Aulona Musta: Ne nuk jemi Charlie…
Moderatorja Aulona Musta ka mbajur një qëndrim kundër “modës”, siç e quan ajo, për të postuar fjalinë “Unë jam Charlie” në Facebook. Ajo shprehet se askush nuk është Charlie për aq kohë sa nuk bën asgjë për të mbrojtur fjalën e lirë, ndryshe nga Charlie.
Lexo më poshtë postimin e Aulona Musta në Facebook.
Ne nuk jemi Charlie…
Unë jam Charlie?! Vërtet e mendon këtë gjë, o njeri që e ke postuar në Facebook-un tënd këtë fjali? Apo as nuk e ke idenë se për çfarë bëhet fjalë dhe meqë të gjithë shokët e tu e kanë bërë, pse mos ta bësh edhe ti? Duhet të jetë ndonjë modë e fundit “fejsbukore”. Ti e di kush është Charlie? Por edhe nëse kaq gjë e di, po kuptimin kësaj fjalie ia di? Me siguri që jo, sepse po ta dije nuk do të kishe pranuar të bëheshe qesharak duke e postuar si foton tënde të profilit. Sepse as ti, as unë dhe askush në Shqipëri nuk është Charlie! Sepse në këtë vend nuk ka trima që të luftojnë dhe të mbrojnë fjalën e lirë, aq më shumë të rrezikojnë jetën e tyre. Në këtë vend ka vetëm “trima” që fjalës së lirë i përgjigjen me dhunë, qoftë verbale e qoftë fizike. Prandaj ju mund të jeni gjithçka, vetëm Charlie jo. Ju mund të jeni ata kriminelë me kallash në dorë, që bashkë me 12 njerëz të pafajshëm tentuan të vrisnin edhe fjalën e lirë. Por Charlie jo! E nëse në Francë apo çdo vend tjetër të Europës është dhënë shembulli që fjala e lirë nuk mund të vritet dot, sepse ka njerëz që e mbrojnë me jetë, këtu te ne është treguar gjithmonë e kundërta. Është treguar që fjala e lirë e ka vlerën zero, që ajo mund të shitet e të blihet pa asnjë problem, për një post qeveritar, për një ngritje në detyrë, për ca lekë më shumë. Prandaj në Francë mund të ketë Charlie, por jo tek ne.
Ndihem e revoltuar, shumë madje! Sepse në këtë vend, ku edhe po t’i thuash dikujt publikisht që nuk i shkon ngjyra e flokëve të vijnë kërcënime nga të gjitha anët, nuk mund të ketë Charlie, por vetëm terroristë të fjalës dhe mendimit të lirë. Në këtë vend ku mendimi kundër është gjithmonë i gabuar dhe nuk lë vend për debate, por vetëm për sherre, të bërtasësh me të madhe “unë jam Charlie” është sa qesharake, aq edhe nervgricëse. Prandaj, përpara se të ndërroni foton e profilit se ju ka ardhur koha për ta bërë këtë dhe meqë është “Je suis Charlie” në modë e zgjidhni atë si foton e radhës, ndaloni dhe mendoni për disa momente. Mjaft u solidarizuat me kauza për të cilat nuk keni as ide e as që ju interesojnë. E nëse vërtet ndjeni keqardhje dhe mendoni se jeni partizanë të fjalës së lirë, mos e bëni këtë me parulla Facebook-u, por me vepra. Përdoreni fjalën lirisht për të mbrojtur mendimet tuaja! Mos e mbyllni gojën nga frika! Mos bëni kompromise në kurriz të fjalës së lirë! Mos kërcënonin vetëm sepse dikush me shaka ju komentoi corapet. Mos e shisni fjalën për një vend pune, sepse ka njerëz që për ta mbrojtur atë fjalë kanë dhënë dhe jetën.
Prandaj, përpara se të jeni Charlie, përpiquni të jeni vetvetja dhe të mbroni mendimet dhe fjalën tuaj. E më pas mësohuni të respektoni mendimin dhe fjalën e tjetrit. Sepse njoh njerëz që po të kishin një kallash në dorë, do ta kishin përdorur pa problem ndaj çdokujt që mendon ndryshe nga ata. Dhe të mendosh që këta njerëz ishin të parët që vendosën në profilet e tyre “Je suis Charlie” (Unë jam Charlie).
Dhe një gjë të fundit dua të shtoj: ruajuni edhe nga ata që justifikojnë një akt të tillë barbar. Ai që justifikon vrasjen, nesër mund të jetë vetë vrasësi dhe ti viktima, thjesht sepse e mendon ndryshe nga ai!