62.5% e personave me aftësi të kufizuar që ishin të punësuar një vit më parë, humbën punën e tyre prej pandemisë së Covid-19.
Organizata “Together for Life” ka publikuar së fundmi një raport mbi impaktin e pandemisë së Covid-19 mbi gjendjen ekonomike dhe shoqërore të personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri.
Në raport vihet re një përkeqësim i ndjeshëm i situatës së tyre gjatë vitit që lam pas, me më shumë se gjysmën e personave të punësuar gjatë muajve të para pandemisë, të cilët humbën vendin e tyre të punës ose u pezulluan nga puna për shkak të situatës ekonomike të krijuar nga mbyllja.
Raporti i realizuar me mbështetjen e Westminister Foundation for Democracy, vë në pah shkallën e lartë të disavantazhit që personat me aftësi të kufizuar kanë në Shqipëri, kur flasim për integrimin ekonomik, atë shoqëror si dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës.
Pandemia ka prekur jo vetëm personat me aftësi të kufizuara, por dhe kujdestarët e tyre.
“Shumica dërrmuese e njerëzve me aftësi të kufizuara ose kujdestarët e tyre që kishin probleme financiare për shkak të pandemisë raportuan se problemi kryesor financiar i drejtpërdrejtë i pandemisë COVID-19 ishte “të ardhura të ulëta dhe paaftësia për të përballuar jetesën, ushqimin dhe ilaçet, sipas phimit të 79.8% e pjesëmarrësve.”
“Për 10.1% të tyre shqetësim ishte se ata ose anëtarët e familjes së tyre kishin humbur punën, ndërsa 4% u ankuan për shpenzime shtesë për ushqim, ilaçe dhe detergjentë.”, shkruhet në raport.
Pandemia duket të ketë shtuar më tepër problematikat e personave me aftësi të kufizuara, pasi sipas raportit, edhe para saj, 4 në 10 persona me paaftësi rezultonte të ishte i papunë.
Mund të shihet se përqindjet e PAK që kanë humbur punën gjatë pandemisë janë më të larta tek gratë sesa burrat.
Më shumë se 8 në 10 persona (83.6%) me aftësi të kufizuara të cilët ofruan informacion përjetuan probleme financiare direkt nga pandemia e COVID-19.
Ndërkohë, vihet re se komuniteti i Personave me Aftësi të Kufizuar nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme gjatë pandemisë, pasi më shumë se një në pesë persona me aftësi të kufizuara (21.7%), raportojnë nuk kanë marrë ndonjë ndihmë gjatë periudhës pandemike.
Rreth 40.6% e tyre rezultojnë të jenë ndihmuar nga organizatat, 25% nga shteti dhe 21.4% nga familjarë apo të afërm.
Për më tepër lexoni raportin e plotë (anglisht) në linkun në vijim:
WFD-Report_Impact-of-Covid-19-to-PwD
Burimi i fotos: Raporti – TFL /WFD