Delir dëbore në Tiranë
Shoh, çfarë nuk shoh!
Të bëjnë atë që nuk ta pret mendja sytë.
Dëbora ka rënë mbi lulishtet e bukura të Tiranës. Pamja që shfaqet atje ku mbi gjethet e mimozave, mpleksur me sythet që sapo kanë nisur të bëhen të verdhë, flokë bore. Një mrekulli kombinimi i së verdhës, jeshiles dhe së bardhës.
Një qukapik ulet mbi pemë dhe flokët e dëborës bien mbi supet e dy të rinjve, vajzë e djalë, që rrinë ashtu të përqafuar në të ftohtë, në një stol druri.
Atje më tej, në sheshe të gjëra lulishtesh, me bar të gjelbërt, bora mbulon me vellon e saj lëndinat ose është hapur si fustan sfidues bukurosheje duke lënë të duken fije e barit që ngrenë kokën lart.
Qindra shkollarë kanë ardhur me mësuesit e tyre dhe lodrojnë mbi dëborë. Të veshur me këpucë të trasha, me pallto leshi, shaje të gjatë, me kapuçë në kokë, buçko, me faqet e kuqe. Luajnë duke bërë dhjetra bablokë bore. Bëjnë slitë. Më tej i gjuajnë njeri tjetrit me dëborë dhe qeshin sikur cicërijnë mijra zogj.
Më tutje kapronj që vrapojnë mbi dëborë. Janë të gjithë të vaksinuar.
Në sheshin me kalldrëm përtej qindra njerëz bëjnë patinazh mbi akull nën tingujt e fortë të një ritmi rroku. Rreth e qark pistës dhjetra kabina prej druri ku tregtohet verë e ngrohtë, sallamra, sanduiçe me lloj lloj djathrash të fermerëve tiranas, produkte bio, me qumësh lope rrace, tregtohet akullore, kafe, kakao e nxehtë.
Trotuaret janë të pastër borë, por pa pikë dëbore, akulli, ose balte mbi to. Puntorët e bashkisë kanë dalë që në mëngjes dhe me makinat automatike si robotë gjigandë, blerë nga taksat e pastrimit të banorëve, kanë fshirë të gjithë dëborën. Nga kanalizimet dalin avuj që vijnë nga uji i ngrohtë që rrjedh në to. Një sistem ngrohjeje i rrugëve qytetase në dimër që i bëjnë ato të mos ngrijnë. Edhe rrugët janë të pastra. Qindra vetura qarkullojnë me të shpejtë dhe prapa xhameve të tyre të mbuluar nga avujt mezi sheh fytyra vogëlushësh, të moshuarish, a grash e burrash, me këmisha, që udhëtojnë brenda mjediseve të ngrohura mirë.
Një qen ka nxjerrë kokën leshatore nga xhami i hapur i një veture. Duket ka nxehtë aty brenda.
Burrat me lopata të mëdha pastrojnë dëborën para dyerve të vilave ose hyrjeve të pallateve. E mbledhin borën në cepat e tyre, atje ku do të vijë ta marrin makinat e pastrimit.
Kudo ndihet dora e bashkisë. Punonjësit e saj, të prirë nga vetë zëvendës kryetari kanë dalë dhe po mbledhin bicikletat velib që të mos i dëmtojë dëbora dhe ngrica. Po ashtu në duar kanë shtresa kashte me të cilat do të mbledhin trungjet e të gjitha pemëve, në mënyrë që të mos kenë ftohtë.
Një gazetar ndalet dhe i pyet. Përgjigja ishte : “Sigurisht i mbledhim sepse kujdesemi për pasurinë e qytetit, përndryshe do të ishte një shpërdorim i dënueshëm edhe nga ligji! ”
Nga të gjitha oxhaqet e pallateve, atje lart, del tymi i bardhë që vjen nga sistemet e ngrohjes qendrore me gaz ose naftë.
Dritaret dhe dyert e ballkoneve të hapura. Banorët ajrisin shtëpitë. Një afsh i nxehtë del prej tyre.
Mijra njerëz në trolejbusat dhe tramvajet e qytetit. Pa zhurmë, të ngrohur brenda me gaz, këto mjete bartin brenda një higjene të paparë udhëtarë që të gjithë me kufje dëgjojnë muzikë, lexojnë romane, a hedhin sytë në faqe gazetash. Qindra të tjerë japin e marrin me tabletat e tyre të lidhura me rrjetin 5G.
Një zonjë e hijëshme nuk e di se përse fshiu me gisht sa për t’u zbavitur avullin e xhamit te dritarja pranë kolltukut të saj në tramvaj. Fatorinot të gjithë të veshur me kostume ngjyrë të kuqe.
Në sheshin kryesor, me dëborës, orkestra e Vienës, dirigjuar nga një maestro me origjinë nga Gramshi luan pjesë të Mozartit.
Ku shkojnë gjithë këta njerëz? Janë nga ata që punojnë pasdite. Drejtohen te teleferiku lart në Dajt. Atje janë pyejet me pisha dhe me dëborë. Dhjetra shkrimtarë dhe artistë kanë vilat e tyre prej druri ku shkruajnë poezitë dhe romanet e tyre. Atje janë stacionet e skive. Mijra njerëz skijojnë në pllaja dhe zbresin me shpejtësi në shpate mali drejt Fushë Krujës. Një pjesë ngjitet dhe që andej hidhet në ajër me parashuta lloj lloj ngjyrashe mbi qytet.
Një ditë e zakonshme dimri në Tiranë.
/Artan Fuga – Facebook