7 arsye pse duhet ndërtuar në Park – Nga Lutfi Dervishi
E kemi bërë zakon tashmë që ne protestojmë për gjëra që nuk duhet të protestojmë dhe flemë gjumë për gjëra që të bëjnë gjëmën. Ky paradoks më duket se qëndron për Parkun.
Së pari, duhet filluar nga e para. E keni vënë re që janë bërë të bezdisshëm njerëzit që pyesin se ku është hyrja e parkut Artificial? Ndonjëherë të krijohet ideja se ke përpara një manifestim pa leje, por jo janë qytetarë që duan të shijojnë hapësirën e gjelbër dhe nuk e dinë ku është hyrja e parkut. Për këtë arsye e shoh me shumë vend që të ndërtohet një godinë multifunksionale, mundësisht PPP (partneritet – publik – privat) dhe të jetë aq e lartë sa të duket nga çdo cep I Tiranës. Në këtë mënyrë do të shpëtojmë nga pyetja që bëhet më dendur këto ditë në kryeqytet: ku është hyrja e parkut?
Së dyti: duhen nisur urgjentisht punimet edhe në brendësi të parkut- sidomos për projektin “të luajnë fëmijët”. Sipas ekspertëve, pemët po sëmuren. Sëmundja e tyre është një shenjë nga lart se në atë vend ka mbërritur mallkimi ndaj ngjyrës jeshile. Pemët duhen prerë dhe përvoja jonë 25 vjeçare ka dëshmuar se deri më sot asnjë kolonë betoni nuk është kalbur. Madje aty nëse gjendet ndonjë hapësirë dhe me vullnet të mirë besoj se do të gjendet, mund të ndërtohen disa banesa, (pallate), me synimin e vetëm për të shtuar sipërfaqet e gjelbërta. Gjelbërimi horizontal (bari, pemët e ulta etj) nuk po jep rezultat. Duke ndërtuar do të kemi mundësi që për të njëjtën sipërfaqe të kemi më shumë gjelbërim, në çdo kat mund të vendosen vazo me lule, dhe për t’u ruajtur nga sëmundja dhe për të garantuar 365 ditë gjelbërim- mund të porosintë në Kinë lule plastike.
Së treti: Në këtë vend janë bërë punët lëmsh dhe duhet një moment për t’u ftilluar. Shoqata e arkitektëve dhe urbanistëve ka bërë një deklaratë proteste për prerjen e pemëve në Park. A thua se arkitektët dhe urbanistët nuk e nxjerrin rrogën duke punuar me ndërtuesit. Në këtë rast, I ngjajnë njeriut që ka marrë sopatën dhe pret degën e pemës në të cilën është ulur. Jemi një vend unik, arkitektët dalin kundër prerjes pemëve dhe ambientalistët pro zhvillimit me zhvillues (ndërtues). Në këtë pikë ja vlen të ndalesh edhe tek protestuesit si psh nisma # thurje. Vetë emri nënkupton thurje, dmth gardh dhe këta ose sulen ndaj çdo gardhi që shohin ose mbështesin ata që prishin gardhet.
Së kartërti: aspekti ligjor. Shumë kritikues kanë vënë në dukje se me miratimin nga Parlamenti të moratoriumit për prerjen e pemëvë, bashkia e Tiranës ka shkelur ligjin duke prerë pemë në Park. Dhe ligjin për të cilën ranë dakord edhe pozita edhe opozita në Kuvend. Ky është argument politik dhe propagandistik, por kurrsesi ligjor. E para ligji flet për pyjet. Pemët nuk janë prerë në pyll, por në një park artificial të ngritur në vitet 50-60 të shekullit të kaluar. Nuk ka gjykatë në Tiranë, qoftë edhe ajo pas reformës në drejtësi që të pranoj që Parku Artificial është pyll.
Së pesti: Shqipëria duhet të marrë shembull nga Dubai në fushën e ndërtimeve. Jam shumë I zhgënjyer nga planet që kam parë. I zhgënjyer pjesërisht. Parashikohen ndërtime në dy anët e universitetit (kjo është për të sqaruar njerëzit se ku do të jetë hyrja), parashikohen ndërtime rreth e rrotull liqenit, ka edhe zëra të lig që thonë se duan të thajnë liqenin për të bërë një kompleks të bukur ndërtimesh me juri ndërkombëtare, por e vërteta lakuriqe është se nuk shohim asnjë gjurmë ndërtimi në liqen, dmth mbi ujë! Nëse në vitet 90 Dubai ishte shkretëtirë dhe në dorë të zhvilluesve u kthye në oaz duke ndërtuar në rërë, mbi ujë e nën ujë, çfarë kanë më pak zhvilluesit tanë?! Duhet një projekt (mjafton edhe një studio shqiptare) që të parashikojë ndërtime pallatesh mbi ujë. Jo për të sfiduar Dubain se ne kemi sfindë me BE-në, por edhe për të rikthyer traditën dhe për të provuar se ne jemi 100% pasardhësit e ilirëve që ndërtonin mbi ujë për t ‘u ruajtur nga egërsirat.
Së gjashti: ndërtimet në Park ulin stresin. E keni vënë re që njerëzit kur hyjnë në park, janë më të qetë, buzëqeshin, I kthehen disa riteve të vjetra si vrapimi, ngarja e biçikletës… dhe me të dalë nga Parku pësojnë luhatje të tmerrshme të gjendjes shpirtërore. Këto luhatje – sipas studimeve të fundit- kanë rritur numrin e pacientëve që vuajnë nga stresi në atë pikë sa edhe check up-et falas nuk po ja dalin dot. Ndërtimet në park, harmonizojnë qytetin me një çiban që ka mbetur që nga koha e komunizmit!
Së fundmi, por jo e fundit, arkitektët thonë se qytetin nuk na e kanë lënë trashëgim baballarët, por ua kemi borxh fëmijëve. Është pak arkaike si shprehje. Gjithë bota, po ecën me borxhe.
Ç’të keqe ka këtu që t’ua lemë borxh fëmijëve një kënd lojrash në mes të Parkut? /l.k./
/syri.net