“Blue Panorama – kjo mashtruese e madhe”
*Nga Aida Stamo
Në një situatë tjetër do të kisha ulur kokën dhe do të kisha pranuar fajin, që në fakt është aty: unë arrita në aeroport me vonesë. Më saktë, arrita në orën 16:00 dhe u gjenda në bankën e check-in të Blue Panorama në orën 16:02. Fluturimi im drejt Trevisos ishte i llogaritur për në orën 16:45. Kisha me vete vetëm një çantë shpine. Kisha provuar në ditët e mëparshme të bëja check-in online, por mundësia nuk ofrohej. Banka e check-init ishte bosh, e rrethuar me një zinxhir dhe në ekranin ku shkruhej emri i destinacionit, ishin të shfaqura fjalët: Check-ini mbyllet 45 minuta para orarit të fluturimit. Nuk më ka ndodhur kurrë më parë të humb fluturimin, ndaj u shqetësova.
“Duhet thjesht të hipi në avion.” mendoja “Nuk duhet të dorëzoj bagazhe stive… duhet thjesht të marr një copë letër (që nuk e merrja dot online) dhe të vazhdoj drejt kontrollit te aeroportit. Nuk ka mundësi!” Shkova në një bankë tjetër të Blue Panorama me destinacion Romën dhe e pyeta ne lidhje me check-inin tim. Punonjësja ktheu kokën dhe vuri re që banka ishte e mbyllur. “Qenka mbyllur.” tha, pastaj shtoi duke drejtuar gishtin në një cep te aeroportit “Shko interesohu njëherë atje, në kioskën e Blue Panorama.” U afrova tek kioska dhe pyeta një vajzë të personelit nëse mund të më ndihmonte. “Me sa duket kam ardhur 2 minuta me vonesë dhe nuk mundem më të bëj check-in. Nuk duhet të lë bagazh, kam vetem një çantë shpine.” Ajo u tregua e gatshme dhe u shkoi u ul në një kompiuter, në një nga bankat e mbyllura të check-init. Pas pak minutash erdhi tek unë dhe më tha “Nuk mundem të bëj asgjë, proçesi i pranimit në bord rezulton i mbyllur.” “Për më tepër” shtoi “avioni është plot.” “Si plot?” e pyeta unë me dyshim “Kush është ulur në vendin tim?” “Pyet përgjegjësen.” ma ktheu, duke drejtuar edhe ajo gishtin nga kioska e Blue Panorama.
U drejtova përsëri tek kioska për të folur me përgjegjësen. “Nuk mund të bëj asgjë.” ma ktheu ajo prerë “Herë tjetër hajde në orar.” “E kuptoj.” i thashë unë “Ke të drejtë. Pavarësisht që më duket pak absurd zbatimi me kaq përpikmëri i mbylljes së check-in në një vend të mbuluar nga kaosi dhe rrëmuja.” Ajo e zbuti pak tonin dhe më tha, “Në një situatë tjetër do të kisha bërë lëshim. Sot nuk mundem, sepse keshtu i kemi urdhrat.” “Nëse do të kisha bërë check-in online, tani nuk do të isha duke folur me ju.” i thashe “Problemi është që ju nuk ta ofroni këtë mundësi.” “Kompanitë low-cost nuk kanë check-in online.” ma ktheu ajo, duke më përmbysur një nga idetë themelore që kisha krijuar mbi kompanitë ajrore ekonomike, gjatë udhëtimeve të mia në vitet e fundit.
E kuptova që ishte e kotë. E kisha humbur atë fluturim. Dikush tjetër ishte ulur në sediljen ku duhet të ulesha unë dhe do të fluturonte në orën 16:45 drejt Italisë. Nuk isha më e nevrikosur sepse humba udhëtimin, por sepse kuptova që e vetmja arsye për mungesën e check-init online dhe korrektësisë së tyre të çuditshme në mbylljen e përpiktë të check-init në aeroport (duke mos konsideruar as vonesa prej 2 minutash) ishte shmangia e rimbursimit për biletat e shitura përmbi kapacitetin e avionit.
/l.k./