Mullaly[i] i referon dallimet si “bazë për shtypjen”. Me fjalë të tjera, kur shtypja vepron në nivele personale, sistemike dhe kulturore, ajo e bën këtë në bazë të dallimeve. Të gjitha grupet dhe njerëzit që përjetojnë shtypje, e përjetojnë atë sepse në një mënyrë ose në një tjetër, grupi dominues i konsideron ata të ndryshëm. Ndonjëherë, termi Tjetër përdoret për t’iu referuar këtij grupi. Në këto rrethana, kush jemi dhe nga jemi ne ose paraardhësit tanë, përcakton nëse ata që kanë monopolin mbi pushtetin dhe kontrollin e burimeve të tokës, do të na lënë të jetojmë apo të vdesim.
Të gjitha aktet e shtypjes përfundojnë në mënyrën se si ndryshimi rezulton në një farë kufiri të “ata dhe ne”. Adresimi i shtypjes kërkon që ne të kuptojmë se ku janë ata kufij dhe si janë ndërtuar. Dikush do të mendonte se një kufi i tillë dhe shtypja përkatëse do të ishte e lehtë të dallohej dhe ndalohej, veçanërisht nëse do të ishte kërcënues për jetën, por nuk është kështu. “Kriza aktuale dhe e vazhdueshme e refugjatëve” dhe ngjarje të ngjashme në histori, zbulojnë se si ndonjëherë format më të dukshme të padrejtësisë dhe të shtypjes nuk adresohen. Për shembull, merrni parasysh Holokaustin në të cilin nazistët vranë rreth 6 milionë hebrenj dhe anëtarë të shumtë të grupeve të tjera të shtypura. Nëse do të jetonit në ato kohë, a do të ishte e dukshme për ju shtypja e natyrshme brenda regjimit nazist? Dhe nëse, pa asnjë rrezik për veten apo të tjerët, do të mund të parandalonit dërgimin e njerëzve në një kamp përqendrimi nazist, do ta bënit apo jo? Nëse jeni përgjigjur “po”, përgjigja juaj është ndryshe nga ajo e shumë kanadezëve që jetuan në atë epokë.
Në vitin 1939 Hitleri lejoi një numër refugjatësh hebrenj të largoheshin nga Gjermania naziste në një anije oqeanike të quajtur M.V. St Louis. Pasagjerët u lanë të lirë të lundronin kudo që të zgjidhnin, por bota nuk donte t’u jepte atyre strehim[ii]. Për të kuptuar plotësisht incidentin e St Louis, duhet ta fillojmë historinë një vit përpara se anija të lundronte.
Më 9 nëntor 1938, një mbrëmje që u bë e njohur si Kristallnacht (nata e xhamit të thyer), trupat naziste ndërmorën një sulm metodik të para-orkestruar mbi shtëpitë, bizneset, shkollat dhe sinagogat hebreje në të gjithë Gjermaninë dhe pjesë të Austrisë[iii]. Përpara sulmit, shefi i Gestapos, Heinrich Müller, urdhëroi të gjithë forcat e policisë gjermane të injoronin atë që po ndodhte dhe të mos mbronte popullin hebre, duke u thënë atyre se “në këto [sulme] nuk duhet ndërhyrë”[iv].
Gjatë dy ditëve dhe netëve që pasuan, dhjetëra mijëra sinagoga, shtëpi dhe dyqane hebreje u sulmuan; 92 hebrenj u vranë; dhe rreth 30,000 u kapën dhe u dërguan në kampet e përqendrimit[v]. Mizoritë e Kristallnacht u dënuan ndërkombëtarisht[vi], me kryeministrin kanadez McKenzie King që vinte në dukje: “Dhimbjet që duhet të durojnë hebrenjtë në këtë kohë janë pothuajse përtej çdo llogjike”[vii]. Shtatë muaj pas kësaj ngjarjeje në maj të vitit 1939, Gjermania naziste vendosi të lejonte 937 hebrenj të largoheshin nga Hamburgu në M.V. St Louis për të kërkuar strehim kudo ku mund të shkonin.
St Louis u largua përtej Atlantikut dhe mbërriti në Kubë, por vetëm 29 refugjatë u lejuan të zbarkonin. Të tjerëve iu tha të largoheshin. Përpara se të largoheshin nga Havana, disa nga refugjatët në bord kishin aq frikë se do ktheheshin në Gjermani, saqë bënë vetëvrasje[viii]. St Louis më pas lundroi në veri përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara me shpresën për të gjetur strehim, por iu mohua. Duke parë edhe më larg në veri, ata i kërkuan ndihmë Kanadasë, por Otava u përgjigj në një komunikatë zyrtare duke thënë se “asnjë do të ishte shumë”[ix].
Formulimi i ashpër i këtij refuzimi ishte tregues; ai nuk thoshte, “Më falni, nuk kemi hapësirë” ose “Fatkeqësisht ne sapo kemi dalë nga një recesion dhe nuk kemi punë për ju”, por shprehu me fjalë një mesazh të qartë se asnjë person hebre nuk ishte i mirëpritur. Pa shpresë lirie në Amerikë, St Louis u kthye në Evropë. Përfundimisht, Anglia, Franca, Holanda dhe Belgjika ranë dakord të merrnin disa nga refugjatët; pjesa tjetër u kthye në Gjermaninë naziste ku u përballën me vdekjen në kampet e përqendrimit.
Nëse thatë”po” kur pyetëm nëse do të ishit të gatshëm të parandalonit që dikush të dërgohej të vdiste në një kamp përqendrimi nazist, çfarë e shpjegon ndryshimin midis jush dhe atyre që thanë “jo” në vitin 1939? Ndoshta ju besoni se ju dhe të tjerë sot keni më shumë gjasa se brezi i vitit 1939 ti bëni ballë shtypjes. Megjithatë, ky argument nuk shpjegon pse shumë nga ata që refuzuan strehim për personat e St Louis në vitin 1939, vazhduan të jepnin jetën në një luftë për t’i dhënë fund regjimit nazist. Pra, ne nuk mund ta justifikojmë refuzimin e refugjatëve në vitin 1939 me mendimin se ai brez ishte më pak i gatshëm ti bënte ballë shtypjes sesa njerëzit sot; nevojitet një shpjegim tjetër. Ne mendojmë se fjalia e mëposhtme mund të ndihmojë për të shpjeguar mosveprimin e vitit 1939.
njErëzitshpeshheRëjanëaQtëkapurNëjetëneTyretëpëRditshmesaQënukkërKojnëapOshohinshtYpjendhenëSeatanUkekërkoJnëoseshoHinshtyPjenatanukDotakupTojnëkuRrënësePoebëJnëatëdHenëseatanUkmunDtakuptojnëSepoebëjNëatëatAkuRrënukdOtëndAlojnë
Fjalia e mësipërme është e vështirë për t’u lexuar sepse nuk ka boshllëqe midis fjalëve dhe ne kemi vendosur qëllimisht shkronja të mëdha që të errësojmë kuptimin. Nëse nuk e shqyrtoni fjalinë nga afër, gjithçka që shihni kur lexoni – është një grumbull shkronjash. Jeta është si kjo fjali: ngjarjet turbullohen brenda njëra-tjetrës dhe njerëzit vështirë ta kuptojnë, dhe ndonjëherë media dhe të tjerët paraqesin materiale në një mënyrë që qëllimisht errësojnë atë që po ndodh. Fjalia është më e lehtë për t’u lexuar kur fjalët kanë hapësira midis tyre dhe kur shkronjat e mëdha hiqen.
Njerëzit shpesh herë janë aq të kapur në jetën e tyre të përditshme, saqë nuk kërkojnë apo shohin shtypjen, dhe nëse ata nuk e kërkojnë ose shohin shtypjen, ata nuk do ta kuptojnë kurrë nëse po e bëjnë atë, dhe nëse ata nuk mund ta kuptojnë se po e bëjnë atë, ata kurrë nuk do të NDALOJNË.
Sepse jeta është më shumë si fjalia e parë sesa e dyta, ne duhet të shikojmë më thellë dhe të mendojmë më shumë për atë që shohim dhe përjetojmë nëse duam të njohim shtypjen në shoqërinë, kulturën dhe veten tonë.
Gabimi i vitit 1939 ishte se nuk shihej apo mendohej mjaftueshëm në mënyrë kritike për atë që po ndodhte në atë moment. Ne nuk po sugjerojmë që ky “gabim” çliron ndokënd nga përgjegjësia për St Louis, as nuk po sugjerojmë që të gjithë në ato kohë ishin të pavëmendshëm ndaj asaj që po ndodhte dhe nuk rezistuan, sepse një numër njerëzish e kuptuan dhe rezistuan[x]. Por ata që kishin fuqinë dhe mjetet për të siguruar strehim për njerëzit hebrenj në St Louis nuk vepruan. Ky dështim na befason dhe na vë në siklet sot, por ishte plotësisht i parashikuar nga regjimi nazist, sepse ata e dinin që antisemitizmi shtrihej në të gjithë botën perëndimore. Në fakt, udhëtimi i St Louis mund të shihet si një ushtrim propagande naziste për të demonstruar pikërisht këtë. Nëse njerëzit nuk arritën të dallonin dhe të vepronin kundër një holokausti në zhvillim, cilat ngjarje të ngjashme nuk po i dallojmë sot? Gjithashtu, nëse është e vështirë të dallosh dhe të veprosh kundër një holokausti kur ai ndodh, sa më e vështirë është të dallosh dhe të veprosh kundër formave shumë më delikate të shtypjes mbi të cilat zakonisht fokusohet antishtypja?
[i] (2010)
[ii] (Abella & Troper, 2012; Aretha, 2001)
[iii] (Abella & Troper , 2012)
[iv] (Aretha, 2001, f. 123)
[v] (Gilbert, 2006)
[vi] (Gilbert, 2006)
[vii] (Abella & Troper, 2012, f. 39)
[viii] (Aretha, 2001)
[ix] (Abella & Troper, 2012)
[x] (Michman, 1998)