Në shesh kundër homofobisë “Për ty që nuk flet, bërtasim fort ne sot”
Në 17 Maj, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, anëtarë të komunitetit LGBTI+ zhvilluan një event në sheshin “Nënë Tereza”, ku i kujtuan shoqërisë dhe institucioneve se ata ekzistojnë, janë të fortë dhe e vijojnë betejën e tyre për një shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Me tullumbace shumëngjyrëshe dhe me banderolën e madhe ku shkruhej “Vaksina kundër homofobisë është dashnia”, të shfaqura në shesh, aktivistët festuan dashurinë dhe lirinë, teksa formuan fizikisht një zemër të madhe.
Të pranishëm ishin përfaqësues të Bashkimit Evropian, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), Avokatja e popullit dhe Policia e Shtetit.
Ata bënë thirrje për një shoqëri më gjithëpranuese, e cila respekton diversitetin.
“Mesazhin e kam të shkurtër. Për çdo individ, ta shprehë veten e tij, për shoqërinë, t’i thyejë paragjykimet”, tha Robert Gajda nga KMD-ja.
Alma Katragjini nga Policia e Shtetit u shpreh se institucioni i tyre është kundër diskriminimit.
“Përshëndetje nga Policia e Shtetit! Jemi jo diskriminimit, jo gjuhës së urrejtjes, për të parandaluar dhunën dhe krimet e urrejtjes në përgjithësi. Jemi pro diversitetit gjinor”. – citoi Kodragjni gjatë fjalës së saj në shesh.
Asnjë nga përfaqësuesit e Qeverisë Shqiptare nuk ishin të pranishëm në këtë organizim, sikurse vitet e mëhershme.
“Sot, vijojmë ta shohim ende të dobët angazhimin institucional për promovimin dhe garantimin e të drejtave tona, që përbëjnë esencën e shtetit demokratik”, – vuri në dukje Xheni Karaj gjatë fjalës së saj.
Aktiviteti u shoqërua me thirrje që i drejtohen shoqërisë dhe institucioneve, për njohje të të drejtave të barabarta. Shumë prej këtyre thirrjeve shfaqën edhe krenari.
“Jemi lesbike, jemi krenare
Jemi aktiviste, feministe radikale!”
Dhe më pas, thirrje e përsëritur për komunitetin e transgjinorëve, për biseksualët dhe këdo që ende nuk mundet të shfaqet i lirë në shoqëri.
“Rezisto, protesto,
Dhunën, shtypjen mos e duro”
Shumë prej anëtarëve të komunitetit pohuan se në këtë ditë, ata ndjehen të lirë dhe vetja, çka nuk ka të ngjarë në jetën e përditshme, ku u duhet të fshihen nga familja dhe shoqëria.
“Te pjesa ku bërtet, te pjesa ku thua që je lesbike, te pjesa ku nuk ke bërë coming out por thua që je lesbike në një mënyrë… sikur je e çliruar, sikur je teknikisht e hapur… sikur e dinë të gjithë. S’të vret!”, tha për Historia Ime një anëtare e komunitetit, e cila nuk dëshiron të identifikohet.
E pikërisht kjo ditë, përveçse i kujton shoqërisë se duhet të lëvizë drejt zhvillimit dhe emancipimit, i kujtoi edhe të gjithë anëtarëve të komunitetit LGBTI+ se ata nuk janë vetëm, se janë të dashur dhe pranuar.
“Për ty që nuk flet
Bërtasim fort ne sot”