Gjergj Bojaxhi drejt krijimit të një subjekti politik?
Teksa në Tiranë janë numëruar rreth gjysma e fletëve të votimit ajo që të bën përshtypje është rezultati i kandidatit të pavarur Gjergj Bojaxhi.
Eshtë një grupim intelektualësh dhe të rinjsh që e mbështetën këtë kandidat dhe duhet pranuar se rezultati i tyre është pozitiv po të kihet parasysh fakti që kushtet e garës për Bojaxhiun nuk ishin të barabarta.
Ai nuk kishte mjetet financiare që patën tre apo më shumë parti që kandiduan, nuk kishte të njëjtin akses në media dhe sigurisht nuk mundi të bëjë fushatë të plotë jashtë zonës urbane të Tiranës.
Por aktualisht ai vazhdon të qëndrojë në kuotat e 5-6 përqind e ndoshta mund ta shtojë këtë rezultat.
“Historia Ime” mundi të komunikojë me burime pranë Bojaxhiut që u shprehën se ata kanë një plan të qartë për të vazhduar betejën politike.
Por sa deputetë do të mund të nxirrte në zgjedhjet parlamentare një subjekt politik i ri i drejtuar nga Bojaxhi ?
Nëse do të ishte në këto nivele dhe nëse këto zgjedhje do të ishin zgjedhjet politike jo vendore, atëherë gjasat janë që Gjergj Bojaxhi dhe ndoshta dhe një kandidat i dytë prej tyre në listat e Tiranës të ishin në Kuvend.
Ndërkohë është dhe një fakt tjetër që duhet patur parasysh. Njerëzit ishin të qartë se shanset e Bojaxhiut për të fituar këto zgjedhje ishin të pakta dhe ky fakt nuk inkurajon shumë mbështetësit e tij që të dalin në votime.
Por nëse këto do të ishin zgjedhjet për në Parlament me siguri votat për Bojaxhiun do të ishin më të shumta dhe kjo do të inkurajonte më shumë njerëzit për të votuar.
“Me llogaritjet tona ne mendojmë se në një situatë të atillë do të mund të dërgonim në Parlament 4-5 deputetë”, tha një prej njerëzve të afërt në fushatën e Gjergj Bojaxhi. Pyetjes se a do të vazhdojnë më tej ai u përgjigj shumë shkurt: “Po”.
/K. Pinderi/