2 mite dhe 2 fakte për shëndetësinë shqiptare
Refleksione nga djali i një pacienteje kronike
Kristi Pinderi
6 vjet më parë, kur rastësisht zbuluam se e ndjera ime më vuante nga insufiçenca renale, unë si më i afërmi i saj nisa, në kundërshtim me këshillat e doktorëve, të lexoja e të informohesha mbi sëmundjen e saj.
Në këto 6 vjet kam parë nga brenda, nga anash, nga lart e nga poshtë sistemin tonë shëndetësor dhe tani që ajo nuk jeton më, kam mundësi të reflektoj më i qetë nga emocionet. Më poshte po rendis reflektike të miat që, ruana Zot, nuk mund të jenë as e vërteta absolute e as ndonjë inat personal që unë mund të kem me shëndetësinë në këtë vend.
Miti 1:
Korrupsioni! Problemi kryesor është 2-mijë lekëshi në xhepat e infermierëve apo lekët që pacientët kërkojnë ti fusin në xhepat e doktorëve.
Fakti 1:
Gjatë 6 vjetëve që unë u kujdesa për time më, nuk ka ndodhur në asnjë moment që ndonjë doktor apo infermier të ketë kushtëzuar shërbimin në këmbim të lekëve nën dorë. Një mikesha ime që i ishte pranë time mëjë dy ditë para se ajo të ndërronte jetë, më tha se në një moment, ime më i kishte dhënë portofolin dhe i kishte kërkuar që kartmonedhat e mëdha ti shndërronte ne kartmonedha të vogla dhe t’u jepte lekë secilit/secilës infermiere në pavionin ku kaloi ditët e fundit të jetës. Dhe shtoi edhe këtë fjali: “E di që punon me Kristin dhe ju jeni në kundërshtim me këto gjëra por bëj siç të them unë”.
Miti se mjekët e korruptuar janë problem ynë kryesor na e ka pamundësuar të kuptojmë se, në fakt, problem kryesor kemi cilësinë e mjekëve! Deri në fund të këtij viti unë kam akses në një portal shkencor lajmesh dhe të rejash nga çdo fushë e mjekësisë, që quhet Up-To-Date! Në fillim të vitit kam paguar rreth 40 dollarë, kam një llogari timen dhe mundet që në çdo sekondë të ditës apo të natës të kem akses në të gjitha artikujt mjekësorë me të rejat më të fundit. Sa herë kërkoja të dija gjëra të tipit, fjala vjen: “a ndihmon vitamin H (apo siç quhet rëndom biotina) në lehtësimin e problemeve të neuropatisë periferike që kanë pacientët me problem të veshkave apo ata me diabet, në këtë faqe (dhe si kjo faqe ka me dhjetëra të tjera) mund të lexoja artikujt e sapobotuar në revistat shkencore.
Tani që jam më i qetë nga ana emocionale pyes veten: Sa nga doktorët a doktoreshat e sistemit tonë parësor apo dytësor paguajnë 40 dollarë në vit për të lexuar të rejat më të fundit nga shkenca e mjekësisë? Sa nga doktorët e specialiteteve në Shqipëri kanë aftësi kompetente për të lexuar e kuptuar në një gjuhë të huaj? Dhe sa prej këtyre kanë aftësi për të kuptuar artikujt akademikë në një gjuhë të huaj? Ata që nuk dinë as të flasin e as të lexojnë në anglisht, apo që mund të kuptojnë deri diku anglisht, si arrijnë të informohen për të rejat mjekësore? Sa botime me të rejat mjekësore ka në gjuhën shqipe?
Miti 2:
Sikur të rregullonim infrastrukturën e spitaleve, atëherë s’do kishim më probleme me shëndetësinë!
Fakt 2:
Disa muaj më parë botova në faqen historiaime.al një fletë rekomandimi për një ilaç për time më, e cila ishte e mbuluar nga plot 7 vula të ndryshme. E pyeta privatisht dhe publikisht kryeministrin se pse një paciente e sëmurë kronike duhet të që çdo 6 muaj të bredhë nga spitali në spital pë të vënë disa vula?! Dhe pse, fjala vjen, këta doktorët që duhet të venë vulat në një copë letër nuk mblidhen njëherë të vetme në këto 6 muaj dhe bashkarisht ta pyesin pacienten se si ka qenë, ca problemi ka patur, e kështu me rradhë derisa të kuptojnë ecurinë e sëmundjes? Pse sistemi kërkon 7 vulat e 7 doktorëve ama asnjëherë nuk kërkon që doktorët vetë të mblidhen në formën e komisionit e bashkarisht të ekzaminojnë pacientin?!
Tjetër përvojë personale: I ngarkuar me mitin se në shtet mungojnë aparaturat apo se infrastruktura është e vjetër, nuk kam lënë asnjë spital a klinikë private pa provuar si alternativë për time më. I shqetësuar pse ime më kishte kohë që mezi ecte (si pasojë e komplikacioneve të sëmundjes, komplikacione si pasojë e toksinave në trup që pengonin qarkullimin normal të gjakut si dhe komplikacione të tjera që vinin nga sistemi periferik nervor) shkuam te një nga këto spitalet që të ngjajnë si hotele me 5 yje! Dhe e dini se çfarë na këshilloi doktori specialist? Bëni një analizë të nivelit të magnezit në gjak!!!
Po ashtu dhe kryeministri në kohën kur i kërkova publikisht një përgjigje: “Do takosh drejtoreshën e QSUT”, më tha, “dhe ajo do të të shoqërojë të shikosh se çfarë investime kemi berë ne aty”. Sikur nuk shkoja unë aty dy herë në javë!
Nëse ju thonë herë tjetër se cilësia e shëndetësisë rregullohet vetëm nëse investohet në aparatura, atëherë mos e besoni! Problemi kryesor në spitalet tona nuk janë as muret as suvatë, as ngjyrat e as bojërat e as gjelbërimi rreth spitaleve. Sigurisht këto janë të rëndësishme, ama më e rëndësishme është të investohet te sistemi i referimit dhe te sistemi si doktorët konsultohen me kolegët e tyre. Nuk është pacienti e as i afërmi i pacientit person ii duhur për të shkuar derë më derë e spital më spital për të marrë firma nga doktorët. Duhet doktorët të mblidhen me njëri tjetrin e secili sipas fushës së vet të ekzaminojë pacientin. Kështu duhet ti kemi protokollet, të jenë aq të detajuara sa të detyrojnë komisionet mjekësore të mblidhen, pra ti detyrojnë doktorët të luajnë bythët e të shkojnë aty ku pacienti është e jo anasjelltas!
Nuk mund ta besoj që në urgjencën e maternitetit, për shembull, të mungojë një specialist kardiolog, aq sa pacientja, në orët e fundit të jetës të transportohet te spitali i dytë! Kam parë këto ditë lajme kur doktorët thonë se në spitalin gjinekologjik nuk kemi sit ë merremi me problem të zemrës! Dhe këta e dinë shumë mirë se probleme me hipertensionin e sigurisht edhe me zemrën, gratë që presin fëmijët i kanë të zakonshme!
Nuk mund ta besoj që një spital i sëmundjeve të mushkërisë të mund ta kuptojë se pacientja është në situatë emergjente si pasojë e gjakderdhjes së brendshme, ama këtë gjë nuk mund ta kuptojë edhe materniteti!