Europa reagon kur i vjen mortja në derën e saj
Nga Mentor Kikia
“Sikur ti kushtonit kaq shumë vëmendje masakrës së Rugovës, ky kriminel serb sot do të ishte dënuar. Ndjej dhimbje për qytetarët francezë, por jo për flamurin francez…Ky flamur që i furnizoi serbët për të masakruar vendasit e mi….”. E shkëputa këtë status nga faqja e një personi në Facebook.
Eshtë e vërtetë që ka një reagim masiv botëror kundër terrorit në Paris. Duke lënë mënjanë qytetarët e thjeshtë që kanë zëvendësuar foton e tyre me flamurin francez në rrjetet sociale. Shtetet janë bërë bashkë, sa nga solidariteti njerëzor aq edhe nga frika se të gjithë janë të ekspozuar njësoj para këtij armiku të padukshëm e të pamëshirshëm, sic është terrorizmi.
17 vjet më parë, shteti terrorist serb,(jo terroristë të dalë duarsh, por vetë shteti) masakronte, po ashtu siç terroristët e ISIS tani, njerëz të pafashjshëm nëpër shtëpi, bodrume e hangarë, ku i grumbullonin si pengje. U deshën shumë viktima që Europa të pranonte se në Kosovë po bëheshin masakra. Franca ishte aleatja më e madhe e Serbisë pas Rusisë dhe ajo e disa vende të tjera nuk e ndryshuan qëndrimin edhe kur bota u drodh para imazheve të masakrave.
Edhe sot, Europa e trajton Serbinë me delikatesë, sikur ka frikë mos i mbetet hatri. Serbia merr benefite politike dhe ekonomike meqë po pranon të bisedojë më Kosovën, a thua ishte Kosova që e vrau dhe masakroi. Franca i nisi vrink avionet drejt Sirisë, por kur SHBA nisi bombardimet në Kosovë, burokratët në sallonet e Parisit vazhdonin të lobonin pro Serbisë.
Një francez i pafajshëm, një britanik, një amerikan, apo edhe një arab, vlen po aq sa edhe një kosovar i pafajshëm. Nëse në Siri nuk ka kush t’i kërkojë ndjesë familjeve franceze, në Serbi ka kush t’u kërkojë ndjesë familjeve kosovare dhe Europa duhet ta imponojë këtë.
Megjithatë, ne sot të gjithë jemi dhe duhet të jemi me Francën, për të luftuar një të keqe që kërcënon jo vetëm Francën, jo vetëm jetën e njerëzve të pambrojtur e të pafajshëm, por tërë qytetërimin global.