Brryli apo Bërryli?
Nga Ledi Shamku- Shkreli*
Lexova një polemikë të shkurtër për këtë instalacion në zonën e Tiranës që mban të njëjtin emër. Duhej shkruar “brryli”, pra siç është, apo “bërryli”, sipas drejtshkrimit. Diskutimet bëjnë gjithnjë mirë, se lënë hapur shtegun e ftillimeve; afërmendsh “ofshamat” për bjerrje gjuhe nuk janë pjesë e mendimit kritik shkencor.
Atëherë, po i hyj një arsyetimi të shkurtër gjuhësor. “Brryli” në këtë rast nuk është një emër i përgjithshëm i gjuhës shqipe, por ka funksionin e një MIKROTOPONIMI (emër zone). Si i tille, ai duhet t’i përmbahet jo drejtshkrimit, por mënyrës se si e thërrasin vendasit, dhe ky është kriter parësor për shkrimin e toponimisë, e cila është dorëzanë e kujtesës historike dhe gjuhësore. Nuk normohen toponimet dhe kjo është praktike e të gjitha legjislacioneve kulturore europiane që i konsideron toponimet si dëshmitare të kujtesës kolektive.
Kështu: Duke udhëtuar drejt jugut të Shqipërisë, gjejmë toponimin Trevllazën dhe jo Trevëllezër siç (ruajna Zot mund t’i tekej ta normonte dikush). Drejt veriut gjejmë Rana e Hedhun (jo rëra e hedhur). Rrugës për në Krujë kemi Prroj Fokës (jo Përroi i Fokës). Sapo dalim nga Tirana gjejmë Gjollë (jo Gjol). Duke marrë të përpjetën e Malësisë së Madhe (apo edhe pranë Velipojës), hasim në Rrjoll (jo në Rrjedhë siç do të “drejtshkrimohej”). Dhe lista vijon e gjatë. E gjatë është lista e i shkurtër është parimi: Toponimet dhe mikrotoponimet, edhe në qofshin emra të përgjithshëm të gjuhës shqipe, nuk i nënshtrohen normimit, por vullnetit kolektiv emërtues, pikërisht se duhet të ruajnë kujtesën e bashkësisë. Pra, shkurt e shqip: “Brryli” është shkruar siç duhet.
Tani edhe një kërshëri tjetër nga një gjuhëtare: Meqenëse po i referohemi drejtshkrimit të fjalës “bërryli”, duke u ankuar se po humbiskemi atë çka shekujt dhe përpjekjet ruajtën, dua t’ju bëj me dije, se pikërisht për hir të ruajtjes, Çabej ka pasur një polemikë të fortë në Kongresin e Drejtshkrimit për formën e saktë të kësaj fjale. Çabej ngulmoi që të shkruhej “brryli” dhe jo “bërryli”, pikërisht për hir të etimologjisë së fjalës, pra të ruajtjes së shekujve siç po thonë. Argumenti i albanistit ishte ngaqë në rrënjë të fjalës “brryl” qëndron fjala shqipe “ber” që do të thotë “hark” (ber është fjalë trungu e shqipes që na del për shembull të “beri i urës” = “harku i urës”.
Dhe njimend është pikërisht ajo pjesë ku krahu bën hark, ose shqip: ber. Mandej yl (ul) është një prapashtëse voglore (zvogëluese). Fjalë për fjalë “brryl” domethënë hark i vogël, sikundër edhe është. Ngulmi i Çabejt nuk u mor parasysh nga kongresi, por në shkrimet e tij ai vijoi gjithë jetën ta shmangë me vetëdije formën e vendosur “bërryl”, duke shkruar gjithnjë “brryl” siç mund të qëmtohet në shkrimet e tij. Ja pra që edhe drejtshkrimi, i cili nuk mund të zbatohet te toponimet, edhe drejtshkrimi i referuar pra paska edhe ai hallet e veta.
Dhe së fundmi, një ftesë e hapur për kryetarin e Bashkisë së Tiranës: Siç po bëjnë të gjitha vendet europiane rrotull nesh, mendoj se edhe bashkia mund të ndërmarrë një studim dhe ripozicionim të gjithë mikrotoponimeve të Tiranës me rrethina, sa s’janë shuar krejt ata që i kujtojnë. Pikërisht për hir të ruajtjes së kujtesës kolektive. Dhe natyrisht të padrejtshkrimuara.