Drojë për përshkallëzimin e trazirave në Maqedoni
Përgatitja e opozitës për goditjen përfundimtare ndaj qeverisë në demonstratën e së dielës (17.05) rrit shqetësim për demokracinë e brishtë në Maqedoni. Gruevski po mobilizon mbështetësit e tij për kundër-demonstrata.
Tensionet politike në Maqedoni po rriten në valën e përgatitjes së demonstratës së madhe të opozitës kundër qeverisë së kryeministrit Nikola Gruevski. Demonstrata e masive e planifikuar për në 17 maj synon largimin e Gruevskit dhe partisë së tij konservatore VMRO-DPMNE nga pushteti, që ai e mban qysh nga viti 2006.
Zoran Zaev, lideri i opozitës socialdemokrate të Maqedonisë, ka shpallur protesta “që do të vazhdojnë derisa qeveria të japë dorëheqjen.” Që nga fillimi i muajit mars të këtij viti, Zaev është duke bërë publike bisedat e regjistruara nga përgjime masive, në të cilat bëhet fjalë për korrupsion dhe kontrollin ndaj drejtësisë e medias prej gruevskit dhe qeverisë së tij.
Gruevski mohon çdo akuzë për shkelje dhe pretendon se Zaev është peng në një komplot ndërkombëtar të mbështetur nga shërbimet e huaja të inteligjencës kundër qeverisë së tij.
Në një përpjekje për t’i zbutur tensionet, Gruevski kërkoi dorëheqjen e tre nga bashkëpunëtorët e tij më të besuar: Ministres së Brendshme Gordana Jankullovska, ministrit të Transportit Mile Janakieski dhe kryetarit të Shërbimit Sekret Sasho Mijalkov. Që të tre këta kanë qenë figurat kryesore të pushtetit të Gruevskit qysh nga viti 2006. Mijalkov, i cili është edhe kushëriri i Gruevskit, konsiderohet si një nga njerëzit më të fuqishëm në vend, ndonëse paraqitjet e tij në publik janë shumë të rralla.
“Këto dorëheqje e kanë dëmtuar imazhin e Gruevskit si një lider i fortë që jepet ndaj presionit, nuk pranon apelet për dorëheqje”, – thotë për DW analisti politik dhe ish-diplomati Arsim Zekoli.
Për opozitën, e cila e ka bojkotuar parlamentin që nga zgjedhjet e fundit në vitin 2014 duke pretenduar se zgjedhjet janë manipuluar, dorëheqjet “nuk janë të mjaftueshme”. Ajo kërkon krijimin e një qeverie të përkohshme, që të organizojë zgjedhje të reja, pasi Gruevski të japë dorëheqjen. Ky skenar po gjen gjithnjë e më shumë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Por lëvizjet e fundit të Gruevskit flasin për diçka tjetër. Një ditë pasi ministrat dhanë dorëheqjen, më 12 maj, burime që duan të mbeten anonim, nga radhët e VMRO-DPMNE i thanë DW-së, se Gruevski po planifikon për në 18 maj “demonstrata të mëdha kundër” manifestimit të opozitës. Mediat në Maqedoni raportojnë se “100.000 njerëz janë mobilizuar për të mbrojtur interesat kombëtare dhe shtetërore”.
Ndërkohë, mediat pro-qeveritare kanë nisur një fushatë të re propagande përmes një videoje të publikuar në YouTube, ku Zaev akuzohet se ka marrë një ryshfet prej 200.000 €. Zaev e ka mohuar këtë akuzë, duke thënë se burimi i videos në YouTube është ose policia, ose prokuroria.
/Deutsche Welle