot janë braktisur nga fëmijët e vet. Të katërt janë në të shëmtuar se im atë, sepse të katërt tregojnë më shumë se mosha që kanë. Të katërt menduan dhe u kthyen në atdhe, të lodhur, të shfrytëzuar, të shëmtuar, pa prekur dorën e nënës në prag të vdekjes, që po ta kishte birin në shtëpi do gjente forcën të çohej e ta pyeste: “A u lodhe bir?”
Ata që nuk ikën
Nuk e patëm më të thjeshtë. Punuam e punojmë, me orë shtesë, të papaguar në shumicën e herëve. Madje, edhe pa siguracion. Gati për t’u zënë në mbrëmje me prindërit sepse shefat na kanë gërricur nervat, jo për punë, por për gjithçka tjetër përveçse për punë. Nuk e patëm të thjeshtë të paguanin për fëmijët shkollimin. Edhe vodhëm njëri-tjetrin, shtetin, fqinjit, për të paguar shkollat e fëmijëve. Por, jemi këtu. Në mbrëmje mbështesim kokën në prehrin e nënës që ka ca ditë jetë më shumë që na ka pranë. Edhe ne kemi bërë fëmijë. Edhe ne kemi punuar njëlloj si ju. Madje, më të ndershmit edhe më shumë si ju. Çuditeni që vishemi ende bukur? Ne na duan më shumë, ndjejmë më shumë dashuri. Ja pse vishemi bukur, e dukemi edhe më të rinj. Sepse vishemi për ta dhe punojmë për ta. Jemi të rrethuar nga njerëz që edhe pse thashethemexhinj, kujdesen për ne. I thonë fjalët e mira kur duan dhe të këqijat kur duan të na shohin më mirë. Por, ama kemi ca njerëz që na duan e kemi për çfarë të luftojmë. Unë për vete luftoj që fëmijët e mi të kenë një jetë më të mirë, një vend më të mirë. Unë nuk e pata të thjeshtë të dal në protesta. Edhe nesër nuk do ta kem të thjeshtë, por ama e bëra për vendin tim, për shtëpinë time, për fëmijët që do të kem, që uroj të mos më braktisin, njëlloj si ju kur ky vend të mos jetë ende ashtu si e doni ju.
Burimi: luelamyftari.wordpress.com