Unë EKZISTOJ!

28 Nëntori shënon Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Sigurisht që Pavarësia e një vendi nuk do kishte kuptim pa ngritjen, vendosjen a nguljen e flamurit kombëtar diku (qoftë dhe në ballkon). Nuk dimë të themi nëse burrat e shtetit na kishin ndërmend në kohën kur shpallën pavarësinë e vendit por ajo që dimë është se, me ose pa vëmendjen e tyre, ne kemi ekzistuar dhe ekzistojmë. Nuk kemi zgjedhur identitetin tonë, ashtu siç nuk kemi zgjedhur familjen ku lindëm dhe u rritëm, siç nuk kemi zgjedhur atdheun, flamurin, gjuhën. Dhe nuk duam të ngremë flamuj, as të shpallim pavarësinë e komunitetit tonë, as të imponojmë kurrgjë. Duam të jetojmë të lirë, të shprehemi, të flasim, të dashurojmë njësoj si të tjerët. Duam të kemi të njëjtat të drejta si qytetarët e tjerë të këtij vendi. Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë se çfarë duam ne përgjigjen e gjeni te (janë vetëm disa kërkesa, pyetje, dhe ka shumë e shumë të tjera) pikat e mëposhtme:
1- Unë jam një adoleshent gej. Bullizohem do ditë në shkollë prej shokëve vetëm sepse jam gej. Më shajnë, pështyjnë, godasin, më poshtërojnë. A mundet shteti shqiptar ta zgjidhë problemin tim?
2- Jam një lezbike e punësuar në shtet. Para disa kohësh mora pjesë në një parti të komunitetit LGBT+. A është normale që gjatë gjithë kohës të kisha frikë se mos më shihte dikush dhe të nesërmen mund të kisha probleme në punë?
3- Jam një burrë trasngjinor që nuk mund të punoj asgjëkundi pasi punëdhënësit shqiptarë nuk më marrin në punë. Detyrohem ta nxjerr jetesën si të mundem. Si mund ta zgjidhë shteti im hallin që kam ?
4- Jemi një çift lezbikesh. Shteti nuk na njeh dhe nuk kemi të drejtë të martohemi. Nëse njërës prej nesh i ndodh diçka tjetra nuk ka të drejtë ti qëndroj afër. Si është e mundur që nuk mund të rri pranë njeriut që dua sepse shteti nuk më njeh të drejtën për t’u martuar.
5- Jemi një çift gej dhe duam të adoptojmë një fëmijë. Vështirësia e adoptimit tek ne është e madhe edhe te çiftet hetero, imagjinoni te çiftet gej. Si mund ta zgjidhim çështjen e adoptimit pasi ne dëshirojmë të kemi një fëmijë.
6 – Dua të ndryshoj gjininë time në dokumenta por nuk mundem. Shteti duhet të rishikojë edhe njëherë ligjet. Unë nuk mund të kornizohem vetëm sepse askush nuk ulet të ribëjë ligjet.
7 – Nuk mund të denoncoj agresorët e mi. Jam sulmuar disa herë për shkak të orientimit tim seksual. Nuk kam besim te policia (kam denoncuar një herë dhe asgjë nuk ndodhi) dhe jam i bindur që nuk do ta marrin seriozisht denoncimin tim. Ku mund të ankohem?
8- Shërbimi shëndetësor duhet të jetë më i hapur dhe bashkëpunues me komunitetin LGBT.
9 – Unë dhe motra ime shkojmë përditë në çerdhe, na çojnë mamatë tona. Aty luajmë me fëmijët e tjerë, me lodra edhe me edukatoret. Ne kënaqemi te çerdhja po unë dhe motra kemi një gjë që fëmijët e tjerë nuk e kanë: mua dhe motrës tetat dhe xhaxhat nuk na e kanë shkruar emrin siç ua kanë shkruar fëmijëve të tjerë. Edhe ne duam ti kemi emrat te regjistri si bebat e tjerë.
Këto dhe shumë problematika të tjera që komuniteti LGBT+ ka dhe përballet çdo ditë janë çështje që duhen zgjidhur. Nuk mund të quhemi vend demokratik sa kohë një pjesë e jona nuk gëzon të drejta të barabarta me pjesën tjetër.
/Anais