“Ave kryetar! morituri te salutant”! Letër e njërit që po vdes
I nderuar kryetar i bashkisë time, të Tiranës.
Cilidoqofsh, nuk ka rëndësi, po të shkruaj sot, se kur ti të zgjidhesh nesër ka shumë pak gjasa të të shkruaj… Mjekët thonë se tashmë mbeten edhe pak muaj jetë , gjë që pas shumë lotësh e kam pranuar.
Kur ti të kesh marrë detyrën e të kesh nisur me hov punët, mua do të më duhet një varr. Për veten time. Sot pyes në heshtje veten se ku do të më kallin? Në Tufinë a Sharrë? Në gropën e ndonjë bebeje nga ato që kanë vdekur në vitet ’60? Apo të ndonjërit nga ata njeri pa njeri që i ka varrosur komiteti dikur? Në shtrat ku kaloj gjithë ditët tashmë ndjek fushatën. Të premtoj se me barrelë do të vij të të votoj nëse sot do të më thuash se si e ke menduar hallin tim. Ç’do bëhet me të vdekurit? Paradoksalisht je kryetar edhe i tyre.
Zvarrë do të vij të të votoj edhe nëse nuk ma zgjidh këtë hall , por më tregon se ç’do bëhet me fëmijët e mi. Kush do t’i marrë e t’i çojë në shkollë? Kush do t’ua lehtësojë dhimbjen e jetimit? Ku do luajnë ata kur të mos jetë babi që i merr me makinë e i çon nëpër qendrat tregëtare?…..
Po dritat? Jetojmë në qendër të Tiranës, por rrugica është e errët. Kam tre fëmijë të vegjël që sa kisha fuqi i merrja e i çoja unë për dore. Këtë dimër ata do shkojnë e do vijnë vetëm. A mund ta di: në errësirë apo do zgjidhësh ndriçimin?
Ujin, i nderuar kryetar! Kam një depozitë të madhe në taracë e një pompë në bodrum që një e dy ma vjedhin. Por prap ujë nuk kam. Si do t’i bëhet? A do kenë ujë fëmijët e mi? A do ta pijnë dot nga rubineti apo do vazhdojnë ta blejnë me bidona? A do vijë pa ndërprerje apo do vazhdojmë ta ngjisim me pompë në taracë ? Nuk e kam dëgjuar deri sot.
E kuptoj , se i lapsit e shifrave jam, që duhen para. Duhen para për sigurinë ushqimore, duhen para për ndriçim, për kujdesin social, psikologë, për fëmijët…duhen edhe për artin e kulturën o kryetar, se kur perëndon dielli edhe ne të Tiranës mbyllemi o në shtëpi o në lokal. E në dimër dielli perëndon në 4 e gjysmë pasdreke!
Pra të duhen para? Sa? Deri tani prej asnjërit prej kandidatëve nuk na ka thënë sa i duhen. Një nikoqir , edhe po nuk qe shumë i mirë, të paktën një gjë e di që kur ia hyn një aventure si kjo juaja: 1. Çfarë do bëjë? 2. Si do ta bëjë? 3. Sa kushton? 4. Ku do t’i gjejë paratë?
E për rrjedhim të parave, SA DO TË PAGUAJMË? Do ketë taksa vendore, apo jo? Sa do të paguajë familja ime dhe PSE!!!!!
Zvarrë do të tërhiqem e do votoj për atë që do të më tregojë se si do ta qeverisë jetën dhe vdekjen time, se ç’i pret fëmijët e mi në 4 vitet që vijnë.
/ Civitas.al