Unë, djali me fat dhe HIV.
Kjo është Historia Ime!
Më imagjinoni si një djalë simpatik, me pak flokë, mbase aq i gjatë sa ty, dhe shumë romantik, emrin le ta lemë ‘’Erind’’. E vërteta që mbaj në xhep që në prill të 2016 është që kam HIV. Disa vizita në spital për goditje imuniteti i justifikova me grip e viroza. Vetëm kur vendosa të dhuroj gjak, një akt që më ishte kthyer në rutinë zbulova që rutina ime do duhej të ndërpritej aty. Një mjek a infermermer, më merr në telefon për të më ngrirë në këmbë. Isha në punë dhe për 30 minuta ky njeri po mundohej të më bindte që do jetoja. Që do mund t’ ia dilja. Po i binte rrotull. Besoj se nëse ka diçka që më vret më shumë, është kjo dhimbja e mëshirës. Ky nënçmimi. S’ kam qenë kurrë injorant, e as doja të më trajtonin si të tillë.
Pas vitit 2010 u ktheva nga studimet politike në Itali, për tu angazhuar në komunitetin LGBT e punë të tjera në Tiranë . Akoma nuk i kishim shtuar as ‘’Q’’ e as ‘’+’’. Isha i informuar për HIV-in e të gjitha sëmundjet e tjera. Gjithmonë e kam patur merak shëndetin, testohesha si për rutinë. Këshilloja të tjerët për përdorimin e kondomit, e i shoqëroja për vizitat e terapitë. Ndërsa, flirt-i që kishte kohë që zgjaste mes meje e shokut tim të punës mes sysh, atë natë do kthehej në aktin e parë dhe final.
Di mirë që në fillim e kam patur të vështirë ta pranoj, dhe vetvetiu njeriu kalon në një fazë ku kërkon të dijë se si mund të jetojë me të. Ndihesha shumë keq, i pistë, i ndryrë, më dukje vetja jo i denjë për çdo gjë. Asokohe kam patur zvarritje në sistem shëndetësor, refuzim të shërbimeve, madje për çudi të çdokujt kam vonuar 2 muaj për të filluar terapinë me ilaçe. Ca shokë e zbehën pak mardhënien me mua kur një mjek i tha se HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet të njejtit peshqir. Kur në fakt është budadallik me brirë i thënë nga një mjek. Ta dini mirë që HIV-transmetohet vetëm nëpërmjet seksit, gjilpërave të infektuara dhe nga nëna te fëmija.
Nuk është se sot më mbizotëron fakti që kam një infeksion, por bëhem plotësisht i ndërgjegjshëm kur marr kokrrën çdo natë, për 1 dhjetor në ditën e HIV-it, dhe prilli ma vë krejt paramëndsh. Infeksioni ka plot mjegull e paragjykimeve, dhe ka një koncept që detyrimisht kur je gej ke edhe HIV a ndonjë sëmundje tjetër. Më përshtypje të lë fakti kur mendohet se të gjithë mbartësit janë të pistë dhe të përdalë. Nëse këtë do e klasifikonim nga aroma, pastërtia e rrobave dhe cilësia e jetës një mbartës, unë apo edhe djali që ma transmetoi mua, do ishim pa HIV.
Unë jam djali me HIV dhe fat sepse e mora vesh shumë shpejt. Punoja mjaftueshëm për të përballuar shpenzimet financiare. Në këtë mesele fatmirësisht nuk kisha asnjë sëmundje e infeksion bashkëshoqërues. Por edhe kujdesesha për veten si kulturë e përhershme. Sot i jam mirënjohës shumë rrethanave që kam ngarkesë virale 0. E shijoj shumë natyrën. Detin se ndaj dot nga trupi, se origjina nga Durrësi bën të vetën. Alkolit dhe cigares i kam bërë bllok.
Ka një vit që i bam bërë bllok edhe numrit të dealerit tim të kokainës. Para se ti bëja bllok e telefonoja çdo natë. Ishte e vetmja mënyrë për të gjetur arsye e për ti dhënë ngjyrë netëve pa gjumë. Mbase HIV-i nuk ishte kontributori kryesor i kësaj dëshire, por kishte një goxha ndikim.
Ndërsa sot jam krenar dhe i lumtur që shoh se ka informacion në shqip, po rrëfehen histori personale. Por edhe unë jam rritur, kaq edhe interesat e mia për mardhënie fizike janë zbehur. Sot kam gjetur paqen në Durrës dhe nuk po kërkoj për asgjë. Por nëse dera troket, do ia hapja veç një emocioni e ndjenje të bukur. Familja ime e ka kuptuar në heshtje për dëshirat e mia, dhe pritja për martesë ka mbaruar.