A kanë më vlerë premtimet?
Ndërkohë që fushata vazhdon vrullshëm, mjedisi këtë herë ka zënë vend mirë në listën e gjatë të premtimeve elektorale
Pasi ndoqëm nga afër katër nga pesë kandidatët për Tiranën, u “bindëm” se këtë herë do kemi qytetin që të gjithë duam: hapësira, gjelbërim, parqe, transport i gjelbërt, ajër i pastër, zero mbetje, ndërtime eko, energji alternative dhe sipërmarrje ndërtuar mbi respektin dhe ndjeshmërinë ndaj mjedisit.
Në kohëra të lashta, shoqëritë tribale, i ekzekutonin udhëheqësit e tyre pas një periudhe të caktuar. Japim këtë shembull të guximshëm si dëshmi të faktit se të bërit politikë, edhe në kohët moderne, mbetet gjithnjë një detyrë që parashikon rrezikshmëri të lartë, për shkak të pakënaqësisë popullore prej premtimeve te pambajtura. Kjo, në një botë ideale, ku besimi I individit tek vota, është absolut. E kështu duhet të jetë. Por ja që kështu nuk është.
Ne jemi skeptikë, ne e dimë se gjithcka premtohet e asgjë nuk bëhet.
Ndjejmë se rolet janë ndarë : ata na manipulojnë, ne bëjmë sikur besojmë.
Po afron 5 qershori Dita Boterore e Mjedisit, e këtë vit, përkon me “kohë fushate’, një arsye më shumë për t’i parë të gjithë bashkë, ministra e kryetarë, kompetentë e drejtorë, të na premtojnë ajër, diell e cilësi jetese.
Në këtë ditë të shënuar, do t’i thuren lavde mjedisit, kravatat do jenë të gjelbra e premtimet plot ngjyra.
Por jo vetëm kaq: përtej 5 qershorit, politikanët në kohë fushate krejt papritmas shndërrohen në këmbësorë të devotshëm, të cilët mund t’i ndeshësh në rrugë me të njejtën lehtësi, me të cilën ndesh Leo DiCaprion në Beverly Hills.
Të qeshur e eco-friendly, ata enden të djersitur, në rrugët pa pemë, gati për të qarë hallet “gju m’gju’ me popullin, e kinse të pavëmendshëm ndaj makinës që i pret në cepin e ndonjë pallati, ndërtuar në atë ish-hapësirën ku fare mirë mund të qe një park lodrash.
Së shpejti i vetmi vend ku do mund t’i ndeshim me të njëjtën lehtësi, do të jetë ekrani i televizorit, nga i cili do ngërdheshen e do shfryjnë kundër kundërshtarëve politikë të radhës ndërkohë që neve do të na mbetet vec ajo rruga e zhveshur pa pemë. (apo ndonjë anekdotë per t’u treguar)
Kjo do të ndodhë për sa kohë, ne shtetas të këtij vendi, kemi humbur besimin tek e drejta jonë themelore e votës, e për sa kohë i kënaqemi kockave qe hidhen bukur në periudha elektoralo-teatrale.
Kjo do të ndodhë për sa kohë, nuk do kërkojmë llogari per hapësirën që na premtuan e nuk na e dhanë, për parkun që duhet ta kishim e nuk e kemi, per të thënat e të pabërat, për të paqënat e gënjeshtrat.
Po! Ne e dimë tashmë se kështu ndodh thuajse gjithmonë, ashtu sikurse duhet të jemi të ndërgjegjshëm se fushatat elektorale duhen përjetuar me kthjelltësi e entuziasëm të moderuar.Këto të fundit mund të na dhurojnë qetësinë e të kërkuarit llogari më pas. Nqs ndonjëri syresh ka dëshirën e mirë t’u qëndrojë zotimeve elektorale, është i mirëpritur Por duhet të kuptojmë sakaq, se pos votës, ajo që na mbetet është ndërgjegjja qytetare e cila duhet të jetë e orientuar drejt ndjeshmërisë ndaj qytetit në të cilin jetojmë. Mos presim nga politikë-bërësit, për të ndarë mbetjet, për të mos ndotur mjedisin, për të pastruar lagjen tonë një herë në javë, për të përdorur dyrrotakun, e për të tjera gjeste të vogla, por domethënëse si këto. Premtimi i pambajtur i politikës. mund të kthehet në premtim të mbajtur tonin, duke respektuar e mbrojtur atë që ende nuk ka vdekur.
/Ecovolis