Becchetti nuk është shenjt, por askush nuk e burgos dot në bazë të dyshimeve
Për Andi Bushatin, Francesco Bechetti nuk është shenjt dhe aq më pak bamirës.
“ Nuk ka ngjarje më të shpifur gazetareske. Nuk ka lëpirje më të shëmtuar përballë një pronari bos, të cilit i sillen në studio njerëzit, të cilëve u ka paguar kurimin e fëmijëve, për të treguar sesa human dhe zemërgjerë është. Mjafton të shihen këto pamje, që të ngjallin krupën, për të kuptuar profilin e një njeriu, raportin e tij me mediat dhe gazetarët e mbi të gjitha konceptin e tij për imazhin e njeriut të pasur, që i ngjan më shumë atij të personazheve të Francis Ford Coppola-s.” ka shkruar Andi Bushati.
Ai thotë se profili i Francesco Becchetti-it është larg atij të investitorit shembullor dhe sjell shembullin e Hidrocentrali të Kalivaçit, i cili është ende një punë e pakryer prej 20 vitesh.
Becchetti më shumë i ngjan profilit të personit spekulan, që kërkon të fitojë para mes avokatëve të zotë, pa prodhuar asgjë.
Fillimisht ai u bë i njohur kur emri iu lidh me mundësinë e importit të plerave në Shqipëri, dhe shumë njerëz e gjykojnë atë si “i huaji që e sheh Shqipërinë si një kosh plerash”.
Sipas Bushatit, që kur Becchetti vendosi të investojë 40 milion euro në një projekt të madh televiziv, gjë që kërcënoi hapur tregun mediatik, ai u vu në shënjestër të armiqësisë dhe dëshirës për ta vrarë ekonomikisht apo dhe për ta dëbuar nga vendi.
Pyetja që Blushi shtron në shkrimin e tij është:
“A janë aktet e ditëve të fundit të Prokurorisë një interpretim i këtij vullneti të kastës politike dhe mediatike, apo Francesco Becchetti është vërtet një pastrues parash, babai i një skeme mashtrimi të shplarjes së eurove që vijnë nga krimi dhe një evazor që i shmanget fiskut të shtetit shqiptar?”
Bushati i klasifikon si të ligjshme pyetjet që mund të lindin për mënyrën se si Becchetti i gjen paratë.
Por, nga ana tjetër, thotë se organet e drejtësisë nuk kanë prova.
Sipas Bushatit ka dy pyetje kyçe që nuk marrin përgjigje nga organet e drejtësisë.
E para është, “Nëse Francesco Becchetti akuzohet “për pastrim gjigand parash” ku është prova se ato para që pretendohet se janë pastruar në Shqipëri, vijnë nga veprimtari kriminale (drogë prostitucion vrasje etj)”
Ndërsa pyetja e dytë” Vetë Prokuroria pretendon se i është drejtuar bankave me emër të vendet e BE-së për të marrë të dhëna lidhur me origjinën e këtyre parave. Po atëherë, përse nuk jepen këto përgjigje? Po nëse nuk kanë ardhur ende pse duhej ndërmarrë ky veprim spektakolar, pa pasur ende provat se paratë që janë pastruar në Shqipëri nuk kanë qenë të pastra?”
Bushati ngre dyshimin se, nëse Becchetti kishte në mendje të kryente veprime të tilla kriminale, pse duhet që ai të financonte një media me prirje të qarta opozitare?
Becchetti ka hapur dy gjyqe të mëdha me shtetin shqiptar, dhe ka rezultuar i suksesshëm në marrjen e dëmshpërblimeve më parë. Pas këtij konstatimi lind dyshimi nëse kjo goditje ka karakterin e një shantazi, përpara betejave ligjore.
Bushati, thotë se Becchetti gjithashtu ka një gjyq të hapur më një deputet-biznesmen shumë të afërt me Kryeministrin.
Përfundimi që nxjer Andi Bushati në shkrimin e tij ka të bëjë me faktin:
Nëse Shqipëria po tenton të bëhet një “parajsë e investimeve”, ajo duhet t’u japë atyre garanci maksimale. Pra, njerëz si Francesco Becchetti nuk mund të gjykohen, sekuestrohen dhe burgosen vetëm në bazë të dyshimeve.
Pra, ne s’kemi të drejtë, që për hir të dyshimeve, të shndërrojmë Shqipërinë në simbol të mungesës dhe lirisë dhe të drejtave të investitorëve.
Bushati e konsideron këtë si një gafë të parikuperueshme, madje shumë më të madhe se lulëzimi i bizneseve si ai i Becchetti-it në këtë vend.