Fuqizimi i gruas, fuqizon njerëzimin – Përfytyrojeni atë!
Nga Helen Clark*
Këtë javë Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave do të festojë përvjetorin e 20-të të Deklaratës së Pekinit dhe të Platformës për Veprim, e cila përbën dokumentin më të mirë në botë për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e gruas. Rishikimi i këtij udhëzuesi largpamës, i miratuar në Konferencën e Katërt Botërore për Gratë në vitin 1995, është një mundësi për të festuar përparimin e botës drejt garantimit të të drejtave dhe mundësive për gratë dhe vajzat, si dhe për të ripërtërirë dhe ripërsëritur angazhimet për arritjen e barazisë gjinore.
Një nga arritjet më të mëdha të Platformës për Veprim të Pekinit ishte pranimi i qartë dhe i hapur se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Që prej mbledhjes historike në Pekin, ku 17 000 delegate dhe 30 000 aktiviste u mblodhën për të shprehur dhe për të treguar mbështetjen e tyre për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, gjithnjë e më shumë po pranohet se, përveçse është një e drejtë e njeriut, barazia gjinore është gjithashtu thelbësore në përparimin e zhvillimit. Nëse gratë dhe vajzat nuk mund të realizojnë plotësisht të drejtat dhe aspiratat e tyre në të gjitha sferat e jetës, do të ketë pengesa në zhvillim.
Sot pas njëzet vjetësh, mund të shohim progresin dhe sfidat në të dymbëdhjetë fushat me rëndësi kritike, të parashtruara në Platformën për Veprim të Pekinit. Barazia gjinore në arsimin fillor është arritur, por shkalla e përfundimit të arsimit dhe cilësia e tij nuk janë të larta në të gjitha vendet. Ka më shumë gra të zgjedhura në poste publike – rreth 21% e anëtarëve të parlamenteve nëpër botë janë gra, dhe ka një rritje nga niveli 11% në vitin 1995, por jemi ende larg nga barazia. Numri i grave në forcën e punës është më i larti i të gjitha kohërave, por në përgjithësi gratë fitojnë më pak se burrat dhe, si në vendet e pasura ashtu edhe në vendet e varfra, mbajnë një peshë të pabarabartë të punës së papaguar për kujdesin në shtëpi, gjë e cila i pengon dhe u merr kohë nga veprimtari të vlefshme, si fitimi i të ardhurave, përfitimi i aftësive të reja dhe pjesëmarrja në jetën publike. Dhe ndërsa ekzistojnë më shumë ligje për të mbrojtur gratë nga dhuna, dhuna seksuale dhe dhuna me bazë gjinore vazhdon të ndodhë në çdo kontinent dhe në çdo vend, shpesh duke arritur nivele të frikshme aty ku ka luftë dhe konflikte.
Fatmirësisht, ekziston një nxitje inkurajuese jo vetëm për të rinovuar premtimet e Pekinit, por edhe për të trajtuar çështje të cilat nuk ka qenë në qendër të vëmendjes në vitin 1995, si nevoja për të garantuar pjesëmarrjen e grave në përgjigje të ndryshimeve klimatike, ndërtimin e paqes dhe sigurisë dhe në ofrimin e ndihmës për të nxjerrë vendet e tyre nga kriza. Çështje të tilla janë thelbësore në përpjekjet e PNUD-it për t’i ndihmuar vendet partnere në ngritjen e aftësisë përtëritëse për të ruajtur rezultatet e zhvillimit. Nëpërmjet nxitjes së barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave si përfaqësuese të ndryshimit dhe drejtuese të proceseve të zhvillimit që formësojnë jetët e tyre, PNUD parashikon një botë më përfshirëse, më të qëndrueshme dhe më fleksibël.
Sot është Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila këtë vit ka si lajtmotiv temën “Fuqizimi i gruas, fuqizon njerëzimin – Përfytyrojeni atë!”. Bashkohuni me mua në mbështetje të kësaj thirrjeje për të përmbushur premtimet e bëra në Pekin përpara 20 vjetësh dhe për të pasur një botë ku çdo grua dhe vajzë të ketë mundësinë për të përmbushur potencialin e saj dhe për të gëzuar të drejta dhe status të barabartë.
* Helen Clark është Administratore e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe ish-Kryeministre e Zelandës së Re