Teatri Thalia Hamburg sjell me shfaqjen “Amerika” të parin produksion gjerman për skenën teatrore shqiptare dhe kjo në kushte krejt të pazakonta.
Ekipi i këtij teatri, një prej kryesorëve në Gjermani, i bashkohet me këtë rast përpjekjeve të artistëve dhe qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur Teatrin Kombëtar dhe vendos qëllimisht të bëhet pjesë e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit, shkruan Mapo.
Monodrama është e bazuar mbi romanin e Franc Kafkës “Amerika”.
Karl Rosman, djaloshi adoleshent, i cili i joshur nga shërbyesja, u bë papritur baba, detyrohet nga prindërit që të lërë Gjermaninë e të emigrojë në Amerikë. Pa vënë mirë këmbë në tokë përballet me të papriturat e para ndërkohë që nga larg ka soditur Statujën e Lirisë dhe afrimin drejt një të panjohure të madhe siç ishte Amerika dhe liria e papritur e frika e lidhur me të, shkruan Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në njoftimin e shfaqjes.
Personazhi kryesor do të luhet nga aktori me origjinë shqiptare Bekim Latifi, i cili sjell një personazh që ai vetë si aktor i lindur nga prindër emigrantë e njeh nga brenda në mënyrë të plotë.
Teatri Thalia Hamburg vjen në Tiranë me shfaqjen “Amerika” për të dhënë një shenjë për botën teatrore gjermane, shqiptare e mbarëeuropiane që shqiptarët nuk duhen lënë vetëm në këtë përpjekje e qëndresë të drejtë.
Shfaqja do të jepet në gjuhën gjermane. Teksti është përkthyer në shqip nga Lindita Komani dhe në formë të titruar ai do të shoqërojë paraqitjen skenike.