Shprehja e hasur”Zgjedhja jonë është e vetmja përgjigjje në jetë” është për mua fjalia magjike që kam filluar ta përdor çdo ditë kur gjendem e humbur në rrugët e shumta të realitetit. Por, nëse vetëm zgjedhja jonë është ajo që na duhet pse komplikohen gjërat vallë?
Problemi qëndron se procesi i të zgjedhurit është pjesa më e vështirë në jetë. Ka pafund opsione me një pafundësi rezultatesh, prandaj s’mundemi dot kurrë të kuptojnë cila është e duhura për ne. Nuk po shprehem më e mira sepse është koncept relativ dhe subjektiv, i cili shihet në këndvështime të ndryshme nga njerëz të ndryshëm.
Zgjedhja e Bashkimit Europian për mua është një nga ato të duhurat. Dhe kur e di cila është rruga e duhur sa kohë të duhet për ta arritur nuk ka rëndësi, sepse ti tashmë e di se cilat hapa të ndërmarrësh. Gjthashtu, me kë do i ndërmarrësh këto hapa ka rëndësi po aq sa edhe rruga që ndjekën.
Një një botë ku secili është ndryshe, ne jemi të barabartë. Të gjithë jetojmë, kërkojmë diçka nga jeta, arrijmë ose humbim diçka. Të gjithë jetojmë në mënyra të ngjashme. Nuk ka shumë diferencë në procesin e të jetuarit. Mirëpo, megjithëse jetët tona janë thuajse të njëjta, ka momente që shkëlqejnë kur hyjnë në jetën tonë jetë të tjera. Me të gjithë së bashku, rruga bëhet më e shkurtër dhe e lehtë. Pse ndodhi kjo? Rruga mbeti e njëjtë, por tanimë ne e shohim ndryshe. Nuk është më një rrugë, por një qëllim drejt një realiteti të synuar dhe të përbashkët.
Për mua, Bashkimi Europian është një përpjekje për një Europë që është një, e bashkuar përtej anës ekonomike. Mënyra si e shoh unë BE-në është si një formë apo përpjekje uniteti dhe bashkimi të njerëzve të ndryshëm për të përfituar në mënyrë të barabartë nga të drejta të njëjta, që ata i meritojnë njëlloj. Pra, që t’i dhurojmë mbështetjen tonë të tjerëve dhe të bashkëpunojmë duke dhënë e marrë nga njëri tjetri, pa iu përmbajtur kufinjve shtetërorë si një vijë ndarëse dhe kufizuese.
Jeta është një lojë dhe për secilin prej nesh duhet të ketë rregulla të njëjta. Secilit duhet t’i krijohem të njëjtat mundësi për të fituar. Të bashkohemi dhe të t’i afrojmë këto ndryshime nuk ka qenë kurrë kaq e nevojshme dhe e natyrshme për t’u bërë.
Ndryshimet nuk duhet të paraqesin kufizime, kur janë një mënyrë për të treguar vlerën e shtuar, që ne i sjellim dhe japim kësaj bote, secili në mënyrën e tij unike.
Mirëpo, pse duhet të zgjedhim BE-në?
Për arsye se ne meritojmë të jemi pjesë e këtij bashkimi për të përqafuar të njëjtat të drejta për një Europë që është një.
Për arsye se shprehja “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, që nxirret me britma dhe gjithë shpirt nga shqiptarët, mund të realizohet vetëm duke qënë pjesë e BE-së.
Për arsye se shqipëtarët e meritojnë një fillim drejt një fundi të lumtur.
Për arsye se unë dua ta shoh të ardhmen e Shqipërisë së bashku dhe përkrah vendeve të tjera, duke iu treguar nipërve dhe stërnipërve të mi se ne bëmë zgjedhjen e duhur.
Për arsye se s’dua që shqiptarët të shpërndahen nëpër vende të ndryshme të Europës, kur mund të jenë pjesë e saj dhe ta kenë Shqipërinë të denjë për t’i përkushtuar ëndrrat dhe jetën e tyre.
Për arsye se unë ende besoj tek Shqipëria dhe fuqia e saj për të ndryshuar dhe u kthyer në rrugën e duhur.
Për arsye se BE nuk duhet të mbetët një ëndërr apo një e ashtëquajtur përrallë që s’ka asnjë bazë realiteti.
Për arsye se unë dua dhe shpresoj se një ditë të bukur, pavarsisht motit do jem në gjendje të dal dhe bëj një udhëtim në Europë dhe të më duket si një shtëpi e dytë, jo si një vend i largët dhe e huaj.
Për arsye se unë, fëmijët dhe e ardhmja e këtij vendi meritojnë të jetojnë në mënyrën e “duhur”.
Për arsye se fundi i kësaj eseje meriton një zgjedhje që duhet bërë dhe një iniciativë për ndryshim.
….
Mund të listoj akoma arsye. Arsyet variojnë, por konkluzioni mbetet i njëjtë.
Unë zgjedh Bashkimin Europian. Unë e bëra zgjedhjen e duhur.
Shqiptarët e kanë zgjedhur me kohë BE-në. Mirëpo hapat nuk janë nisur dhe ndërmarrë akoma.
Dhe shpresoj shumë që ai të më zgjedhë mua, të na zgjedhë ne, … shqipëtarëve, në mënyrë që të takohemi në mes të rrugës kur të kemi nisur këto hapa.
Sqarim: Punimet e eseve nuk përfaqësojnë qëndrimin e redaksisë “Historia Ime”, por vetëm qëndrimin e autorit/es.
Në kuadër të iniciativës ‘’Mbështetja e shoqërisë civile për zbatimin e aktiviteteve të ngritjes së kapaciteteve për të rritur mbështetjen e shoqërisë civile në zhvillimin e politikave të dialogut dhe rritjen e ndërgjegjësimit në proceset e integrimit Evropian’’ i financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe i zbatuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Qendra Streha në bashkëpunim me ‘’Të Bashkuar Pro Kauzës LGBT (PRO LGBT) – ‘’Unë Zgjedh Bashkimin Evropian’’.