Fundi po vjen
Historia Ime dhe mbeshtetesit e saj jo detyrimisht ndajne te njejtin qendrim me opinionin me poshte. Autori eshte aktivist politik. Ai eshte nje prej te mbijetuarve te tragjedise se Gerdecit.
Shqiptarët sot janë më të varfer, më të papunë, më të pasigurt për jetën dhe për të ardhmen e tyre ndërsa kryeministri sot mund të përshkruhet me një nga thëniet e kryeministrit të parë të shtetit Shqiptar Ismail Qemali “Armiku i popullit të tij nuk mund të jetë kurrë mik i popullit tonë apo i ndonjë populli tjetër…”. Unë besoj që Sali Berisha është armiku i popullit tonë për dy arsye: E para është krijimi i firmave të famshme piramidale që shkaktuan 97” tronditëse për një popull që sapo kishte mësuar të ecte. E dyta është dështimi që pati kur erdhi në pushtet në vitin 2005. Slogani ishte “me duar të pastra” por duart shumë shpejt u bënë duar të lyera me gjak të pafajshmish.
Sali Berisha pretendon se është rasti i të vërtetës dhe se Shqiptarët duhet të besojnë atë. Edhe për një moment të gjithë ne e besuam, por nuk e besuan ata, ndërkombetarët. Na refuzuan duke na përplasur në surrat dyert e tyre. Duke na thënë jeni ngelesa, nuk pranojmë presionin, duhen rezultate. Por kryeministri plak dhe i rrjedhur vazhdoi dhe më tej duke thënë që opozita e ka fajin, që nuk e morëm statusin, ata janë fajtorët e vërtetë. Natyrisht që opozita e mori koston duke mos dhënë votën siç e dha për amnistin e duke mos e dhënë për miratimin e tre ligjeve. Dua të shkojë përtej këtij naiviteti që e beson vetëm Grida, Mesila, e pse jo edhe Jozefina.
Shqipëria nuk e mori statusin sepse nuk ka shkolla, nuk ka universitete, ka familje që sot vdesin për bukën e gojës, nuk ka spitale, nuk ka administratë që të jetë në shërbim të popullit por ka administratë që është në shërbim të xhepit të saj madje dhe të djalit të kryeministrit. Shqipëria nuk e mori statusin sepse dhuna ndaj gruas sot është më e përhapur se kurrë. Shqipëria nuk e mori statusin sepse sot ka familje që vdesin për bukën e gojës dhe për këtë mjafton të shkojmë në qytetin e vogël të Gramshit, ku sot e tre muaj më parë invalidët nuk kanë marrë asistencën që ju takon. Shqipëria nuk e mori statusin sepse sot nuk ka spitale, madje dhe në rastin që ka spitale ku duhet të shërohesh ti sëmuresh, edhe risjell në kujtesën tonë sëmundjen me SIDA që morën tre të fëmijë në spitale. Shqipëria nuk e mori statusin sepse ka gjakëmarrje dhe një qeverisje inekzistente ndaj këtij fenomeni.
Shqipëria nuk e mori statusin sepse nuk ka gjykata ku fajtori të marri dënimin e merituar e jo të ndodhë e kundërta kur viktima shpallet i fajshëm e krimineli i pafajshëm. Nuk na e dhanë statusin sepse siguria e jetës nuk ekziston për këtë mjafton të shohim rubrikën Shqipëria tjetër ku njerëzit pak metra larg Tiranës organizohen me armë në krahë për të mbrojtur shtëpitë e tyre nga frika se mos banditët shkojnë dhe i vënë flakën. Fundi ishte i dhimbshëm për të gjithë ne popullin e thjesht opozitar apo mazhoritarë, sepse humbëm ne e jo ju të dashur politikanë. Por fundi i fundit po vjen dhe ajo është përmbysja e këtij sistemi postkomunist që nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shkaktuar dhimbje ndaj këtij kombi. Fundi po vjen dhe ai është i lumtur për Shqiptaret pasi dhe rrethe 6 muaj dhe ne do përmbysim komunistin e fundit në Ballkan.
Bota nuk do përmbyset më 21 dhjetor e shkaku është që Shqiperia nuk e mori statusin e vendit kandidat. Kjo është e vetmja arsye pse unë besojë që bota nuk do shembet pasi kjo botë nuk mund të shembet pa dënuar krimet e komunistit të fundit të ballkanit që është në pushtet.
Nga Geraldo Durda