E KUJT ËSHTË TIRANA?
ELIDOR MËHILLI
Kryeqyteti shqiptar është shtrirje në hapësirën e luftës për pushtet. Kështu ka qenë për 94 vjet, që nga dita kur Tirana u shpall kryeqytet. Kështu është edhe sot. Pushtetarët ndryshojnë; marrëzia e Tiranës jo. Planet urbanistike mbeten në letër, pozat e marra borxh nga Perëndimi mbushin ekranet, “debatet” shpërngulen nga studiot televizive nëpër ambiente të hapura. Arkitektët e shtrenjtë vijnë e shkojnë. Por çakërdisja e Tiranës nuk zbutet.
Gabimet me Tiranën, herë-herë, janë bërë nga injoranca, që në këto troje shpesh është ngatërruar me besnikërinë politike. Por nuk është se kanë munguar të diturit e të aftët — porse këta kanë mbetur në mëshirë të beniaminëve politikë. E papërgatitur për të qenë kryeqytet, Tirana që në fillim iu nënshtrua vullnetit të pushtetarëve. Ndërsa këta, të zënë me luftën me njëri-tjetrin, ndërtuan një kryeqytet si veten: në luftë të vazhdueshme.
Që historia e Tiranës është një katalog gabimesh urbanistike, një dëshmi monumentale e dëmit që mund të bëjë babëzia e veshur me pushtet, duket tek arkivat. Aty nga vitet ’30, Tirana filloi të shfaqte shenjat e para të dyzimit: njëra gjysmë filloi të fliste me shprehjet e perandorisë së Musolinit, tjetra vazhdonte në dialektin e Perandorisë së vdekur Otomane.
Në këtë betejë hynë edhe udhëheqësit komunistë. Në vitin 1948, Byroja Politike vendoste se Tirana do të duhej të ishte një qytet industrial, fole për “ngritjen e proletariatit”. Mirëpo planet për qytetin mbetën gjysmake. Trashëgimia italiane nuk u rrafshua tërësisht (edhe pse propozimet nuk munguan). Obsesioni me industrinë e rëndë i kushtoi kryeqytetit. U ndërtuan fabrika, kombinate, e uzina, por plani i parë rregullues u miratua vetëm në vitin 1958, ndërsa qendra e Tiranës u la për një zgjidhje “të mëvonshme”.
Kjo zgjidhje u propozua në vitin 1964, për t’u ndryshuar sërish një vit më vonë. Në vitin 1974 u paraqit një plan-ide tjetër për qendrën, por as kjo nuk ishte e thënë të realizohej. Ishte koha e luftës groteske kundër “ndikimeve të huaja”, kur anëtarët e Byrosë bëheshin edhe arbitra të egër të arkitekturës dhe artit.
Ndërkohë, në Tiranë vazhdonin ndërtimet me studime të pjesshme: Pallati i Kulturës, hoteli i madh, Muzeu Kombëtar, Komiteti i Partisë, të cilave u ndryshonte vendi me çdo skicë-ide të re që paraqitej për miratim “lart”. Zgjidhja e sheshit “Skënderbej”, sidomos në kahun perëndimor të tij, vështirësohej me çdo ndërhyrje të pjesshme në qendër. Sa për planin rregullues, u desh të pritej deri në fund të viteve ’80, kur u bë një studim serioz, por që përfundoi si relikte e sistemit të vjetër.
Shteti komunist shqiptar, që kishte fuqi të padiskutueshme të ndërtonte hidrocentrale e komplekse metalurgjike, nuk e zgjidhi dot qendrën e Tiranës. Vazhdonte me planet e “fashistëve italianë”. Kjo vinte edhe ngaqë aparatçikët komunistë e shihnin arkitekturën, por edhe urbanistikën, thjesht si nëndegë të ndërtimit, jo si fushë më vete, me problematikën e saj. Por, me gjithë këtë luftë që i bëhej arkitekturës, vetë centralizimi i skajshëm shtetëror e mbante qytetin nën kontroll. Në krahasim me katrahurën urbane që vijoi, Tirana e fundit të viteve ’80 dukej e sistemuar, edhe pse e mjerë në ngjyra.
Po sot? Vazhdimësia e praktikave të lë pa fjalë. Ndërsa dje Tirana ishte peng i një kursi të marrë utopik dhe dhunimit të arkitektit e urbanistit, sot është peng i një zhvillimi që na paraqitet si shëmbëlltyrë e tregut të lirë, por që në thelb është një lloj lufte utopike me qytetin. Me gjithë kioskat, shkatërrimet, rindërtimet, rishkatërrimet, konkurset e bujshme, konsultat e lodhshme me publikun që duartroket, Tirana është ende pa qendër. Premtimet dhe imazhet futuriste nuk mungojnë. Por qendra ka mbetur e njëjta shkretëtirë si gjysmë shekulli më parë (“shkretëtira e tartarëve” e ka quajtur dikur arkitekti Maks Velo).
Me çdo ndërrim pushteti, është ndërruar edhe qendra, janë ndërruar edhe arkitektët e preferuar. Sepse zgjedhjet për Tiranën ndiqen me kujdes jo vetëm në Bllok apo Kombinat, por edhe në Holandë apo gjetkë, ku arkitektë e artistë të lidhur me këtë apo atë politikan, i kanë projektet gati.
Tirana vazhdon të jetë qytet i paplanifikuar, por me dhjetëra plane – italiane, sovjetike, shqiptare, franceze, belge, zvicerane, demokratike — ku banorët luftojnë përditë me betonin. Sigurisht, gjithmonë për faj të kundërshtarit.
Kjo është Tirana sot: kryeqytet aksidental, e mbipopulluar, me kujtesë historike të kërcënuar, me shumë beton e lajlelule, me shumë plane rregulluese, por pak rregull, me tramvaje imagjinare dhe me gropa galaktike. Ka një Tiranë që është, dhe një Tiranë që mund të kishte qenë. Tirana është pra dëshmi se çfarë i ndodh një qyteti kur urbanistika mbetet peng i ideologjisë së djeshme, i egos së kryetarit apo korrupsionit. Lufta për pushtet, që duhet të nxiste zhvillim, vazhdon të nxisë më shumë luftë.
Qejflinjve ekzotizues perëndimorë dhe kuratorëve turistë aq të kërkuar nga institucionet shqiptare të kulturës, kaosi i Tiranës u duket interesant. Por në thelb, ky kaos dëshmon për një luftë për mbijetesë. Kështu që, Tirana është edhe provë e gjallë se sado pa mëshirë të përdhoset qyteti që na përket të gjithëve, sado të shkelmohet, sado të betonizohet, qyteti mbijeton. Mbijeton edhe kur administrohet si taraf, edhe kur i nënshtrohet një pushteti tribal, edhe në mjerim mbuluar me statistika që as ata që i japin nuk u besojnë. Mbijeton edhe kur ata që dinë të ndërtojnë një qytet përqeshen e mënjanohen. Në luftë me vetveten, Tirana është edhe dëshmi e mbijetesës shqiptare në zgrip të vetëshkatërrimit.