E vërteta e martesave gej në reformën e drejtësisë
Nga Kristi Pinderi
Ata që kundërshtojnë reformën në drejtësi me argumentin se nëse ajo miratohet do hapë rrugën e miratimit të martesave gej, janë njerëz të fesë apo politikanë që ushqejnë axhenda fetare në politikë, të cilët kërkojnë jo të mbrojnë konceptin e familjes, por tu refuzojnë njerëzve të drejtën për të mos u diskriminuar.
Ka dy koncepte ligjore brenda Kushtetutës aktuale që adreson këtë “shqetësim”.
Njëri koncept ka të bëjë me mbrojtjen e njerëzve nga diskriminimi.
Neni 18 i Kushtetutës, pika e dytë thotë:
“Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore”.
Propozimet e fundit në kuadër të reformës në drejtësi parashikojnë që këtij neni që mbron të paktën 90 apo 95 përqind të popullsisë ti shtohet edhe koncepti “orientim seksual apo identitet gjinor”. Që do të thotë që, nëse Kushtetuta e Shqipërisë mbron muslimanët, katolikët, ortodoksët nga diskriminimi, apo romët, grekët, serbët, a etnitë e tjera, apo komunistët, të djathtët, të majtët, apo personat me aftësi të kufizuara fizike apo mendore, apo njerëzit që i kanë patur prindërit komunistë a fashistë, apo të varfërit, të pasurit vetë, etj etj, pse mos mbrojë kjo kushtetutë nga diskriminimi edhe qytetarët LGBTI?
Kushtetuta ashtu siç është mbron edhe gratë, edhe qytetarët e etnive të tjera, edhe ata qytetarë që filozofikisht mendojnë ndryshe nga shumica, apo votojnë ndryshe nga shumica, apo janë ndryshe nga shumica. Vërtet, pse kjo kushtetutë të mos përfshijë në mbrojtjen e saj edhe gejtë, lezbiket, biseksualët, transgjinorët, etj?
Ama vetëm fetarët (të cilët gjithashtu janë minorancë në Shqipëri) kërkojnë që një komunitet tjetër, siç janë LGBTI të mos mbrohen siç mbrohen edhe ata nga Kushtetuta.
Kjo, është hipokrizi në formën më klasike të saj dhe ligësi në formën më tipike.
Koncepti i dytë ligjor i sanksionuar në Kushtetutë ka të bëjë me të drejtën e çdo njeriu për të krijuar familje.
Në nenin 53 të Kushtetutës aktuale shkruhet e zezë mbi të bardhë: “1. Cdokush ka të drejtë të krijojë familje. 2. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit. 3. Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj”.
Ky është neni që ka lidhje me martesën, jo neni më lart kundër diskriminimit. Ky nen i familjes nuk do ndryshohet, nuk është propozuar të ndryshohet dhe nuk ka asnjë nismë për ta ndryshuar.
Atëherë pse priftërinjtë apo imamët a pastorët, të cilët me ligjet e këtij vendi paguhen nga taksapaguesit shqiptarë pavarësisht nëse këta që paguajnë taksat janë gej apo jo besimtarë apo jo, e kundërshtojnë reformën në drejtësi?
Ka dy përgjigje: Ose priftërinjtë (dhe jo LGBTI) besojnë se nëse komuniteti LGBTI mbrohet që në kushtetutë nga diskriminimi, atëherë çdo ligj tjetër që i afekton ata është antikushtetues e për pasojë do duhet edhe ai ligji tjetër (në këtë rast Kodi i Familjes) të ndryshojë, ose priftërinjtë dhe imamët kërkojnë që në këtë vend ata të kenë privilegje, ndërsa qytetarë të tjerë të mos kenë të njëjtën mbrojtje nga diskriminimi.