Do ma dëgjoni një mendim znj. Hafizi dhe z. Blushi?
Nga Kristi Pinderi
Të nderuar znj. Hafizi dhe z. Blushi,
Nëse unë ju them se më frymëzoni, kjo mund të duket e shtirur për disa, e nxituar për disa të tjerë e gjithashtu ndoshta, – ndoshta, – mund t’ju bënte dëm më shumë se t’ju inkurajonte.
Sot në Shqipëri, të jesh përfaqësues i ndonjë minoriteti nuk është pasuri. Mund të jetë mallkim. Unë nuk jam zgjedhur nga komuniteti LGBTI për ta përfaqësuar atë komunitet, por njerëzit më asocojnë direkt me këtë kauzë e me këtë komunitet, ndaj shumë herë matem para se të flas, edhe kur flas në emrin tim personal.
Nuk do doja të isha një mallkim për ju. Ndaj po e ndryshoj fjalën “frymëzim” dhe po ju them se në vend të frymëzimit, unë ndjej, – të paktën një herë në këto 5-7 vitet e fundit, – se NDOSHTA, jam i përfaqësuar nga ju në Kuvendin e Shqipërisë.
Që nga viti 2000 kur unë mësoja zanatin e gazetarit duke u rropatur për të raportuar e për të mësuar si gazetar në ATSH, nuk e kam ndjerë asnjëherë mungesën shqetësuese të transparencës, siç e ndjej sot, në fund të vitit 2016, kur unë sërish e konsideroj gazetarinë si zanatin tim. Më duket e frikshme që sot nuk gjen më një media që ta lexosh, klikosh, ta presësh të botohet apo ta blesh me ëndjen që dikur (në kohën kur isha adoleshent) blinim e prisnim Koha Jonë, e më pas kërkonim të vërtetën te Shekulli, a Panorama e më vonë, shumë më vonë mezi prisnim versionin e përjavshëm të revistës Mapo, para se ajo të blihej e transformohej më pas në një tjetër letër të përditshme në tezga.
Kur të enjteve guxoni të flisni nga foltorja e Kuvendit e të nesërmen mos mbuloheni nga asnjë nga këto mediat tradicionale, edhe sikur gënjeshtra të thoni, mua më ngjallni respekt, sepse më tregoni qartësisht se sa keq është katandisur media në këtë vend. Më duhet ta them këtë edhe pse shumë njerëz ndoshta sot do ishin kundër meje. Më duhet ta them që ta nxjerr nga vetja e pastaj të kem mundësi të kërkoj llogari nga ju. Më duhet të jem i sinqertë, tani e jo më vonë, përndryshe s’do kem të drejtë të kërkoj më shumë nga ju!
Unë jam rritur nga një nënë e vetme, shëndeti i së cilës u shkatërrua në momentin kur në këto 20 e kusur vite iu desh të luftonte dyfish, e vetme dhe e pafavorizuar, për të mbajtur kokën lart e për të më rritur mua me dinjitet. Kur të enjteve, me gjithë përpjekjet e mia për ta mbajtur ulur zërin e televizorit se më bezdisin seancat plenare tërë fyerje, arrij të dëgjoj tek tuk nga ju që të flitet për njerëz të pafavorizuar e të lënë vetëm, si nëna ime e unë, më vjen mirë.
Sigurisht nuk ju besoj dot verbërisht se e keni seriozisht kur flisni për të varfrit, për shtresën e mesme apo për më të përjashtuarit në këtë shoqëri, se jeta në Shqipëri më ka rritur e bërë dyshues. Por në atë moment e ngre zërin e televizorit se dua t’ju dëgjoj… Janë 130 e kusur deputetë e deputete në atë sallë, e unë ndjej se asnjëri nga ata dhe ato nuk më përfaqëson në aspiratat, idetë e kërkesat e mia. Por juve, të paktën ju dëgjoj. Ju dëgjoj deri në fund.
Njerëzit besojnë se për shkak të dukshmërisë së atyre ideve tek të cilat unë besoj e për të cilat unë luftoj publikisht, duhet të jem një qytetar në mos brenda sistemit, i atashuar pranë sistemit! Nuk jam as brenda e as i atashuar pranë sistemit. Por këto vitet e fundit kam krijuar përshtypjen se e njoh mjaftueshëm këtë sistem sa të them me bindje, se një njeri si unë, ndihet krejtësisht i papërfaqësuar!
A më përfaqësoni ju sot, mua? Ende nuk e them dot, por të paktën, më bëni ta ngre zërin e televizorit…
Kjo është premisa, shenja e parë. Në rast se do donit një sugjerim nga një qytetar i zakonshëm si unë, duhet të dini se shumë si unë po presin më shumë:
Për shembull:
Çfarë mendoni ju konkretisht se duhet bërë në mënyrë që të varfrit të mos jenë më të varfër, që shtresa e mesme e profesionistëve të lirë, e atyre që kanë një biznes të vogël apo një ide si të punojnë ndershmërisht, të mos kërcënohen nga varfëria, nga mungesa e mbështetjes së shtetit, apo nga konkurrenca e padrejtë.
Çfarë do bënit ju më shumë për grupet më të marxhinalizuara në këtë vend, që janë, sipas mendimit tim: të moshuarit; komuniteti Rom dhe Egjiptian, të rinjtë deri në moshën 30 vjeçare, studentët, gratë kryefamiljare, të pastrehët, familjarët e rinj që mund të rrezikohen nga varfëria në çdo moment nëse njëri në familje humbet punën, fermerët që edhe tokën nuk e kanë 100 përqind në zotërim, edhe mjetet e punës nuk i zotërojnë, edhe pasigurinë e tregut e ndjejnë mbi supe.
Dhe mbi të gjitha, do doja vërtet të dëgjoja konkretisht se çfarë do bënit ju ndryshe nga qeveritë e deritanishme, për brezin e mijëvjecarit të ri, apo ata që sot në moshën 30 vjeçarë kanë mbi supe borxhet dhe kreditë më të pasigurta, punën më të pasigurt, e mbi të gjitha vuajnë nga mungesa e sigurisë për të punuar e jetuar me dinjitet në këtë vend. Para se unë të jem përfaqësues i LGBTI, jam së pari një nga këta 25-30 e pak vjeçarët që sot më shumë se kurrë kërkojnë të jenë të përfaqësuar nga politika që pastaj të mos arratisen nga ky vend.