Një tjetër rast i abuzimit seksual me një vajzë të mitur u bë publik dy ditë më parë. Policia e Shtetit raportoi më datë 18 maj, se ka shoqëruar pesë individë – mes tyre një të mitur, të dyshuar për kryerjen e veprës “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.
N. Ll, 44 vjeç, A. K, 31 vjeç, E. T, 30 vjeç, A. M, 27 vjeç dhe A. Gj, 17 vjeç morën sot masën “arrest me burg” nga Gjykata pasi akuzohen se kanë përdhunuar vajzën e mitur 15-vjeçare përmes shantazhit, duke e kërcënuar se do t’i shpërndajnë materiale intime.
Në mbrëmjen e ditës së djeshme, grupimi i vetëquajtur “Kolektivi feminist” ka lajmëruar se në Rrëshen, në qytetin ku ka ndodhur ngjarja, do të zhvillohet një protestë.

“Do jemi në Rrëshen për t’i thënë të gjitha vajzave dhe grave që jemi me ju, jemi bashkë kurdo që ju duhet zë, jemi e do jemi bashkë deri kur ta zhbëjmë patriarkatin, derisa ta zgjojmë komunitetin nga apatia, si dhe derisa ta zhdukim misogjininë institucionale që shtrihet në çdo damar të pushtetit!”, tha për Historia Ime Irena Beqja Shtraza, nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN).
Dhuna seksuale, vijon më tej Shtaza, është ndër format e dhunës më pak të raportuar, pasi shoqëria ua drejton gishtin viktimave dhe i del në krah agresorit.
“Dhuna seksuale është forma e dhunës më pak e raportuar ne vendin tonë. Vajzat dhe gratë kanë frikë dhe turp ta raportojnë sepse shoqëria ia drejton gishtin dhe vesh fajin po atyre që janë viktimat në këtë mes!”

“Burri lahet me një pikë ujë”…
Fajësimi i viktimës i ka rrënjët e thella në mendësitë e shoqërive të ndryshme, përfshirë dhe në shoqërinë shqiptare.
Shprehjet e urta popullore tregojnë se shoqëria jonë është mjaft e predispozuar për të toleruar sjelljet e burrave apo djemve, me arsyetimin se “burrat lahen me një pikë ujë, ndërsa vajzat nuk i lan një oqean i tërë”.
Pretendimi se “Jo do të thotë po” është një tjetër justifikim i përdorur për të legjitimuar dhunën seksuale.
Ndër të tjera, veshja, rrobat, vendndodhja, mirëbesimi mund të shërbejnë të gjitha si alibi për të fajësuar viktimën, e për të “larë” dhunuesin.
Thellë-thellë, gjykoj se çdo rrethanë mund të jetë lehtësuese për dhunuesin, sepse gratë gjykohen gjithnjë nga morali shoqëror, që di të jetë cinik me të në të gjitha rastet. Është mjaft e lehtë që një shoqëri ta kategorizojë gruan “të pamoralshme”, sikur e “kërkoi vetë”, e më pas një dynja e tërë t’i turret e t’ia drejtojë gishtin.
“Lule e kuqe – lule e bardhë, jam viktimë e klasës së parë”
Në datë 15 maj, Kosova u përball po ashtu me një rast tjetër të abuzimit seksual. Një vajzë në klasë të parë u dhunua seksualisht nga dy djem të klasës së shtatë, teksa e gjithë ngjarja është filmuar nga një djalë i mitur.
Dhjetëra nxënës dhe aktivistë në Kosovë marshuan në Prishtinë kundër dhunës seksuale dhe justifikimit se abuzimi në fakt është “lojë” mes fëmijësh, justifikim ky i përcjellë nga drejtoresha e shkollës ku ndodhi sulmi seksual.
Traumë, jo lojë!
Ky ishte baneri kryesor, teksa marshimi u shoqërua me thirrjet: “Lule e kuqe – lule e bardhë, jam viktimë e klasës së parë”.
Një tjetër manifestim u zhvillua përballë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë. Protestuesit kërkuan futjen e edukimit seksual në kurrikulat shkollore si dhe krijimin e hapësirave të sigurta për nxënëset/it.
“Fatkeqësisht, institucionet tona, si këndej e si andej kufirit, nuk janë angazhuar asnjëherë seriozisht në çrrënjosjen e këtyre fenomeneve, në thelb patriarkale. Dhe kjo ndodh për shkak se mendësia institucionale ngelet patriarkale”, – citon Doruntina Vinca për Historia Ime.

Vinca pohon se Shqipëria dhe Kosova tashmë po reagojnë, teksa shprehet se rrethi vicioz në të cilin kalon dhuna seksuale – heshtje ose fajësimi i viktimës, mund të shkërmoqet vetëm përmes solidaritetit.
“Nëse deri dje rastet e dhunës ndaj grave e vajzave kanë hasur në një shoqëri të mpirë nga e keqja, sot po shohim një lloj ndjeshmërie, një lloj solidariteti mes vajzash e grash, që jep shpresë. Ne duhet të përdorim çdo lloj forme rezistence ndaj dhunës, dhe të forcojmë sa më shumë këto hallka solidariteti mes nesh”, përfundon Doruntina Vinca.